English

Masakra e Shijakut, kapet autori: Gabova shënjestër, doja të vrisja 2 të tjerë

Shijak, 26 maj 2011 NOA – Për ngjarjen e mbrëmshme që tronditi qytetin e Shijakut, sot në mëngjes herët është arrestuar një i ri që shihet nga policia si autor i vrasjes së dyfishtë.

Emiliano Tema, 25 vjeçar nga Shijaku, është arrestuar nga policia e Durrësit, si i dyshuar i vetëm i masakrës që i mori jetën mbrëmë Marinlen Abdullait, 35 vjeç dhe Blerim Kërtallit 37 vjeç, që të dy nga Shijaku.

I dyshuari Tema ka pranuar se kishte kryer këtë vrasje të dyfishtë, por tha se ishte gabuar në shënjestrën e tij.

Në të vërtetë sipas të dyshuarit dhe pretendimeve të tij në policinë e drejtorisë rajonale të Durrësit, Tema kishte dashur të vriste dy persona të tjerë të cilët sipas tij udhëton in edhe ata me fuoristradë të ngjashme me atë ku gjendeshin katër të rinjtë ndaj të cilëve ai hapi zjarr.

Tema ka deklaruar për policinë se ishte konfliktuar më herët me dy djem, I.K. dhe S.T dhe i kishte ndjekur për t’i vrarë por kishte ngatëruarr objektivin.

Në ngjarjen e ndodhur tek vendi i quajtur Sallmone në zonën e njohur si Katër rrugët e Shijakut, mbetën të plagosur edhe Altin Avdyli, 34 vjeç dhe Altin Brahimaj, 27 vjeç, edhe këta banues në Shijak. Në lidhje me ngjarjen e rëndë të ndodhur orët e vona të natës në vendin e quajtur Katër Rrugët e Shijak, ku mbetën të vrarë dy djemtë dhe u plagosën dy të tjerë, burime zyrtare nga policia e Durrësit i thanë sot agjencisë NOA se “brenda pak orëve nga koha e ndodhjes së ngjarjes, nëpërmjet impenjimit maksimal të strukturave të ndryshme që operojnë në Policinë e Qarkut Durrës, duke bashkëpunuar edhe me Prokurorinë e Rrethit, u arrit të identifikohet autori i dyshuar i ngjarjes, të bëhet e mundur kapja e më pas arrestimi i tij, të sekuestrohet arma e përdorur si dhe të kryhet dokumentimi i plotë i rastit në fjalë”. Në bazë të të dhënave dhe provave të grumbulluara rezulton se autor i dyshuar i ngjarjes është Emiljano Tema, 25 vjeç, banues ne vendin e quajtur Katër Rrugët në Shijak, i dënuar 3 here me pare për vepra te ndryshme penale. Personi në fjalë, ka qenë mbrëmë në orën 21.00 në vendin e quajtur Rotondo Katër Rrugët në Shijak, kur i ka dalë përpara automjetit fuoristradë tip Benz ML me targa AA 542 KX, ngjyre gri metalizato.

Tema ka qëlluar me breshëri automatiku ne drejtim te këtij mjeti me te cilin udhëtonin Blerim Kertalli, 37 vjeç, Mariglen Avdullai, rreth 35 vjeç, Altin Avdyli, 34 vjeç dhe Altin Brahimaj, 27 vjeç, që të katër banues në Shijak. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Shijak të mbërritura menjëherë pas ngjarjes në vend si dhe banorë të zonës kanë bërë transportimin drejt Spitalit Rajonal të Durrësit të të dëmtuarve. Për shkak të plagëve të marra, megjithë ndihmën mjekësore të dhënë, Blerim Kërtalli dhe Mariglen Avdullai kane humbur jetën, ndërsa dy djemtë e tjerë ndodhen nën trajtim mjekësor jashtë rrezikut për jetën. Burime spitalore i thanë agjencisë NOA se nga dy të të mbijetuarit e masakrës, njëri prej tyre, Altin Brahimaj nuk ka dëmtime me armë zjarri, por ka dëmtime të shkaktuara si rezultat i përplasjes së mjetit. Në cilësinë e provës materiale 25 vjeçarit Emiliano Tema iu gjet e sekuestrua arma e krimit, automatik model 56 me dy krehra, njeri prej te cilëve me 30 fishekë. Nga të dhënat hetimore të grumbulluara nga Seksioni Kunder Krimeve ndaj Jetës dhe Shendetit dhe strukturat e Komisariatit Policise Shijak, rezultoi se autori ka ngaterruar objekt, pasi ai ka synuar te qëllonte mbi shtetasit I.K. dhe S.T., me te cilët ishte konfliktuar disa minuta me pare per motive te dobëta.

Këta shtetas posedonin dhe lëviznin me një automjet me karakteristika te ngjashme me atë mbi të cilin është qëlluar. Policia tha zyrtarisht se u kryen te gjitha veprimet hetimore e proçeduriale dhe materialet për veprën penale të vrasjes në rrethana të tjera cilësuese iu kaluan për ndjekje Prokurorisë së Rrethit Durrës.

a.a/e.t/NOA

KOMENTE