English

Boris Tadiç: U arrestua Ratko Mlladiç

Beograd, 26 maj 2011, NOA – Pak orë para mbërritjes në Beograd të kryediplomates së BE-së boroneshës Catherinë Ashton në Serbi, Presidenti i Serbisë Boris Tadiç deklaroi sot se është arrestuar krimineli i luftës Ratko Mlladiç.

Tadiç konfirmoi në një konferencë për shtyp se arrestimi i Mlladiç përmbyll kërkimin e këtij krimineli lufte dhe tregon për bashkëpunimin e qeverisë serbe me Tribunalin e Hagës për ndëshkimin e kriminelëve të luftës në ish-federatën jugosllave.

“Me arrestimin e Mlladiç mbyllet një etapë e errët në historinë e krimeve të luftës që tregon përkushtimin e qeverisë sonë për të bashkëpunuar me Tribunalin e Hagës për ndëshkimin e të gjitha krimeve të luftës të kryera në ish-Jugosllavi”, pohoi Presidenti serb.

Ai vërejti rishtas se sot kemi përmbyllur një periudhë të vështirë të historisë sonë të fundit, dhe i kemi hequr fytyrën e zezë Serbisë. Ky aksion tregoi se institucionet e sigurisë të Serbisë janë të koordinuara mirë, dhe kanë ndikuar që të ketë ligj në vend”.

Tadiç nënvizoi se me këtë arrestim tregohet puna e qeverisë serbe dhe e forcave të sigurisë serbe për të kapur kriminelët e luftës, një nga kërkesat e BE-së për marrjen e statusit të vendit nga Serbia.

“Ky është një hap për qeverinë tonë dhe hap një faqe e re në perspektivën euriopiane të Serbisë”, tha Tadiç duke falenderuar SHBA-të, BE-në dhe Agjencinë informative të sigurisë në Serbi që ndikuan në këtë operacion sekret për kapjen e kriminelit të luftës Ratko Mlladiç, që fshihej në Serbi me emër të rremë.

Kjo agjenci informative tha presidenti serb, ka ndikuar që shumë të dyshuar për krime lufte dhe krime të tjera të ndëshkohen.

Presidenti serb nuk zbuloi detaje të arrestimit të kriminelit serb, duke thënë se “Ne morëm konfirmimin e Tribunalit të Hagës dhe të gjithë kemi rënë dakort të bashkëpunojmë. Sot kanë rënë të gjitha hamendësimet se Serbia i ka të mbyllura dyert e BE-së”, nënvizoi Tadiç.

Ai bëri me dije se kur të përfundojë gjithë hetimi e të kryhen analizat e ADN-së do të vijohet me kërkime dhe hetime të tjera që lidhen me fshehjen e Mlladiç në Serbi prej vitesh.

Tadiç deklaroi se ai do të bëjë çmos që Serbia të jetë një shtet i qetë dhe i sigurt, duke deklaruar se policia serbe do të kapë edhe kriminelin tjetër të kërkuar nga Haga, Goran Haxhiç.

“Askush të mos ketë dyshime se Goran Haxhiç do të jetë i arrestuari i ardhshëm nëse ai gjendet në territorin e Serbisë. Jam i gatshëm ta bëj edhe këtë”, tha presidenti i Serbisë.

Ratko Mlladiç dyshohet se u arrestua sot gjatë një operacioni sekret ku ra në pranga personi me emrin Milorad Komadiç, që dyshohet se është emri i rremë nën të cilin fshihet Ratko Mlladiç.

Lajmi për kapjen e kriminelit të luftës Ratko Mlladiç u bë publik nga radio serbe B92, dhe më pas doli si lajm kryesor në shumë nga mediat e huaja.

Pas kapjes së kriminelit të luftës ish-udhëheqësit të ushtrisë serbe, Ratko Mlladiç, i cili akuzohet për vrasjen e mbi 7000 burrave boshnjakë në vitin 1995, Goran Haxhiç mbetet i dyshuari tjetër i Hagës për genocid e krime lufte në Jugosllavi.

mit/NOA

KOMENTE