Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
A po na gatitet ndarja e Kosovës si opsion?!
English

A po na gatitet ndarja e Kosovës si opsion?!

Nga Adnan Abrashi

Pavarësisht trumbetimeve naive të qeveritarëve tanë në pushtet (por edhe në Serbi dhe Bruksel) se këto bisedime të fundit në mes të Kosovës dhe Serbisë kinse kanë karakter kryekëput teknike, ato, në të vërtetë, janë tërësisht politike dhe me tendenca serioze të shkrirjes graduale edhe në hapjen e temave për një ndarje të mundshme territoriale si opsion. Se sa do të jetë e mundshme që një qasje e tillë e zgjidhjes së kësaj çështjeje të ndjeshme politike të realizohet me sukses në këtë regjion të trazuar ballkanik, shumë është me rrëndësi se a ekziston paraprakisht ndonjë plan konspirativ “B” i bashkësisë ndërkombëtare në këtë drejtim. Zërat gjithnjë e më të fuqishme në këtë drejtim, që këto ditë vijnë pikërisht nga Serbia, na shlyejnë që të jemi më të hamendësuar në këtë drejtim.

Në krahasim me eksperiencën dhe papjekurinë tonë politike në Kosovë, pala tjetër serbe, ka një strategji krejtësisht tjetër vepruese në këtë drejtim. Në distanca kohore, ajo gjithnjë është treguar shumë më varjabile ndaj çështjes së Kosovës kur janë në pyetje interesat e saja nacionale afatgjate. Dihet mirë se ajo, fillimisht, me instalimin pas lufte të Administratës së Përkohshme të OKB-së UNMIK në Kosovë, ishte kategorikisht kundër saj, për ta pranuar më vonë atë; po ashtu, ishte tejet kundërshtuese kundër EULEX-sit, për ta bashkëpunuar më vonë metë. Andaj, edhe pse tani zyrtarisht tregohej si e “painteresuar” për një ndarje të mundshme të Kosovës, për të qenë në prapavijë edhe vetë si përkrahëse (apo ideator kryesor) e saj.

A mund të ekzistoj një plan “B” si ide për ndarjen e Kosovës?

Nuk e di se sa u kujtohet lexuesve tanë deklarata e paradokohshme e anëtarit të Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit Amerikan, Dana Rohrabaker, se zgjidhja e vetme funksionale për stabilizimin e këtij rajoni etnikisht të trazuar ballkanik, do të ishte një shkëmbim (ndarje) territoresh në mes të Kosovës dhe Serbisë. Kur kjo ide jo aq e këndshme për një zgjidhje sa më adekuate të çështjes shqiptare në Ballkan, e bërë nga goja e këtij përfaqësuesi të lartë të Kongresit Amerikan, atëbotë u hodh në opinion, ashtu sikur edhe pritej, tek politika zyrtare në Prishtinë dhe Beograd, hasi në një reagim të ashpër mohues. Nga subjektet politike në Kosovë, vetëm “Lëvizja për Bashkim”doli haptas në përkrahje të saj.

Njohësit e mirë të taktikeve të marketingut politik, e dinë se, sado që fillimisht një ide e parashtruar publike nga ndonjë autoritet i lartë politik ndërkombëtar dukej e papranueshme nga pala tjetër, pas reagimeve të pritura mohuese, ajo heshtet shpejtë, për tu paraqitur më vonë prapë nga dikush tjetër, këtë herë me një intensitet më të madh. Pastaj, është tejet ndikuese se kjo ide së pari si propozim joformal, ka dalë nga “kuzhina” politike e shtetit me ndikim më të fuqishëm në botë – SHBA-të.

Bazuar në qëndrimet të gjertanishme zyrtare përgjithësisht rreth çështjes së Kosovë, dihet se çfarë drejtimi ka politika amerikane por, duhet pranuar se tarafi tjetër i strategjisë vepruese analitike afatgjate e saj, jo aq dihet, apo nuk dihet fare. Pra, ajo është konspirative?!

