English

Varri i tjetrit

Nga Elsa Ballauri

Për ta shpjeguar më mirë këtë që dua të them, do të nis me disa përshtypje që më la një shkrim i dy ditëve më parë i Mero Bazes te “Tema”. Sipas tij, takimi, që ishte planifikuar të bëhej midis një grupi prej 31 qytetarësh të Tiranës me dy kandidatët e Bashkisë së qytetit, Rama dhe Basha, ishte thjesht një farsë e organizuar nga kandidati Basha dhe Baze shpreh çudi se si një pjesë e këtyre njerëzve e pranuan një rol të tillë, pra të ishin të pranishëm. Unë isha një nga ata që mendova se të jesh përballë dy personave që janë futur në garë për t’u bërë kryetarë të qytetit dhe të mësosh prej tyre se ç’duan të bëjnë me këtë qytet ku unë kam lindur dhe jam rritur, është një e drejtë imja, si dhe një mundësi për të bërë vërejtjet dhe sugjerimet e mia. Nuk mendova shumë gjatë se si dhe kush e organizoi takimin: krahasuar me qëllimin, kjo ishte e parëndësishme. Ajo që m’u duk e gjetur ishte se të dy kandidatët ishin thirrur për këtë ballafaqim. Në fund të fundit, kjo është ajo që presim të gjithë në këtë fushatë të saponisur, kjo është mënyra si unë e shoh vendin dhe rolin e një kandidati për kryetar bashkie; të qëndrojë përpara njerëzve dhe t’u japë llogari, të rrijë para qytetarëve si shërbëtor i përulur i tyre, dhe jo si kapadai. Dhe aq më shumë do të jem edhe më e qetë dhe e sigurt për rezultatet e këtyre zgjedhjeve kur të shoh se të dy kandidatët do të jenë përballë njëri-tjetrit duke shpalosur idetë e tyre për Tiranën. E akuzuar nga zoti Baze se kam pranuar të jem përpara një njeriu që është përgjegjës për vrasjet e 21 janarit (në këtë rast zoti Basha), dua t’i shpjegoj fjalëshkruesit se kam për detyrë të respektoj organet e drejtësisë dhe të gjitha institucionet që merren me zbardhjen e kësaj ngjarjeje. Natyrisht që kam shumë vërejtje dhe ankesa ndaj këtyre institucioneve; e di që kemi një prokurori të dobët, një gjykatë të korruptuar, një polici të trembur. Të gjitha qeveritë e këtij vendi janë munduar dhe ia kanë arritur t’i mbajnë nën kapistallin e frikës dhe ankthit punonjësit e administratës shtetërore. Të njëjtën gjë bëjnë edhe tani, vazhdojnë të përdorin fëmijë dhe njerëz të mjerë për të përfituar votat e të tjerëve, marrin firma nga nëpunësit për të populluar manifestimet e fushatave. Natyrisht që kam një shqetësim të madh për 4 të vrarë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, për mënyrën se si kjo çështje do të zbardhet. Personalisht, pas asaj që ndodhi do të kisha dhënë dorëheqjen si ministër i Brendshëm (po të isha). Po kështu do të jepja dorëheqjen si kryetar i opozitës (po të isha), pas akuzave për manipulim të njerëzve dhe përgatitjen e tyre për konflikt me armë… Pra i bie që nuk duhej të pranoja asnjërin nga kandidatët dhe të dy t’i shpallja fajtorë. Pra, i bie që nuk duhej të më interesojë asnjë lloj aktiviteti që këta njerëz përpiqen të bëjnë në prag të zgjedhjeve lokale. Por, duke qenë një qytetare e thjeshtë dhe njëkohësisht një qytetare e angazhuar, nuk më takon ta bëj këtë rol. Në takimin e dy ditëve më parë, qëllimi ishte shumë i mirë; të ishin të dy kandidatët përpara nesh. Unë nuk mora pjesë në këtë takim, pasi u informova se njëri prej tyre, z. Rama, nuk erdhi. Por zoti Baze nuk mund të jetë në gjendje të parashikojë se cilat do të ishin pyetjet e mia për kandidatët. Nuk mund të më diktojë askush se në ç’takim do të marr pjesë. Nuk mund të më detyrojë askush të mos interesohem se sa e pastër do të jetë lagjja ime, sa mundësi do të ketë fëmija im të rritet në një qytet të vërtetë, sa mundësi do të kenë qytetarët e lënë pas dore të gjejnë hapësirat e tyre të punësimit, të pastërtisë, sa do t‘iu vihet në vend e drejta grupeve të margjinalizuara për të pasur aksese në mediat lokale, në punësim, në shkollim etj. Shqipëria është e mbushur me shembuj të njerëzve që hyjnë e dalin nga pushteti si pa gjë të keq, që hipin e zbresin nga fronet si pa të keq, që shajnë dhe zënë istikame ekstremiste në çdo dy-tre vjet, si pa gjë të keq. Megjithëse shumë të pamerituar në ato vende që kanë