English

A (s)’ka sot krizë të ndërgjegjes intelektuale (Apeli i Kadaresë)?

Nga Prof. Dr. Fadil Maloku

1. Kadareja si zë i ndërgjegjes intelektuale

Ideja rreth këtij shkrimi më lindi kur këto ditë të gjitha të përditshmet shqiptare botuan një apel të shkrimtarit tonë I. Kadare, lidhur me mundësinë e tërheqjes së Z. Basha nga kandidimi për kryetar bashkie të Tiranës (“....me shpresë se ndoshta mund të ndihmojë në zgjidhjen e kolapsit të papritur në të cilin është gjendur jo vetëm shteti, por gjithë kombi shqiptar”) që më bëri të hamendem lidhur me gjitha ato diskurse që i kisha lexuar në të kaluarën për rolin që duhet të ketë intelektuali i kalibrit të një ndërgjegjeje, e fuqie autoritetit të pakontestueshëm, sidomos kur vlerëson se po rrezikohen interesat dhe mbi të gjitha të arriturat e kombit dhe vendit në përgjithësi.

Kadareja, në fakt për mendimin tim ishte një test i mirë për të verifikuar bindjen dhe mendimin se sa akoma është i (pa)fuqishëm roli i intelektualit si zë i ndërgjegjes, siç ishte bie fjala në të kaluarën tek popujt dhe vendet e ndryshme që gjendeshin në situata identike krize e kolapsi politik. Por, përgjigja e Bashës, më bëri edhe më skeptik e në fakt edhe tejet më zhgënjyes kur mora vesh se përgjigja e tij ishte negative në këtë apel qëllimmirë! Ajo çka unë nënkuptova si sociolog, e besojë edhe shumica e shqiptarëve kudo që janë nga përgjigja e Bashës, ka të bëjë me atë se: koha e “zërave ndërgjegjësues”, apo rolit të intelektualëve të liruar nga hipotekat e sistemeve, ideologjive, përkatësive fetare e politike në shoqëritë e tranzicionit përkundër misionit të tyre human e qëllimmirë, ngadalë por sigurt po pëson ndryshime (pra thënë më troç po zbehet!), si në formën e ndikimit ashtu edhe në përmbajtjen e pranimit nga ana e atyre që u dedikohet porosia apo apeli. Rast më të mirë për ta ilustruar këtë fenomen, se apeli i Kadaresë nuk kemi.

Në këtë kontekst, gjykojë që do të ishte mirë të analizojmë nga këndvështrimi sociologjik rolin e intelektualit në kohërat e vështira, apo si tha edhe vetë Kadareja, në “...kolapsin e papritur në të cilin është gjendur jo vetëm shteti, por edhe gjithë kombi shqiptar”. Ngaqë, duke e elaboruar gjenezën apo më mirë me thënë historinë sociale të modeleve të ndërgjegjes intelektuale në vende dhe shtete tjera, mund të kuptojmë edhe rolin e tyre që ata patën në situata krize e ndryshimesh shoqërore. Në fakt, kujtojë që do të arrijmë më mirë të kuptojmë dhe deshifrojmë apelin qëllimmirë të Kadaresë së bashku me se përse u refuzimin e kandidatit (tashmë të zgjedhur) për kryebashkiak të Tiranës Z. Bashës. Pra, duke u nisur nga një logjike shëndosh se të gjitha ndryshimet qoftë revolucionare apo strukturore, politike, ekonomike e sidomos sosh sociale në historitë e vendeve dhe shteteve, konsiderohen produkt i një mendje largpamëse që loz rolin e zërit ndërgjegjësues në ato shoqëri, si edhe duke u nisur nga logjika tjetër se asnjë shoqëri e civilizuar nuk mund t’i ikën këtij procesi apo “katarësisi” shoqëror, mendojë që do të ishte mirë po ashtu të analizojmë rolin e tërthortë apo të drejtpërdrejt të kësaj agjencie apo guide të pakontestueshëm në prodhimin e ngandonjëherë edhe në formatizimin e raporteve të reja shoqëroro-politike.