Edhe pse deklarata në fjalë e z. Rohrabeker, nga aspekti i nivelit, nuk prezantonte qëndrim zyrtar të SHBA-ve, fare nuk duhet te konsiderohej si e rastësishme. Sepse, dihet mirë se, në “kuzhinat e gatimit” të strategjive të politikave globale amerikane, para ndërmarrjes së realizimit përfundimtar të një qëllimi si synim, së pari, gjithnjë në mënyrë indirekte bëhet parapërgatitja e opinionit të gjerë, veprime këto që, për ne, aty për aty, fillimisht do të na duken të pakapshme, absurde dhe anakronike.

Se SHBA-të kanë interesa të caktuara në Kosovë dhe përgjithësisht në këtë rajon, tanimë kjo nuk vihet në dyshim nga askush. Amerikanët, kudo në botë, në drejtim të përmbushjes së këtyre interesave, veprimet e tyre të koordinuara operacionale i orientojnë në dy drejtime, e para: gjithnjë publikisht reagojnë sipas situatës momentale që “at hock” e kërkon momenti i politikës së caktuar ditore, dhe e dyta: si rrjedhojë kronologjike shumë më e ngadalshme se e para, realisht veprojnë krejtësisht ndryshe në prapavijë. Këtë konstatim do ta freskoja me një shembull nga praktika e jonë e kaluar: ta zëmë, në vitet e para të rezistencës tonë gjithëpopullore kundra pushtimit të Serbisë, zakonisht, të gjitha protestat e shqiptarëve për liri dhe pavarësi, gjithmonë zyrtarisht janë gjykuar nga po kjo politikë ditore amerikane, por, nga ana tjetër, në favor të sensibilizimit të kërkesave tona të drejta popullore, mu kjo politikë, i kishte aktivizuar mediet më të fuqishme botërore, duke parapërgatitur kështu, si opinionin e vet, nga njëra anë, ashtu edhe atë botëror, nga ana tjetër, për veprimet e ardhshme strategjike që do t’i ndërmarri si reagim për këtë gjendje.

Një mundësi konspirative e krijimit të “Shqipërisë Natyrale” dhe “Serbisë së madhe”?!!

Hipotetikisht, shikuar nga një këndvështrim tjetër analitik dhe në favor të dyshimit të shtruar për mundësinë e ekzistimit të një plani konspirativ “B” të bashkësisë ndërkombëtare, me tendenca që më vonë në këto hapësira të krijohet një “Shqipëri etnike” dhe “Serbi e madhe”, shumë parashenja të disa realiteteve të kamufluara si veprime të pavërejtura në terren, mund të na ngrinin dyshimin e bazuar se diçka e tillë vërtetë po ngjanë heshtur në këtë drejtim.

I. Shteti ekzistues i Bosnjës dhe Hercegovinës është produkt i një zgjidhje të dhunshme të bashkësisë ndërkombëtare i ofruar si kompromis të momentit aktual politik. Bosnja dhe Hercegovina nga Konferenca e Dejtonit nga u lind ky shtet, me kohe, gjithnjë e më shumë po dështohet se është një kreacion artificial shtet-formues dhe ajo që në start ka qenë e dënuar të dështoj. Serbia millosheviqiane e asaj kohe, sigurisht e ka pranuar këtë opsion, mbase gjithnjë e vetëdijshme se “Republika Serpska”, me shtetësi të brendshme shumë të shprehur të ndarjes administrative, kur të pjekën kushtet dhe nën rrethanat e favorshme, dikur patjetër do të kërkoj bashkimin e saj me shtetin amë Serbinë. (Serbia e madhe). Sot, këto zëra të serbëve të Bosnjës (Republika Serbska) për bashkim me Serbinë janë gjithnjë e më të fuqishme dhe më zyrtare, ndërsa, në favor të vërtetësisë se kjo “fantom” krijesë dentoniane (B.H ) është i dështuar si shtet i mirëfilltë, para disa koha, e ka konstatuar publikisht edhe ish –sekretarja e SHBA-së, z. Condolizza Rice.

