Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Jahjaga në samitin e Varshavës: Kosova e pavarur faktor paqeje në rajon
English

Jahjaga në samitin e Varshavës: Kosova e pavarur faktor paqeje në rajon

Varshavë, 28 maj 2011 – “Republika e Kosovës po e përmbyll procesin e shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, i cili fatkeqësisht nuk ishte një proces i lehtë, por një proces që la pasoja për të gjithë popujt e këtij rajoni”, deklaroi Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga në fjalën e saj para udhëheqësve të Shteteve në Samitin e Varshavës.

Presidentja e Republikës së Kosovës u takua me Presidentin Amerikan Barack Obama dhe gjatë darkës së përbashkët të liderëve pjesëmarrës në Samitin e Varshavës, e udhëhequr nga shefi i Shtëpisë së Bardhë, zonja Jahjaga theksoi se “Kosova më 10 qershor të vitit 1999 u vu nën administrimin ndërkombëtar. Ndërtimi i institucioneve të vendit, qeverisja e mirë, shkalla e lartë e demokratizimit, marrëdhëniet e mira ndërnacionale, bashkëjetesa fetare krijuan kushtet që Kosova të shpallë pavarësinë e saj më 17 Shkurt 2008”.

Sipas Jahjagës pavarësia e Kosovës është pranuar nga 75 vende të botës, duke e bërë kështu shtetin e ri një realitet të pakthyeshëm, dhe faktor paqeje e stabiliteti.

“Roli i SHBA-së në Ballkan ka qenë në mënyrë të vazhdueshme jetik për stabilitetin dhe paqen në rajon dhe për demokratizimin e shtetndërtimin e secilit shtet. Kosova si vendi më i ri në Evropë është duke ndërtuar shoqëri humane të bazuar në barazi, rend dhe ligj. Në këtë rrugë përkrahja e SHBA-së është me rëndësi vitale”, nënvizoi shefja e shtetit të Kosovës.

Ajo vërejti më tej se që prej përfundimit të luftës në Kosovë janë zhvilluar disa herë zgjedhjet lokale dhe ato qendrore, të cilat nga vëzhguesit ndërkombëtarë dhe ata vendorë janë cilësuar si të drejta dhe me standarde ndërkombëtare.

“Republika e Kosovës me Kushtetutë dhe me ligjet e saj i ka të garantuara vendet për pakicat kombëtare në Kuvendin e Kosovës dhe në Qeverinë e vendit dhe kjo normë çdo herë është përmbushur. Me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian kemi nisur procesin e dialogut me Republikën e Serbisë, për çështjet praktike që lehtësojnë jetën e qytetarëve dhe normalizojnë marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve”, tha Presidentja e Kosovës.

Ajo deklaroi se është në interesin e të gjithëve që dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit të ketë sukses, duke ofruar zgjidhje evropiane.

Ajo i bëri thirrje vendeve që ende s’e kanë njohur Kosovën që ta njohin atë në shërbim të arritjes së stabilitetit.

“Dëshiroj këtu të them se vendet që ende nuk e kanë njohur Kosovën duhet këtë ta bëjnë, sepse kjo do të ishte në harmoni me vullnetin e shprehur lirshëm të të gjithë qytetarëve të vendit tim dhe do t’i shërbente stabilitetit të rajonit. Vendi im gjeografikisht gjendet në rrugët dhe korridoret më të rëndësishme nga lindja në perëndim. Republika e Kosovës shpreh dëshirën për bashkëpunim të mirë me të gjitha vendet, duke respektuar barazinë, dinjitetin dhe vullnetin e të gjitha kombeve”, tha Jahjaga.

Sipas saj e ardhmja e Kosovës dhe e gjithë rajonit të Ballkanit është anëtarësimi në Bashkimin Evropian si e vetmja alternativë.

Në vijim presidentja Jahjaga foli edhe për lëvizjet popullore në vendet arabe dhe vendet e Lindjes së Mesme.

Sipas saj vendet Arabe dhe vendet e Lindjes së Mesme, janë përfshirë në lëvizjet e mëdha popullore që synojnë të bëjnë ndryshime duke shfrytëzuar mundësitë e teknologjisë moderne dhe të globalizimit.

“Sistemi politik i këtyre vendeve është një gërshetim i tradicionalizmit, i absolutizmit dhe i teokracisë. Gjenerata e re në këto vende ndjek nga afër zhvillimet teknologjike dhe është e vetëdijshme për trendet bashkëkohore. Kjo ka krijuar mospërputhje ndërmjet asaj që shohin dhe asaj që përjetojnë. E ardhmja është përpara, ata duan që ta zënë të ardhmen e tyre dhe ne shpresojmë se kjo mund të arrihet me sa më pak tronditje dhe dhunë”, vlerësoi Presidentja e Kosovës.

Ajo kujtoi se përvojat e Republikës së Kosovës dhe të popullit të saj mund të shërbejnë që kjo rrugë të kapërcehet më lehtë.

“Kosova është mbi nëntëdhjetë për qind myslimane dhe ka shekuj që është e tillë. Megjithëkëtë, islamizmi në vendin tim është çështje private dhe nuk është i ngritur në nivel të ideologjisë. As nuk është i imponuar në nivel të rregullimit të shtetit ose të marrëdhënieve ndërmjet shtetit dhe të njerëzve. Derisa sheriati nuk ishte asnjëherë normë zakonore në Kosovë ne kishim kanunin tonë tradicional. Ai ka ekzistuar shumë kohë përpara se sa Kushtetuta e sotme, por që të dytë reflektojnë respektin për dinjitetin njerëzor”, tha udhëheqësja e Kosovës.

Ajo foli edhe si femër dhe si Presidente e Republikës së Kosovës, duke nënvizuar se zgjedhja e saj është dëshmi e barazisë gjinore që ekziston në Kosovë.

“Dhe kam mbështetjen nga i gjithë spektri politik dhe nga të gjithë qytetarët pa marrë parasysh përkatësinë kombëtare, fetare, racore a dallime të tjera”, tha Jahjaga.

Sipas saj, bota demokratike, asnjëherë nuk duhet të mbyllë sytë ndaj injorancës, ndaj shtypjes, ndaj mohimit të drejtave dhe lirive të njeriut në pjesën tjetër të botës, pasi siç tha Jahjaga, solidariteti dhe detyra për të ndihmuar janë obligim për të gjithë.

mit/NOA

KOMENTE