English

Greqia: Tensionet në Tiranë, po godasin imazhin pozitiv të zgjedhjeve

Athinë, 20 maj, NOA - Pas Italisë, edhe Greqia reagon në mënyrë zyrtare mbi zhvillimet e fundit politike në Shqipëri.

Kështu, mediat greke citojnë një deklaratë të bërë posaçërisht nga zëdhënësi i ministrisë së Jashtme të Greqisë, Grigoris Delavekuras, i cili i drejton publikisht një thirrje udhëheqjes politike të Shqipërisë për "vetëpërmbajtje dhe pjekuri", lidhur me problemet që u shfaqen në lidhje me rezultatet në Tiranë, pas zgjedhjeve lokale të 8 Majit.

Zyrtari grek vuri në dukje se "në përgjithësi dhe pavarësisht problemeve të veçanta, procesi u zhvillua pa probleme, një fakt ky që i atribuohet në një shkallë të madhe tregimit të një pjekurie të rëndësishme nga ana e elektoratit".

Megjithatë, ai theksoi se "problemet që janë duke u vërejtur lidhur me votat e Bashkisë së Tiranës, përbëjnë një goditje në imazhin relativisht pozitiv të procesit".

Duke u bërë në fund, thirrje të gjitha forcave politike "për ligjshmëri dhe normalitet, në mënyrë që të triumfojë perspektiva e vendit për qasje drejt Bashkimit Evropian”.

Zëdhënësi i institucionit të diplomacisë greke, theksoi më tej se “në këtë përpjekje, Shqipëria do të gjejë një aleat të fortë si Greqia, e cila ka dëshmuar në praktikë se e mbështet qasjen e saj në strukturat euro-atlantike".

n.e/NOA

KOMENTE