Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Çelen regjistrimet për studime në Itali, gjithçka duhet të dini
English

Çelen regjistrimet për studime në Itali, gjithçka duhet të dini

Vetëm për abonentët. Pajisu me emër përdoruesi tek pr@noa.al

Tiranë, 24 maj 2011 NOA - Ministria italiane e Arsimit ka publikuar sot udhëzimet për regjistrimet e studentëve të huaj pranë Universiteteve italiane. Studentët që dëshirojnë të regjistrohen pranë Universiteteve italiane në vitin akademik 2011/2012 duhet që në fazën e parë, të dorëzojnë dokumentacionin e nevojshëm për proçedurën e para-regjistrimit.

Burime zyrtare nga Ambasada Italiane në Tiranë i thanë agjencisë NOA se dokumentet do të dorëzohen personalisht nga të interesuarit pranë Ambasades Italiane, duke caktuar takim nga data 6 deri në datën 17 qershor 2011.

Më pas, nga data 1 deri në datën 31 korrik, do të dërgohet përmes korrierit Albanian Courier, Dëftesa e Pjekurisë (ose Diploma universitare) dhe dokumentacioni i nevojshëm për vizën për studim/universitet.

Ambasada Italiane konfirmoi për lexuesit e NOA se ajo do t’u lëshojë vizën studentëve sapo të ketë marrë konfirmimin e regjistrimit prej Universitetit dhe do t’i dorëzojë të interesuarve (gjithmonë përmes Albanian Courier) pasaportën dhe dokumentet e legalizuara.

Më poshtë gjeni të gjitha detajet që ju nevojiten:

FAZA E PARË: PARAQITJA E KËRKESËS PËR PARA-REGJISTIRMIN

Studentët që dëshirojnë të fillojnë proçedurën e para-regjistrimit, duhet të caktojnë një takim pranë Ambasadës Italiane përmes shërbimit Prenoto Online, në web site-in e Ambasadës Italiane në Tiranë (www.ambtirana.esteri.it), duke zgjedhur shërbimin “Regjistrimet Universitare”. Takimi mund të caktohet edhe përmes call center-it, në numrat 0900 404 3000 (nga telefonat fiks) dhe 0900 404 4000 (nga telefonat celularë). Takimet mund të caktohen nga data 6 deri në datën 17 qershor 2011.

Studentët duhet të paraqitën në datën e takimit me dokumentacionin e mëposhtëm (gjithë dokumentet mund të shkarkohen në web site-in e Ambasadës):

formulari i regjistrimit (modello A) tërësisht i plotësuar por i pa firmosur, në origjinal dhe 2 fotokopje.

Tërhiqet vëmendja e studenteve mbi faktin se në kërkesë duhet të shënohet qartësisht vetëm një degë universitare, që nuk do të mund të ndryshohet më pas.

Lista e të gjithë degëve mund të konsultohet në adresën http://www.studiare-in-italia.it/studentistranieri/.

formulari i autentifikimit të fotografisë, tërësisht i plotësuar por i pa firmosur, në origjinal dhe 2 fotokopje.

Dëftesa e Pjekurisë dhe Çertifikata e Maturës Shtetërore, në origjinal dhe 2 fotokopje. Studentët që nuk zotërojnë më Dëftesën origjinale do të dorëzojnë një Vërtetim me rezultatet e të gjithë viteve.

Studentët e regjistruar në vitin e fundit, që do të marrin Dëftesën në verën e 2011, do të paraqesin një Vërtetim Notash, me notat e tre viteve të para dhe të semestrit të parë të vitit të fundit. Dëftesa përfundimtare do të dorëzohet në Ambasadë përpara lëshimit të vizës.

Studentët që dëshirojnë të regjistrohen në kurset e ciklit të dytë (Laurea Magistrale) duhet të dorëzojnë Diplomën universitare, listën e provimeve dhe programin e detajuar për çdo provim.

Studentët e regjistruar në vit të fundit të sistemit trevjeçar, që do te marrin Diplomën brenda verës së vitit 2011, duhet të dorëzojnë një Vërtetim me provimet e dhëna. Diploma përfundimtare do të dorëzohet në Ambasadë përpara lëshimit të vizës.

VINI RE: dokumentet e lëshuara nga institucionet shqiptare duhet të jenë të legalizuara.

Dokumentet e shkollës së mesme duhet të vulosen pranë Drejtorisë Arsimore Rajonale dhe pranë Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. Më pas, dokumentet duhet të përkthehen në gjuhën italiane dhe të legalizohen pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme (duhet të legalizohet origjinali dhe përkthimi).

Ndërsa dokumentet universitare duhet të vulosen pranë Rektoratit dhe më pas të përkthehen në gjuhën italiane dhe të legalizohen pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme (duhet të legalizohet origjinali dhe përkthimi).

Fotokopje e Formularit A 1 për regjistrimin në 2 provimet me zgjedhje (për studentët që nuk zotërojnë ende Çertifikatën e Maturës Shtetërore).

Fotokopje e Çertifikatës së gjuhës italiane lëshuar nga Universiteti i Perugia-s (Celi 3).

