English

PS: Mirëpresim opinionin e Komisionit të Venecias

Tiranë, 30 maj 2011, NOA – Ndërkohë që Kolegji Zgjedhor pritet të vendosë të premten për rezultatin e zgjedhjeve në bashkinë e Tiranës, selia rozë e ka mirëpritur propozimin e Kryetarit të delegacionit të Parlamentit Europian për Europën Juglindore, Eduard Kukan, që Komisioni i Venecias të asistojë me një mendim profesional Kolegjin në shqyrtimin e ankesës për rezultatin e Tiranës.

Deputeti socialist Blendi Klosi deklaroi në një konferencë për shtyp se Partia Socialiste i falenderon miqtë e partnerët ndërkombëtarë për përpjekjet e tyre për të shpëtuar zgjedhjet administrative të 8 majit.

“Ne mirëpresim propozimin për përfshirjen e Komisionit të Venecias në këtë përpjekje për të shpëtuar zgjedhjet e 8 majit e për të dhënë opinionin e kualifikuar dhe të pakorruptuar”, tha deputeti socialist.

Klosi akuzoi rishtas Kryeministrin Berisha dhe Kryetarin e KQZ-së Arben Ristani se kanë kryer një masakër elektorale me votat e qytetarëve të Tiranës.

Ai paraqiti fakte të tjera që tregojnë sipas tij manipulimet që janë bërë në numërimin e votave në Tiranë, apo edhe ato për mospërputhje të numrit të votave me atë të zgjedhësve, një fakt ky i deklaruar edhe nga kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi, i cili bëri me dije se në 117 qendra votimi që u shqyrtuan në KQZ u gjetën 357 fletë votimi më shumë se numri i zgjedhësve në këto qendra.

Pak ditë më parë eurodeputeti Eduard Kukan apeloi që Kolegji Zgjedhor të jetë i paanshëm, transparent dhe i pavarur në vendimmarrjen për zgjedhjet në Tiranë dhe të udhëhiqet vetëm nga ligji.

Për këtë Kukan sugjeroi që ekspertët ligjorë të Kolegjit Zgjedhor në mungesë të një kornize të plotë ligjore mund t’i drejtohen institucioneve ndërkombëtare, më saktë Komisionit të Venecias, që sipas tij do të jepte një opinion profesionist.

Por, kërkesa për të marrë opinion nga Komisioni i Venecias kërkon kohë, e nuk mund të realizohet në kaq pak ditë, ndërkohë që vendimi i Kolegjit për betejën për Tiranën pritet të jepet këtë të premte, në 3 qershor.

mit/NOA

KOMENTE