English

Thaçi: I vetmi destinacion për Kosovën është Bashkimi Europian

E martë, 24 maj 2011, NOA- Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ditën e sotme ka marrë pjesë në Takimin e gjashtë të Këshillit Ndërministror për Integrim Europian.

Në këtë takim është diskutuar rreth progresit të institucioneve të Kosovës në përmbushjen e kritereve politike, ekonomike dhe standardeve evropiane.

Gjatë fjalës së mbajtur me këtë rast Thaçi tha se, “Në bazë të raportit të progresit 2010, ministria e Integrimit Europian ka koordinuar përgatitjen e platformës reformuese për Kosovën Evropiane. Platforma evropiane u konsolidua në muajin mars me aprovimin e planit të veprimit për partneritet evropian 2011”.

Sipas tij, në fushën e liberalizimit të vizave, Qeveria në bashkëpunim të ngushtë me Komisionin Evropian, ka ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm me qëllim të përmbushjes së kritereve për marrjen e strategjisë për liberalizimin e vizave.

Më tej Kryeministri i Kosovës theksoi se, zbatimi i axhendës europiane ka vijuar gjatë këtij viti me anë të zbatimit të planit të veprimit për partneritetin evropian dhe zhvillimit të dialogut të procesit të stabilizim-asociimit.

Thaçi deklaroi se, “Më 1 korrik, do të mbahet takimi plenar i dialogut të stabilizim-asociimit, me ç’rast do të mbyllet raundi i takimeve sektoriale për vitin 2011. Kosova ka vetëm një destinacion, ai është Bashkimi Evropian. Perspektiva evropiane e Kosovës për anëtarësim në Bashkim Evropian, është konfirmuar në vazhdimësi në të gjitha nivelet”.

Ndër të tjera kreu i qeverisë së Kosovës tha se, Kosova mbetet i vetmi vend pa marrëdhënie kontraktuale me BE-në, por shprehu besimin se gjatë këtij viti edhe kjo do të realizohet.

Sipas tij, perspektiva europiane e Kosovës po fuqizohet çdo ditë e më tepër, pas vizitës gjatë javës së kaluar, ku në Kosovë ka qëndruar presidenti i Komisionit Europian, Manuel Barroso dhe Stefan Fule, duke theksuar se qëndrimet e tyre ishin mjaft të qarta dhe mbështetëse për perspektivën e sigurt dhe të qartë të Republikës së Kosovës.

Thaçi deklaroi se në ditët në vijim do të pritet edhe baronesha Ashton, që të diskutohet dhe fuqizohet rruga e sigurt europiane për Kosovën.

Në përfundim Kryeministri i Kosovës theksoi: “Natyrisht, si parakusht në këtë drejtim, paraqitet edhe normalizimi i raporteve tona ndër fqinjësore, gjë që është duke ecur në drejtim të duhur, kur kemi parasysh marrëdhëniet e shkëlqyeshme që ka Kosova me Maqedoninë, Shqipërinë dhe Malin e Zi, por në të ardhmen besojmë edhe në marrëdhëniet e mira ndërshtetërore mes Republikës së Kosovës dhe shtetit fqinj, Serbinë”.

a.y/NOA

KOMENTE