English

Nis mbledhja e KQZ, pritet numërimi i votave të kontestuara në njësinë 5

Tiranë, 22 maj 2011, NOA – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur mbledhjen e pasdites ku pritet të numërohen edhe një numër kutish me fletë të kontestuara të mbërritura nga KZAZ-ja nr. 49, që i përket njësisë bashkiake nr. 5 në Tiranë.

Deri më tani KQZ ka numëruar 130 kuti, ndërkohë që kanë mbetur edhe mbi 20 të tjera për t’u numëruar.

Ndërkohë KQZ po shqyrton në këto momente ankimimet e partive për procesin zgjedhor.

Duke iu referuar numërimit të fletëve të kontestuara, deri më tani kandidati i koalicionit “Aleanca për Qytetarin”, Lulzim Basha udhëheq betejën për udhëheqjen e bashkisë së kryeqytetit me plot 170 vota të vlefshme në favor të tij, ndërsa kandidati i koalicionit “Aleanca për të Ardhmen” Edi Rama ka marrë deri më tani 79 vota.

Diferenca mes dy kandidatëve është e ndjeshme duke iu referuar edhe kutive të mbetura për t’u numëruar pranë KQZ-së.

Basha udhëheq garën për Tiranën me 91 vota më shumë se Rama.

Mbledhja e KQZ-së vijon rishtas mes protestave të simpatizantëve socialistë të mbledhur pasdite në sheshin pranë godinës së KQZ-së.

Përpara godinës janë mbledhur në mënyrë të organizuar dhjetëra simpatizantë të PS-së, dhe nga sa duket më të shumtë janë forcat e policisë, të cilët janë bërë gardh në mbrojtje të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Mes simpatizantëve kanë mbërritur edhe deputetë të Partisë Socialiste, të cilët siç është bërë e zakonshme në këto ditë protestash pritet të mbajnë fjalimet e tyre kundër numërimit të fletëve të kontestuara pranë KQZ-së, që sipas tyre shkon ndesh me Kodin Zgjedhor.

mit/NOA

KOMENTE