2. Cila është “pesha specifike” e intelektualit sot?

Pra, për fillim të shohim se si lindi "pesha specifike " të themi kushtimisht e këtij fanari të identifikuar si zë ndërgjegjes e herë herë i cilësuar edhe si profetik në proceset e lirisë, demokracisë dhe çlirimit të vendeve të ndryshme nga sistemet totalitare(rasti i Shqipërisë me regjimin e Enver Hoxhes) dhe regjimeve gjenodiciale (rasti i ynë me regjimin e Serbisë).

Në fakt, do të ishte mirë të kuptojmë, se cili ishte roli i këtij zëri (i intelektualit) ndërgjegjësues për peshën e rëndësinë e këtyre ndryshimeve që u bënë dhe me siguri do të vazhdojnë të bëhen edhe në të ardhmen në të gjitha shoqëritë totalitare e gjenodiciale. Pa dashtë të fiksojmë vende, shtete, e emra të përveçëm të këtyre njerëzve që fituan simpatitë e shumë shtresave shoqërore, por edhe vëmendjen e sociologëve dhe kompetentëve tjerë për të debatuar për rolin që ata lozën në vendet dhe kombet e tyre, si edhe rolin tyre në vendet në tranzicion, ne u referohemi të dhënave nga e kaluara e afërt.

Pra, me sa mund të hetohet roli dhe vendi i intelektualit në situata krize morale, politike, e sidomos sosh sociale gjithnjë ka prodhuar e kujtojë që do të prodhojë akoma edhe për një kohë debate të ashpra dhe interesante nga të gjitha shtresat shoqërore, qofshin ato në fazën e tranzicionit apo të paktën që janë nisur në vorbullën e këtij rrugëtimi të pakthyeshëm social.

Themi kështu, ngaqë për përkufizimin e rolit të ndërgjegjes intelektuale, në shoqëritë totalitare është shkruar e debatuar aq shumë, sa që thuhet se tash janë shterë gati të gjitha mundësit e debatit për këtë çështje.

Thuhet po ashtu se problemi i cilësimit dhe sidomos i rolit të kësaj shtrese apo pjese elitike në shoqërive totalitare deri diku edhe është definuar nga njohësit kompetent të diskurseve sociale, siç janë sociologët, filozofët, e edhe politikologët e ndryshëm dhe se nuk ka nevoje më të debatohet, derisa për rolin e tyre në shoqëritë e tranzicionit akoma debati mbetet aktual e kujtojë dosido edhe pak a shumë edhe interesant.

Themi interesant, për faktin se roli i këtij zëri të ndërgjegjes, si agjensë socializues në këto shoqëri të reja që janë duke përjetuar ethet e tranzicionit do të duhej logjikisht të përcillej edhe me disa “përvoja” të reja shtesë të identifikuara (padyshim) nga këto ambientet e reja sociale e sidomos sosh kulturore.

Një argument tjetër që kujtojë se është i rëndësishëm në këtë rrugëtim të “pajisjes” me petk të ri të ndikuar nga rrethanat e reja është edhe fakti i ambientit të ri social që këta njerëz me dhunti të posaçme dhe një cilësi të veçantë vëzhgimi, analizimi e vrojtimi e ngjarjeve, dukurive e fenomeneve shoqërore , duhet t’u japin përgjigje këtyre ndryshimeve vlerore sidomos në shoqëritë e reja të dala qoftë nga luftërat e ndodhura (pas rënies së murit të Berlinit ndodhën pesë luftëra në Ballkanin Perëndimor), qoftë nga ndërrimet paqësore (shpërbërja e ish BRSS-s).