zëne, është e rëndësishme të shfrytëzohet mundësia të jesh përballë këtyre njerëzve dhe të pyesësh për halle dhe probleme që na shqetësojnë të gjithëve, është një e drejtë dhe një detyrë qytetare. Kjo është Shqipëria. Ka dy rrugë: ose të rrish dhe të merresh me të, ose të ikësh nga ky vend. E para kërkon përkushtim dhe ndjenjë pozitive, negativizmi vetëm do të na shkatërrojë, ashtu siç edhe e kemi nisur… Në këtë skenë të ngarkuar, ku politika drejton jetën e qytetarëve, sikur nuk ekzistojnë marrëdhëniet e vërteta njerëzore: gjithmonë e më tepër pozicionet e sulmit janë sofistikuar dhe egërsuar. Bëjmë krahasime më botën më të qytetëruar që i ka kaluar hallet që kemi ne tani përpara 100 vjetëve. Jemi në mentalitetin e politikës gjermane të vitit 1920 dhe pretendojmë të krahasohemi me gjermanët e 2011-s… Pavarësisht nga ky pretendim virtual që lidhet me mendjemadhësinë tonë, me kompleksin e inferioritetit dhe me injorancën, ajo që ka filluar të na shkatërrojë është filozofia në mode: ajo e varrit të tjetrit. Për fat të keq, Shqipëria po i djeg etapat me shpejtësi: kërkojmë të bëjmë demokraci të zhvilluar me mendje të mykura që nuk ia kanë idenë demokracisë. Të gjithë bashkë: politikanë, qytetarë, media, shkojnë drejt një vetëvrasjeje që në vend të na shqetësojë, na argëton. Pra, këta jemi ne dhe në këtë kaos që na e krijoi historia dhe vetja jonë duhet të bëjmë më të mirën. Për mua personalisht më e mira nuk është fortifikimi i llogoreve dhe armatimi për luftë të egër, por shtrëngimi i dorës, është komunikimi, zbutja e inateve, mënyra diplomatike dhe mirëkuptimi. Të arrish ta bësh këtë nuk është mungesë krenarie, apo dobësi. Përkundrazi, është force dhe model i vërtetë i qytetarisë. Politika drejton jetën e qytetarëve si shkop magjik. Qytetarët harrojnë hallet, harrojnë të ushqehen dhe të argëtohen, por nuk harrojnë të shajnë dhe të qëllojnë me grushte njëri-tjetrin për hir të politikës. Politika ka manipuluar mediat dhe gazetarët (në dukje më të moderuar), që po ashtu kanë zënë llogoret e tyre, kalojnë sipas interesave personale ose sipas shkallës së inatit personal nga njëra anë e llogores në tjetrën (sikurse edhe zoti Baze). Dhe natyrisht, për këtë kategori njerëzish, të mos jesh në anën e askujt, është një çudi gati e pafalshme. Kohët e fundit ndjek herë pas here komentet që bëhen në internet për opinione e shkrime të ndryshme në gazetat shqiptare. Edhe atje shoh shumë qartë dëshirën për të hapur varrin e tjetrit. Një pjesë e madhe shqiptarësh që kanë lënë Shqipërinë për arsye nga më të ndryshmet dhe që gjithmonë e më shumë pretendojnë se janë truri i ikur i atdheut, kane një mllef dhe pozicionim ekstrem të gjykimeve të tyre ndaj shkruesit, aq sa të vjen keq dhe mendon se sa pak iu ka influencuar apo i ka zbutur mentaliteti i vendeve të zhvilluara ku jetojnë. Ajo që të bie në sy është inati se si i drejtohen tjetrit, sa pak etikë njerëzore ka në të folurën e tyre. Unë e kuptoj këtë inat, natyrisht që është i përzierë edhe me keqardhje për ne këtu dhe për ata që detyrohen të rrinë atje, të bëjnë çdo lloj pune, të mërziten gjatë, të kenë nostalgjinë e vendlindjes e ndërkohë vendlindja nuk u krijon dot kushte normale për të jetuar…. Halli im është faji i tjetrit. Askush nuk e pranon dot përgjegjësinë, por e delegon atë jashtë vetes. Shqiptarëve që jetojnë jashtë iu duken të gjithë shqiptarët e këtushëm të korruptuar, frikacakë, të papërgjegjshëm, defektoze, shkurt një armatë tjetër për t’u varrosur. Ata që jetojnë këtu, të ngarkuar me stresin e përditshëm të politikës, kuptohet që flasin nëpër blogje sikur flasin në rrugë. Përveç mungesës së theksuar të sjelljes së mirë, një gjë është shumë e dukshme: qëndrimi ekstrem ndaj palëve, dëshira për të shkarkuar shumë negativizëm. Politika, si një sëmundje ngjitëse e rrezikshme, i ka futur njerëzit në një kurth të rrezikshëm duke i viktimizuar në masë. Ne kemi nevojë të mbështesim njëri-tjetrin dhe jo ta përjashtojmë dhe denigrojmë njëri-tjetrin. Zgjidhja? Nuk gjej ndonjë zgjidhje përfundimtare. A ka vërtet zgjidhje?

KOMENTE