English

Basha: E drejta në anën time, kanibalizëm është përjashtimi i votave

Tiranë, 31 maj 2011, NOA- (Update) Në vijim të fjalës së tij, kandidati i maxhorancës Lulzim Basha, falenderoi sërish qytetarët e Tiranës për pjesëmarrjen masive në zgjedhjet e 8 majit.

“Të gjithë po presim për rezultatin final të garës për Bashkinë e Tiranës, dhe ndonëse aktualisht unë kryesoj me 77 vota, unë jam i vendosur të pres me durim derisa procesi të përfundojë në mënyrë transparente, të drejtë dhe korrekte, siç ka ndodhur deri më tani.

Çdo votë është parë dhe numëruar në sytë e të gjithëve, në televizion. Dhe sërish, kundërshtari im dëshiron që ju të mendoni se ka manipulime. Ndërsa thotë kështu, nuk paraqet asnjë provë dhe asnjë fakt. Madje, asnjë komisioner i partisë së tij, direkt i përfshirë në proces, nuk ka ngritur asnjë pretendim ligjor”, deklaroi Basha.

Sipas tij, është e rëndësishme të thuhet se në shqyrtimin që po i bëhet tani votave të kontestuara në KQZ, proces që Rama e quajti kanibalizëm, Basha tha se ai ka marrë 4 vota më shumë se sa kandidati i djathtë.

Në kundërpërgjigje të Ramës ai shtoi se, nuk është kanibalizëm të përfshish votat në këtë proces transparent, pavarësisht se për kë janë hedhur ato, por është kanibalizëm të përjashtosh votat nga procesi, duke shtuar se të gjithë janë dëshmitarë që asnjë manipulim nuk ka ndodhur dhe deklaratat e kundërta me këtë fakt, janë veçse qesharake.

“Unë mendoj se e drejta është në anën time, nuk jam unë ai që vendos për këtë, por janë në fakt institucionet kushtetuese bashkërisht të pranuara. Rivali im nga ana tjetër, nuk dëshiron të pohojë se është kundër dëgjimit të zërit të çdo qytetari, kështu që në vend të këtij pohimi ka lançuar një fushatë për të përbaltur procesin dhe për të ushtruar presion dhe bërë kërcënime ndaj institucioneve kushtetuese”, u shpreh kandidati i maxhorancës.

Basha theksoi edhe njëherë se çdo votë duhet numëruar dhe zëri i çdo qytetari duhet dëgjuar.

Sakaq ai tha se, është tërësisht e papranueshme për çdo kandidat, parti apo individ që të kërcënojë ose të përpiqet të ushtrojë presion ndaj Kolegjit Zgjedhor për të marrë vendimin e tyre bazuar ne çdo lloj konsiderate tjetër, përveç ligjit, duke shprehur bindjen se demokracia funksionon më lehtë kur rezultati është i thellë, por demokracia e provon fuqinë dhe qëndrueshmërinë e saj kur rezultati është i ngushtë vetëm nëpërmjet respektimit të verdiktit të çdo zgjedhësi, veprimit vetëm brenda institucioneve dhe zbatimit të ligjit.

Në përfundim Basha u shpreh: “Unë kam besim se ne mund të provojmë para botës mbarë se Demokracia jonë është e qëndrueshme, se ajo nuk funksionon mirë vetëm kur rezultati është i thellë, por veçanërisht kur kemi një rezultat të ngushtë”.

a.y/NOA

KOMENTE