II. Mosaprovimi i kërkesës së Maqedonisë për të qen anëtare e NATO-s, kinse për mosekzistimin e koncenzusit nga Greqia për shkak të emrit, shikuar më realisht dhe nga “ana tjetër e medaljes”, sipas mendimit tim, ajo duhet deshifruar pak më ndryshe. Po ta kishte bashkësia ndërkombëtare sinqerisht si vullnet pranimin e Maqedonisë në NATO (ashtu sikur e bëri me Shqipërinë), Greqinë e dërmuar aktualisht nga kriza e madhe ekonomike, në emër të dhënies së kredive të mëdha si infuzion, patjetër së pari e kishte kushtëzuar me heqjen dorë nga një kundërshtim kategorik të saj rreth emrit me Maqedoninë. Ky realitet, na jep hapësirë që të paragjykojmë se, në të ardhmen, ka mundësi që nga shtetet më të fuqishme të botës (në krye me SHBA-të) të përgatitet edhe një ndarje territoriale në konspiracion, në mes të këtij shteti me popullsi të banuar shumicë shqiptare dhe Shqipërisë.

III. Në kontest të kësaj mënyre të rezonimit, pak kush sot ishte dashur të besoj se, “Rruga e Kombit” (Durrës - Morinë), ka qenë kryekëput iniciativë e vullnetit të mirë dhe vepër e ndjenjës atdhetare (patriotike) e kryeministrit Shqiptar, Sali Berisha?!

Ngjashëm, pak kush sot ishte dashur të besoj se vazhdimi i ndërtimit të kësaj rruge moderne “Vërmicë – Merdare” duhet të ishte vullnet i mirë dhe vepër e ndjenjës atdhetare (patriotik) të kryeministrit tonë, Hashim Thaqi?! Ajo AUTO-UDHË, në fakt, është rezultati i realizimit në praktikë të një plani strategjik më parë të përcaktuar ndërkombëtar, e cila si grykë kyçe në të ardhmen, do t’i lidhte, së pari, dy shtetet fqinje të Ballkanit - Shqipërinë me Serbinë, e më pas, këtë pjesë të gadishull të bregdeti jugperëndimor,me pjesët tjera të Evropës së integruar. Në fakt, kjo “auto- udhë”, është e paraparë që ta lidh Tiranën me Beogradin. (Përmes Tiranës pjesët jugore të Shqipërisë me Greqinë, si dhe përmes Nishit dhe Beogradit, pjesën qendrore dhe veriore të Evropës).

IV. Nëse veç ekziston ndonjë plan i dyshuar konspirativ i bashkësisë ndërkombëtare që shqiptarët si popull vërtet të bashkohen në një shtet të përbashkët unik, atëherë, pas “testim- provave” si propozime “zyrtare- jozyrtar” për “ndarje-mosndarje” të Kosovës, të cilat shpesh po dëgjohen kohën e fundit, sigurisht se do të kontribuojnë që kjo temë më vonë të iniciohet edhe në këto bisedime (aspak teknike) Kosovë-Serbi. Bile-bile, ka mundësi që dikur të shkohet edhe në ndonjë SAMIT ndërkombëtar alla DEITON në këtë drejtim.

Fatkeqësisht (na pëlqeu kjo apo jo), apo fatlumësisht (ndoshta si shans i mirë), nisja e ngjizjes në praktikë të realizimit të synimit tonë të bashkimit të trojeve shqiptare në një shtet të përbashkët unik, mbase do të filloj pikërisht nga mundësia e ndarjes apo shkëmbimit territorial të Kosovës me Serbinë?!!

Sinqerisht dëshiroj që me këtë supozime analitike hipotetike (për dikë edhe përralla), ta kem gabim, por, të gjithë përkrahësve, skeptikëve dhe kundërshtarëve të kësaj ideje, nga njëra anë, si dhe ithtarëve tjerë se një bashkim i mundshëm gjithëshqiptar do të realizohet në Evropën e bashkuar, ju përkujtoj se, shumë pak ka mundësi që shtetet më të fuqishme evropiane, sikurse është Anglia, Franca, Gjermani...etj., do të pranojnë që dikur në forumet përfaqësuese të kësaj Bashkësie të madhe kombesh (BE), ata si popuj dhe shtete bartëse të formimit të saj, të kenë të drejtën e një vote, ndërsa shqiptarët, përmes shtetit të Shqipërisë dhe Kosovës, dy vota...?!?

KOMENTE