English

Qeveria shpërblen ish- të dënuarit politikë, vendimi dhe kategoritë

Tiranë, 25 maj 2011, NOA- Gjatë mbledhjes së sotme të qeverisë u mor një vendim për miratimin e dëmshpërblimit financiar për të dënuarit politik të regjimit komunist.

“Masa e dëmshpërblimit për ish - të dënuarit politikë dhe familjarët e të dënuarve me dënim kapital të bëhet me këste, sipas kritereve e kufijve të përcaktuar në nenin 12, të ligjit nr. 9831, datë 12.11.2007, “Për dëmshpërblimin e ish - të dënuarve politikë të regjimit komunist”, të ndryshuar”, thuhet në vendim.

Në të jepen edhe kategoritë dhe mënyra se si do të kryhet ky shpërblim.

Vendimi i marrë gjatë mbledhjes së qeverisë për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë:

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 9 e 10, të ligjit nr.9831, datë 12.11.2007, “Për dëmshpërblimin e ish - të dënuarve politikë të regjimit komunist”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Miratimin e dëmshpërblimit financiar për ish - të dënuarit politikë dhe për familjarët e të dënuarve me dënim kapital, sipas listës të përfshirë në anekset “A”, “B” dhe “C” , bashkëlidhur këtij vendimi.

2. Masa e dëmshpërblimit për ish - të dënuarit politikë dhe familjarët e të dënuarve me dënim kapital të bëhet me këste, sipas kritereve e kufijve të përcaktuar në nenin 12, të ligjit nr. 9831, datë 12.11.2007, “Për dëmshpërblimin e ish - të dënuarve politikë të regjimit komunist”, të ndryshuar.

3. Shuma e llogaritur, transferohet në një llogari speciale në Bankën e Shqipërisë. Pagesa e dëmshpërblimit për secilin përfitues bëhet nga Ministria e Financave, në llogaritë personale të këtyre përfituesve, të hapura në bankat e nivelit të dytë, të përzgjedhura sipas nenit 33, të ligjit nr. 9831, datë 12.11.2007, “Për dëmshpërblimin e ish - të dënuarve politikë të regjimit komunist”, të ndryshuar. 4. Ngarkohen ministri i Drejtësisë dhe ministri i Financave për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

a.y/NOA

KOMENTE