English

Shoqëria civile prezanton vlerësimit e komunitetit për qeverisjen

Tiranë, 8 Prill 2011, NOA- Organizata të shoqërisë civile partnere të UN Women dhe UNDP që punojnë për arritjen e barazisë gjinore në Shqipëri, prezantuan sot në Tiranë rezultatet e “Vlerësimit të komunitetit për qeverisjen”.

“Vlerësimi i komunitetit për qeverisjen” është zbatuar gjatë periudhës shtator 2010 - shkurt 2011 në 7 rajone të vendit: Kukës, Shkodër (përfshirë dhe Lezhën), Tiranë, Korçë, Elbasan, Vlorë dhe Gjirokastër. Përzgjedhja e rajoneve ka pasur si qëllim një mbulim sa më të mirë gjeografik, duke mundësuar krahasimin e problematikave të rajoneve me njëri-tjetrin, por edhe në nivel kombëtar.

Të dhënat e mbledhura bazohen në realizimin në shkallë kombëtare të rreth 100 takimeve ku morën pjesë afro 2 000 votues dhe votuese, të cilëve iu kërkua të vlerësonin nga 1 (nota më ulët) deri në 5 (nota më e lartë) shërbimet e ofruara nga qeverisja vendore dhe politikat e partive politike në lidhje me pikat e parashtruara në Manifestin e Grave dhe

Vajzave si më poshtë:

- Pjesëmarrje dhe përfaqësim i barabartë politik dhe vendimmarrës

- Politikat kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave

- Politikat për përmirësimin e gjendjes ekonomike

- Politikat për shërbimet sociale, kushtet shëndetësore dhe arsimimin

Në nivel kombëtar, notat më të ulëta në “Vlerësimin e komunitetit për qeverisjen”, i morën këto çështje:

- Pjesëmarrja e ulët në vendimmarrjen publike të grave dhe vajzave;

- Mungesa e strategjive për përfshirjen e grave dhe vajzave në vendimmarrjen politike;

- Mungesa e punonjësve vendorë për barazinë gjinore dhe kundër dhunës në familje në strukturën e qeverisjes vendore;

- Mungesa e politikave specifike lokale që garantojnë riintegrimin e grave të dhunuara;

- Mungesa e shpërndarjes së informacionit mbi njësitë mbështetëse ku duhet të drejtohen gratë në rast se përjetojnë dhunë;

- Mungesa e qendrave rehabilituese për viktimat e dhunës dhe të trafikut;

- Prania e dhunës në sistemin arsimor;

- Mungesa e nismave lokale që nxisin punësimin e grave;

- Mungesa dhe cilësia e ulët e shërbimit në çerdhet publike;

- Mungesa e qendrave sociale në nivelin lokal;

- Mungesa e ndriçimit të rrugëve kryesore dhe dytësore në territorin e komunës;

- Mungesa e furnizimit me ujë të pijshëm dhe cilësia e keqe e tij;

- Mungesa e mbledhjes së plehrave në lagje.

Kjo nismë zbatohet për herë të parë dhe ka për qëllim identifikimin dhe prioritizimin e nevojave të komunitetit gra dhe vajza përmes vlerësimit dhe monitorimit të politikave të qeverisjes dhe partive politike në zbatim të kuadrit ligjor mbi arritjen e barazisë gjinore.

“Vlerësimi i komunitetit për qeverisjen’ është bazuar në një analizë të hollësishme të informacioneve të mbledhura nga qeverisja vendore, që përfshinin të dhëna sasiore mbi buxhetet vendore të vitit të kaluar dhe/ose strategji vendore apo rajonale. Sipas buxheteve të analizuara të pushtetit vendor në të shtatë rajonet, vetëm disa bashki kishin parashikuar shpenzime për shërbimet e detyrueshme të munguara. Përqindja e tyre ndaj totalit të shpenzimeve në buxhet në rastin më të mirë të mundshëm përbënte 1%-2% të tij (vetëm në disa zona urbane). Në zonat rurale buxhetet nuk parashikonin asnjë shpenzim që të mundësonte ofrimin e shërbimeve të detyrueshme për komunitetin. Në rastet kur pushteti vendor kishte hartuar strategji vendore, dhe objektivat e saj përfshinin aktivitete specifike, analiza tregon se mungonte planifikimi buxhetor dhe treguesit e monitorimit të arritjes së këtyre objektivave. Analiza nxori në pah edhe nivelin e transparencës së pushtetit vendor ndaj zgjedhësve dhe shoqërisë civile duke krijuar një pikënisjeje për të nxitur llogaridhënien e të zgjedhurve ndaj votuesve të tyre dhe për të nisur monitorimin e qeverisjes vendore pas zgjedhjeve.

Rezultatet lokale të “Vlerësimit të komunitetit për qeverisjen” do të bëhen të ditura dhe do të publikohen njëkohësisht në secilin nga shtatë rajonet e sipërpërmendura në datën 13 prill në një komunikim të drejtpërdrejtë me mediat. Këto rezultate do t’i prezantohen të gjithë kandidatëve të forcave politike që garojnë për zgjedhjet vendore të vitit 2011 me kërkesën për t’i bërë pjesë të programeve elektorale dhe pasi të zgjidhen t’i bëjnë pjesë të programeve të tyre të ardhshme në shërbim të komunitetit.

NOA

KOMENTE