English

Thaçi: Kosovën e pret demokracia përfaqësuese, reformat filluan

Prishtinë, 31 maj 2011, NOA- Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi gjatë ditës së sotme u takua me Howard Dean, ish- guvernator dhe drejtor në Bordin e Institutit Nacional Demokratik të SHBA.

Gjatë bisedës mes tyre Kryeministri Thaçi e falënderoi zotin Dean për kontributin e Shteteve të Bashkuara, nga ana e demokratëve dhe republikanëve pa dallim, për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, duke shprehur bindjen se SHBA dhe Kosova do të gëzojnë përherë raporte të përhershme dhe të veçanta.

Më tej ai e informoi zotin Dean lidhur me progresin e Kosovës që nga shpallja e pavarësisë, duke thënë se shënohen 75 njohje duke u bërë edhe anëtarë të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe së shpejti edhe të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Nga ana e tij zoti Dean, shprehu gatishmërinë e NDI për të ndihmuar komisionet reformuese për të forcuar sistemin politik dhe për të siguruar një përfaqësim sa më të denjë në institucionet e Kosovës për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë.

Në përfundim Thaçi tha se, “Reformat kushtetuese dhe zgjedhore tashmë kanë filluar për të siguruar demokraci më përfaqësuese dhe më llogaridhënëse para qytetarëve. Komisionet kanë filluar tashmë punën dhe çdo ndihmë dhe asistencë e NDI është e mirëseardhur”.

a.y/NOA

KOMENTE