3. A dallon roli i intelektualit të sotshëm nga ai i shoqërive totalitare?

Kujtojë që intelektuali i njëmendët, sikurse edhe në shoqëritë totalitare ashtu edhe në ato të tranzicionit, do të duhej të paktën ta ruaj edhe për një kohë këtë rol apo këtë dhunti specifike të udhërrëfyesit të ndërgjegjshëm për bashkëvendësit e vet. Sepse, vetëm duke e ushtruar këtë “profesion”, ai pa pardon dhe pa asnjë frikë do të duhej t’i emërojë ngjarjet, dukuritë, fenomenet e padyshim edhe sjelljet e ndryshme kërcënuese deviante që normohen në sistemet e reja vlerore të këtyre vendeve. Mirëpo, roli i të qenit udhëheqës i vizioneve dhe ideve të reja progresive në shoqëritë e apostrofuara nuk nënkupton që ky tip intelektuali në identifikimin e këtyre temave të veprojë me parametra selektiv, e aq më tepër me indiferencën, konformizmin dhe oportunizmin e tij të ndihmoj në rritjen e këtyre momenteve që shpesh rrezikojnë të kolapsojnë edhe me kërcënime serioze egzistenciale!

Pra intelektuali i vërtetë, ashtu sikurse edhe në të kaluarën, kujtojë që duhet të mbetet edhe për një kohë një lloj altoparlanti, gjykuesi dhe identifikuesi i pakontestueshëm i ngjarjeve, proceseve, dukurive dhe fenomeneve që ndodhin për rreth tij, pa marrë parasysh politikën, interesat klanore dhe ato partiake që mund ta kontestojnë vazhdimisht. Ngaqë, vetëm roli i tij “shkurorëzues” ndaj ndikimeve të apostrofuara pamundëson kooptimin në “projektet” dytësore që në të gjitha variantet prodhojnë mostër mesatare intelektuale.

Ajo çka më së paku nuk i lejohet një intelektuali të këtij kalibri është rënia e tij nën ndikimin e publikut, sepse roli i tij nuk duron konformizmin dhe koherencën me atë çka mendojnë njerëzit e rëndomtë, por çka ai mendon dhe si mendon. Në fakt, intelektuali i vërtetë do të duhej në parim të ishte ashpërsisht i butë, pra prokurorë i vetë vetës e avokat i interesave të komunitetit, ngaqë vetëm kështu ai mund ta fitojë një backgraund të tillë ndërgjegjësues në shoqëritë e tranzicionit.

Ndryshe, ai nëse bien nën ndikimin e burokracive qofshin ato politike (sidomos!?), pastaj atyre kulturore e sociale, e humb peshën e karizmës për të qenë dhe për t’u mbajtur si i tillë jo vetëm në publik, por çka është më me rëndësi në histori!

4. Kush është intelektual sipas Wright Millsit ?

Përgjigja mund të jetë edhe gjithkush por edhe askush! Të shohim njëherë se çka mendon një sociolog i njohur amerikan i quajtur Wright Mills, i cili në vlugun e luftës së dytë botërore patë shkrua mes tjerash se :”...intelektualit të njëmendët të ditëve të sotme, i ka mbetur vetëm një zgjidhje: të bashkëjetojë me ndjenjën e të qenit i margjinalizuar dhe i pafuqishëm për të ushtruar ndikimin e tij moral në shoqëri, apo t’i bashkëngjitet institucioneve shoqërore, duke u bë kështu agjent i industrisë informatike çka edhe nuk është ndonjë zgjidhje e duhur. ...Intelektuali, në realitet ka për detyrë gjithnjë të tregojë publikut të vërtetën për çfarëdo problemi madhor që ka shoqëria e tij...Paramendoni, thotë ai “...se sa e vështirë ka qenë për intelektualët amerikan që t’u shpjegojë qytetarëve të tyre se, shteti i tyre nuk është i pafajshëm në luftërat që është duke bë...apo se SHBA-në askush nuk e ka zgjedhur të bëhet polic botëror”

Shembulli i Wrigts-it, me së miri dëshmon se sa e vështirë është roli i intelektualit të vërtetë që adreson rrugëtime të reja, u pëlqyen apo jo prokurorëve politik e burokratik. Nga ky shembull kuptojmë se intelektuali i tillë, nuk qan fortë kokën se çka mendojnë të tjerët, apo u pëlqen apo jo çfarë ai në të vërtetë thotë, kur mendon se ka çfarë të thotë.