Fotokopje e pasaportës.

2 fotografi

Dokumentacioni duhet të dorëzohet në zarf, ku duhet të shënohen:

Emri dhe mbiemri i studentit

Universiteti, Fakulteti, Dega e studimit

Numri i telefonit (celular dhe telefon fiks)

Adresa e postës elektronike

KUJDES: studentët që nuk kanë mbushur moshën madhore duhet të jenë të shoqëruar nga të dy prindërit ditën e paraqitjes së dokumentacionit.

FAZA E DYTË: DËRGIMI I DOKUMENTACIONIT PËR KËRKESËN E VIZËS

Nga data 1 deri në datën 31 korrik, studentët që kanë bërë kërkesën për para-regjistrim, duhet t’i dorëzojnë Ambasadës Italiane, përmes Albanian Courier, Dëftesën e Pjekurisë ose Diplomën universitare të legalizuar (nëse nuk janë dorëzuar në fazën e parë) si dhe dokumentacionin e nevojshëm për lëshimin e vizës. Në fazën e dytë nuk do të jetë e nevojshme që studentët të paraqiten personalisht në Ambasadë: të interesuarit do të dorëzojnë në zarf dokumentacionin e nevojshëm përmes zyrës më të afërt të Albanian Courier.

Dokumentet që duhet të dorëzohen janë:

Formulari për kërkesën e vizës, tërësisht i plotësuar dhe firmosur, me një fotografi të bashkëngjitur.

Deklaratë mbi të dhënat personale, të plotësuar me datë e firmë;

Pasaportë e vlefshme mbi tre muaj pas skadencës së vizës së kërkuar; kopje e faqes së pasaportës me të dhënat personale; kopje te faqeve me viza të tjera Schengen;

Deklaratë për vendbanimin në Itali:

- në rast qëndrimi pranë një personi privat:

deklaratë strehimi për 365 ditë, fotokopje e dokumentit të identitetit me firmë (p.sh. nëse është shtetas i huaj: lejen e qëndrimit (permesso di soggiorno) ose faturat e rinovimit;

nëse është shtetas i BE-së, pasaportën ose kartën e identitetit);

- në rast qëndrimi pranë enteve apo institucioneve fetare:

deklaratë strehimi për 365 ditë dhe një fotokopje e dokumentit të identitetit me firmë të ftuesit:

- në rast qëndrimi në hotel: prenotim hoteli për qëndrim jo më të shkurtër se një muaj.

Sigurim shëndetësor për udhëtim i vlefshëm nga data 24.08.2011 deri më 31.01.2012, (në dy kopje):

Faturë bankare: deklaratë origjinale nga një bankë italiane në Shqipëri që të vërtetojë derdhjen e pakthyeshme në favor të vetë studentit, me vlerë 4.500 euro. Banka duhet të deklarojë transferimin e kësaj depozite në filialet e saj në Itali. Shuma e depozituar mund të zhbllokohet vetëm nëse Ambasada Italiane deklaron se:

të interesuarit i është refuzuar viza për studim/universitet;

i interesuari ka hequr dorë nga kërkesa për vizë.

Nëse studentët plotësojnë kërkesat e parashikuara nga normativa dhe në rast pranimi nga Universitet italiane, Ambasada Italiane do të lëshojë vizën për studim/universitet.

Pasaportat do t’u kthehen të interesuarve përmes korrierit postar Albanian Courier, bashkë me dokumentacionin origjinal që studentët duhet të paraqesin pranë Universitetit ne Itali. Për ridorëzimin e dokumenteve, studentët duhet t’i paguajnë korrierit një tarifë prej 198 lekësh nëse banojnë në Tiranë dhe 300 lekësh nëse banojnë në qytete të tjera.

Procesi i ridorëzimit të pasaportës dhe dokumentacionit të legalizuar do të kryhet brenda muajit gusht 2011 dhe vizat për studim/universitet do të jenë të vlefshme nga data 24 gusht deri më datën 31 janar 2012.

KUJDES: Këto informacione janë të vlefshme vetëm për juridiksionin e Zyrës Konsullore të Ambasadës Italiane në Tiranë, pra për banorët e qyteteve të mëposhtme: Tiranë, Durrës, Kavajë, Peqin, Elbasan, Gramsh, Librazhd, Bulqizë, Mat, Krujë, Kurbin, Pogradec, Korçë, Devoll dhe Kolonjë.

Studentët që nuk janë rezidentë në këto rrethe duhet t’i drejtohen Konsullatës së Përgjithshme Italiane në Vlorë ose Konsullatës Italiane në Shkodër.

Ambasada tha se teksti i plotë i udhëzimeve dhe lista e të gjithë degëve mund të konsultohen në adresën http://www.studiare-in-italia.it/studentistranieri.

e.t/NOA

KOMENTE
  • Seldi20:18 - 01 Dhjetor 2011
    Po ata qe duan te regjistrohen ne ciklin e dyte te studimeve,duhet ta mbrojne CELI 3 dhe a i nevojitet garancia bankare? Faleminderit