Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Kanalizimi pa Qytet
English

Kanalizimi pa Qytet

Albin Kurti

Në ligjëratën e tij të mbajtur në Bordeaux me 20 prill të vitit 1967, psikanalisti francez Jacques Lacan, përveç tjerash, tërheq vëmendjen për një dallim të madh ndërmjet njeriut dhe kafshës në kontekstin e natyrës pa dashur të – siç thotë ai – pluskojë në antropologjinë kulturore.

Ndryshe prej të gjitha niveleve të mbretërisë së kafshëve, që nisin me elefantët e hipopotamët dhe përfundojnë me meduzat, njeriu natyrshëm karakterizohet nga një turp i jashtëzakonshëm që ndjen për evakuimin e jashtëqitjes.

Njeriu është kafsha e vetme për të cilin kjo gjë paraqet një problem. Sigurisht që sot nuk preokupohemi fare me këtë dhe madje as që e vërejmë si problem. Janë gjithë ato pajisje të vogla e të lidhura mirë që e evakuojnë jashtëqitjen në një sistem të padukshëm të gypave. Rrjeti i gjerë i kanalizimit sajon një botë të nëndheshme që e shpëton nga turpi njerëzimin mbi dhe. Atë që e ndrydhim shpirtërisht për shkak të ndërgjegjes sonë e mishërojmë fizikisht si diçka që nuk duam ta shohim. Dëshira për të mos përjetuar reifikohet në dëshirën për të mos parë.

Lacan shkon më tutje. Përderisa menaxhimin e mbeturinave dhe kanalizimin e jashtëqitjeve nuk e marrim si pikënisje të qytetërimit, nuk do të jemi në gjendje të themi diçka serioze. Shëndeti, mjedisi dhe estetika tashmë janë me neve. Kur mbërrijmë te ekuacioni qytetërimet e mëdha = gypat dhe kanalizimet, nuk ka përjashtime. Babilonia kishte kanalizim; Roma po ashtu. Kështu ka nisur Qyteti, me Cloaca maxima. Qyteti ka qenë i destinuar për ta sunduar botën dhe duhet të jemi krenarë me këtë.

Arsyeja pse nuk jemi krenarë gjendet te analogjia e përbindshme që ekziston midis kanalizimit dhe kulturës. Kultura nuk është më një privilegj. E gjithë bota është e mbuluar me të. Kultura koagulon në ne. Mirëpo, për shkak se jemi të mbërthyer në guaskën gjigante të mbetjeve që vijnë nga i njëjti vend, ne bëjmë veçse përpjekje të vagullta që t’i japim formë, thotë Lacan. Dhe, ku përmbarohet e gjithë kjo? Te idetë e mëdha, siç thuhet. Historia, për shembull. Hegeli. E kështu me radhë…

Këto lexime po më faniteshin teksa shikoja pellgjet me ujëra të zeza nëpër rrugët e Prishtinës pas shiut të pasdites. Jashtëqitja po i kthehej qytetit në sipërfaqe. Për jashtëqitjen jemi të sigurt, por nëse bëhet fjalë për Qytet, këtë tashmë s’mund ta themi. Me këso kanalizimi nuk kemi Qytet dhe nuk jemi të qytetëruar. Kjo nuk do të thotë që Prishtina është ende fshat. Largmendësh. Ne e kemi humbur fshatin dhe ajo që kemi fituar nuk është Qyteti. E kemi humbur fshatin dhe tash s’po arrijmë ta fitojmë Qytetin. Mbase mund të thuhet edhe ndryshe: po e humbim Qytetin në një mënyrë që s’na lejon ta rifitojmë as fshatin.

Fjala ‘planifikim’ seç ka njëfarë konotacioni komunist sipas përshtypjes së shumë politikanëve dhe analistëve edhe më të shumtë të tyre. Andaj, gjithçka ia kemi nënshtruar iniciativave të panumërta individuale për të përfunduar kështu me jashtëqitjen që na rikthehet. Me gjithë këto (mbi)ndërtime që kyçen në sistemin e njëjtë e të fundëm të kanalizimit nuk mund të kishim fat tjetër.

S’është puna që Prishtina s’ka kanalizim. Prishtina njëmend ka kanalizim. Por ajo s’arrin të ndahet qartë nga ai. Bota e Qytetit dhe Bota e Nëndheshme e kanalizimit të Qytetit janë të ndara vetëm në mënyrë relative. Sepse diferencimi i këtyre dy botërave thuajse është i shoqëruar me mallkimin për pamundësinë e izolimit të tyre prej njëra-tjetrës. Kanalizimi i Prishtinës nuk është gyp mënjanues por enë komunikuese. Pra, qyteti ynë ka kanalizim. Është kanalizimi ai që s’e ka Qytetin.

Përmbytja me ujëra të zeza tregon se ajo që është ndrydhur te ne as nuk sublimohet në shprehje të pranueshme shoqërisht dhe as nuk shpërfaqet në trajta simptomash indikative. Sepse, ajo që është ndrydhur nuk tjetërsohet aspak por kthehet në formën e saj të vjetër e të kulluar.

Ka diçka thellësisht të papërfunduar në këtë vendin tonë…

*Shkrim i Albin Kurtit

KOMENTE