English

Mano u premton gjimnazistëve rikonstruktim të plotë të shkollave dhe bursa studimi

Korçë, 7 prill-Kandidati i maxhorancës për bashkinë e Korçës, Andrea Mano, zhvilloi sot në mjediset e bibliotekës së qytetit, një takim me maturantët e shkëlqyer të qytetit. Pak ditë para prezantimit zyrtar të programit të tij, Mano kërkoi të dëgjonte shqetësimet dhe kërkesat nga vetë gjimnazistët për t’i bërë ato pjesë të projekteve të tij për 4 vjeçarin e ardhshëm. Ai bëri dhe një pjesë të premtimeve për rikonstruktim shkollash dhe bursa për gjimnazistët me rezultate shumë të mira.

Mano prezantoi pikat që tashmë janë ngulitur në projektin e tij për fushën e arsimit, që janë rikonstruktim i të gjitha shkollave të parikonstrukutara, rindërtimi i gjimnazit numër 3 të qytetit, rikonstruktim i plotë i gjimnazit me emër “Raqi Qirinxhi” brenda dy viteve të para të mandatit dhe krijimi në këtë gjimnaz i mjediseve ku të rinjtë të kenë mundësi për aktivitete edhe gjatë pasdites.

“Përmirësimi i kushteve dhe rikonstruktimi i të gjitha shkollave të parikonstrukturuara janë një pjesë e rëndësishme e programit për katër vitet e ardhshme”, -u shpreh Mano, i cili këto probleme i njeh mirë jo vetëm si prefekt aktual, por edhe si personi që ka drejtuar për katër vite e gjysmë drejtorinë arsimore të qytetit.

“Por këtu sot jam për të folur për katër vitet që na presin, kur ashtu si sot, unë do kërkoj që të dëgjohet zëri i të rinjve, për të zgjidhur problemet që na shqetësojnë të gjithëve, për të qenë të gjithë pjesë aktive e jetës politike dhe sociale të qytetit”, tha Mano gjatë bashkëbisedimit duke premtuar se Bashkia do jetë e hapur për të rinjtë .

Ai dëgjoi kërkesat e tyre për ndërtimin e laboratorëve si dhe qendrave argëtuese për të rinj, që sipas tyre nuk ekzistojnë në Korçë, duke u premtuar projekte konkrete në këto drejtime. Ndërkohë pranoi se shumë laboratorë informatike janë ndërtuar gjatë drejtimit të tij të Drejtorisë arsimore, por tha se do punohet për të ndërtuar laboratorë kimie dhe fizike.

Mano nuk harroi t’i uronte maturantët për provimet e pranimit në Universitet duke theksuar dhe një herë avantazhet dhe transparencën e sistemit të maturës shtetërore. Ndërsa për katër vitet e ardhshme, ai premtoi se të gjithë maturantët me rezultate shumë të mira, që nuk kanë mundësi ekonomike për të vazhduar studimet e larta, do mbështeten nga bashkia me bursa studimi.

KOMENTE