English

Kollozi: Interesat e kanë betonizuar Vlorën, duke e dëmtuar atë

Vlorë, 8 prill 2011, NOA- Kandidati i maxhorancës për kryetar bashkie në qytetin e Vlorës, Ardian Kollozi që në fillim të fjalës së tij tha se, kandidimi në vendin e origjinës vjen për të mirën e përbashkët.

“Vij këtu si kandidat për kryetar të bashkisë së Vlorës, për tu vënë në shërbim të së mirë së përbashkët, e cila është ajri dhe uji i mrekullueshëm i qytetit të Vlorës, e mira jonë e përbashkët është zhvillimi i vazhdueshëm i vendit tonë. Kam marrë përsipër detyrën e madhe dhe fisnike për të drejtuar Vlorën, qytetin më të bukur që e ka betonizuar qeveria vendore e deritanishme, për interesa të shpejta por që nuk kanë bërë tjetër veçse e kanë dëmtuar atë dhe turizmin e saj”, u shpreh Kollozi.

Më tej pretendenti për qytetar të parë të qytetit bregdetar tha se, së bashku me qytetarët vlonjatë ka shumë punë për të bërë.

Ai premtoi se sapo ai të vij në pushtet Vlora do të rifitoj freskinë e mohuar, do të marrë frymë lirisht, duke u lehtësuar nga betonizimet dhe ndërtesat që i kanë zënë frymën.

Sipas tij 8 maji do të jetë rruga e zhvillimit gjigant të Vlorës, megjithëse siç tha Kollozi një pjesë e saj është vështirë për tu rikuperuar.

“Qytetarë të mi, ejani së bashku të ndryshojmë Vlorën”, kështu e mbylli fjalën para bashkëqytetarëve të tij, kandidati për të parin e qytetit.

Ardian Kollozi ka fituar dy herë rresht mandatin e deputetit në këtë qytet, dhe me kandidimin e tij ai braktis parlamentin për tu rikthyer sërish në vendlindje.

a.y/NOA

KOMENTE