Po ashtu, intelektual i vërtetë nuk mund të shquhet ai i cili në mënyrë pasive mohon çdo gjë, por ai i cili në mënyrë aktive provon t’i plasojë të vërtetat e tij si domosdoshmëri dhe nevoja të kohës. Por, ky”prononcim” ta quaj kështu nuk nënkupton se ai tash duhet bëhet një lloj “kujdestari” permanent që vazhdimisht kritikon bie fjala qeverinë apo ndonjë institucion të caktuar, ngaqë kështu ai padyshim që do ta humbte efektin që në fakt mendon ta arrijë në publikun e gjerë, gjë që edhe i dedikohet porosia apo amaneti. Ai, nuk e ka synimin tek qeveritë apo tek institucionet që e qeverisin një vend, por tek ndërgjegjja e tij që atë e udhëheqë me vetëdije të plotë dhe me argumente të plotë (zakonisht ato janë të natyrës morale, e më pak ekonomike, politike, kulturore, etj.)

5. A kemi akoma sot intelektual të kampionit moral?

Është një thënie e njohur e Dahrendorfit i cili thotë’ “ai që merret me shkrime dhe botimin e tyre në publik, e ka shumë vështirët të jetojë dhe veprojë hapësirën e mbrojtur dhe të kufizuar personale “

Por, si mund të përkufizohet sot koncepti i një intelektuali në kuptimin e plotë të fjalës?

Në fakt, intelektual mund të shquhet ai i cili si të vetmin preokupim ka të qenit udhërrëfyes i diskursit të kohës së tij, duke u munduar kështu që të ndikojë sa më shumë me idetë, propozimet dhe adresimet e tij intelektuale të trasojë rrugën e lirisë dhe mendimit të pasuesve të vetë.

Duke ndjekur një përkufizim të tillë, pak a shumë rigoroz të kualifikimit mbi intelektualin e njëmendët, na del se të gjithë ata që vetën e tyre e shquajnë si intelektual, në realitet nuk janë të tillë...thënë më thjeshtë, nuk mund të konkurrojnë për këtë post apo më mirë me thënë për këtë dhunti që e posedojnë vetë disa njerëz. Gjithashtu, në këtë kategorizim të kësi sojit nuk mund të kualifikohen jo vetëm ata që vetës ia mbathin se në një mënyrë janë artikuluesit e inxhinieringut shoqëror, bile as shumica e profesorëve universitar (ani pse ata merren me debate publike dhe me shkrime analitike).

Andaj, shtrohet pyetja, nga cili brumë apo cilit burim vijnë këta njerëz të pajisur me dhuntinë e të qenit intelektual? Duket, që ky profil i intelektualit të “aranzhuar”(një termë i Dahrendorfit?) në cilësinë e “movers and shakers”, është dedikuar të prodhohet si tillë dhe ekskluzivisht, vetëm atëherë kur ndodhin ngjarje dhe ndryshime radikale shoqërore në një vend të caktuar. Pra, ndryshimet rrënjësore, janë poligoni i tyre më i mirë për t’u identifikuar në sytë e masave të gjëra popullore. Ngase, fjalët dhe bindjet e tyre kanë shansin e shndërrimit në vepra dhe forcë mobilizuese për të tjerët. Dikush mund të thotë se , vetëm rrethanat e jashtëzakonshme shoqëroro – politike prodhojnë kalibrin e intelektualit të njëmendët...

