English

Përfundon protesta pranë KQZ, nis pas pak numërimi i votave të kontestuara

Tiranë, 22 maj 2011, NOA Update – Pas shqyrtimit të ankesave të partive politike në mbledhjen e pasdites, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet të nisë pas pak minutash numërimin e 12 kutive me fletë të kontestuara, të vëna në rendin e ditës për t’u numëruar.

Këto 12 kuti përmbajnë fletë të kontestuara në KZAZ-në nr. 49, që nënkupton se janë vota të vlefshme për kandidatët për kryetar bashkie, apo edhe këshillin bashkiak, porse janë të hedhura nga votuesit në kutitë e gabuara.

Të 12 kutitë që pritet të numërohen në një seancë maratonë i përkasin qendrave të votimit të njësisë bashkiake nr. 5 në kryeqytet.

Pas shqyrtimit të ankesave të partive politike sa i përket procesit zgjedhor, kryetari i KQZ-së Arben Ristani kërkoi disa minuta pushim, përpara nisjes së numërimit të fletëve të kontestuara.

Sakaq beteja për bashkinë e Tiranës ka mbetur për t’u zgjidhur brenda në KQZ, ku deri më tani janë numëruar 113 kuti.

Deri më tani gara për Tiranën udhëhiqet nga kandidati i koalicionit “Aleanca për Qytetarin” Lulzim Basha që ka marrë 170 vota pikërisht nga numërimi i fletëve të kontestuara.

Ndërsa kandidati i koalicionit “Aleanca për të Ardhmen” Edi Rama ka marrë plot 79 vota nga numërimi i këtyre fletëve.

Diferenca mes dy kandidatëve është e ndjeshme duke iu referuar edhe kutive të mbetura për t’u numëruar pranë KQZ-së, ku Basha udhëheq garën për Tiranën me 91 vota më shumë se Rama.

Ndërsa KQZ ende nuk ka nisur numërimin e votave, ka përfunduar protesta e opozitës para KQZ-së.

Simpatizantët e opozitës kanë lënë mjediset e jashtme të KQZ-së ku ishin tubuar për mëse një orë duke u larguar qetësisht.

mit/NOA

KOMENTE