6. Intelektuali dhe “vetmia” e tyre sociale

Është e vërtetë, se ky tip i intelektualit të pakontestueshëm nga “vetmia” e tij sociale katapultohet vetëm me ndryshimet rrënjësore stratifikuese të tabanit ideologjik e sidomos atij kulturor në shoqëri, gjersa rreziku që ai të shndërrohet apologjetë i ngurtë të vizionit, idesë apo ndonjë adresimi politik në mënyrë automatike e largon nga të qenit në majën e apostrofuarit të ngjarjes madhore dhe kisha me thënë dosido edhe historike, siç ka ngjarë në shumë shoqëri dhe shumë vende. Historia ka plotë raste, kur këto koka të mëdha i janë bashkangjitur gabimisht (por edhe me vetëdije) jo vetëm fashizmit, por edhe komunizmit dhe ideologjive tjera autoritare. Kur analizohen prej kësaj distance kohore kuptojmë se ky tip intelektualëve kishte motivet dhe arsyet e bashkëngjitjes së tyre në këto ideologji. Shpjegimi më i afërt për mendimin tonë ka të bëjë me faktin se ata lirinë për qytetarët e tyre e projektonin ekskluzivisht përmes dioptrisë së ideologjisë qoftë asaj nacionalshoviniste apo komuniste, totalitare, etj.

Në anën tjetër kemi tipin tjetër të intelektualëve që po e gjurmojmë ne që asnjëherë me asnjë çmim nuk iu nënshtruan euforisë së rendit dhe çfarëdo qoftë sistemi politikë e sidomos ideologjie, siç ishin bie fjala: Karl Popperi, Raymond Aroni e sidomos Isaiah Berlini.

Tashti, nëse i adresohemi kohës sonë, pra shoqërive në tranzicion që për çdo ditë ballafaqohen me kriza sociale (Kosova) , ekonomike (Serbia) , politike (Maqedonia) e besa edhe kulturore e akoma edhe ideologjike (në disa vende të ish BRSS-s) dhe kërkojmë të identifikojmë këtë tip apo soj të intelektualit i cili me autoritetin e tij të pa kontestueshëm udhëheqë shoqërinë dhe vendin në drejtim të një shtegdalje, hetojmë se është shumë vështirë të ia gjejmë “adresën” e duhur dhe personin e duhur që “banon” aktualisht në këso adrese! Në rastin e Shqipërisë, me faktin e refuzimit të apelit të Kadaresë u pa se ai rol është në zbehje dhe zhbërje e sipër!

Arsyet, mendojë janë të shumta, por unë po përmendi vetëm një që në fakt është edhe paradoks i llojit të vetë e kujtojë edhe unikat kur zakonisht bëjmë një analizë më të thellë të këtij fenomeni. Unikat e paradoksal është se krizat (ekonomike, sociale, politike e kulturore së bashku me ato ideologjike) në pothuajse të gjitha vendet e tranzicionit akoma i “shkakton” dhe i prodhon shteti, gjersa intelektualët (si apeli i Kadaresë, Qosjes, psh.) me gjithë forcën në dispozicion bënë përpjekje për t’i shuar e amortizuar!

Shteti, siç po vërehet edhe në rastin e krizës në Shqipëri është adresa e vetme që prodhon dhe shuan krizat e shfaqura në rrugëtimin e procesit të tranzicionit, në vend që të ndodhë e kundërta, pra intelektuali!

Do thënë, se sidomos shoqëritë në tranzicion po vuajnë edhe më tej nga sindromi i mungesës së këtij zëri ndërgjegjes, i cili me autoritetin dhe karizmin e tij e të mos qenit (sidomos) konformist dhe oportunist ndajë situatave kërcënuese në rrafshin kombëtar do të mund të ndikonte shumë në konsolidimin e demokracive të reja e sidomos vendeve që janë duke kaluar nëpër ethet e tranzicionit .

Si pasojë i kësaj mungese, këto shoqëri së bashku me elitat e tyre kulturore, (prej nga supozohet të bëhet filtrimi dhe rekrutimi i tyre) do të pësojnë jo vetëm në rrafshin social por pa padyshim edhe në atë ekonomik e në veçanti atë politikë, siç është rasti i “....kolapsit të papritur në të cilin është gjendur jo vetëm shteti, por gjithë kombi shqiptar”) Kadareja dështoi me apelin e tij, por dilema mbeti tek faji, ishte Kadareja apo politika shqiptare me hujet e veta, fajtore?

* Autori është sociolog, Qëndrimet e shprehura nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht vijën editoriale të NOA

KOMENTE