English

Berisha-Dean: Shqipëria ndër të paktat vende me rritje ekonomike

Tiranë, 2 qershor 2011, NOA- Kreu i qeverisë Sali Berisha gjatë ditës së sotme priti në një takim, Guvernatorin Amerikan Haward Dean, i cili ka shërbyer për 6 mandate si guvernator i shtetit Vermont dhe në vitin 2004 garoi për t’u përzgjedhur kandidat për President i Partisë Demokratike në SHBA.

Në vazhdën e bisedës mes tyre, Kryeministri Berisha i shprehu Guvernatorit Dean mirënjohjen më të thellë për ndihmën dhe mbështetjen e çmuar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe qeverisë amerikane ndaj Shqipërisë e kombit shqiptar, gjatë gjithë kësaj periudhe.

Ndër të tjera Berisha vlerësoi marrëdhënien e ngushtë të miqësisë e bashkëpunimit midis Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe Institutit Kombëtar Demokrat Amerikan, si dhe për ndihmën dhe mbështetjen e vazhdueshme që ky i ka dhënë PDSH-së, gjatë këtyre dy dekadave.

Nga ana e tij, Guvernatori Dean i shprehu Kryeministrit Berisha vlerësimet më të larta për transformimet dhe ndryshimin e jashtëzakonshëm që Shqipëria ka përjetuar gjatë kësaj periudhe.

“Udhëtuam nga Prishtina për në Tiranë përmes rrugës Durrës - Kukës - Morinë, e cila është një vepër e jashtëzakonshme”, u shpreh Guvernatori Dean, duke i shprehur Kryeministrit Berisha vlerësimin më të lartë për realizimin e këtij projekti, i cili ka vlerë jo vetëm për kombin shqiptar, por, sipas Guvernatorit, do të shërbejë si një faktor shumë i rëndësishëm edhe për zhvillimin e mbarë rajonit.

Më tej, Kryeministri Berisha e njohu Guvernatorin me reformat dhe arritjet e Shqipërisë gjatë kësaj periudhe, në të gjitha fushat, duke u ndalur në veçanti në ndërtimin dhe modernizimin e rrjetit infrastrukturor në të gjithë vendin, dixhitalizimin, shkurtimin, lehtësimin dhe modernizimin e të gjitha procedurave administrative e përfshirjen e tyre në sistemet one stop shop, që ka sjellë një rezultat të jashtëzakonshëm në luftën kundër korrupsionit, rritjen e të ardhurave në buxhetin e shtetit, krijimin e kushteve më të favorshme për biznes e investime në vend, etj.

Kryeministri u ndal edhe në arritjet e rëndësishme në fushën e ICT dhe Shqipëria në moshën dixhitale, në fushën e arsimit, rritjen e jashtëzakonshme të turizmit etj.

Sakaq Guvernatori Dean vlerësoi si një ngjarje jashtëzakonisht domethënëse e drejtësisë dhe qartësisë së këtyre reformave faktin që në periudhën më të vështirë të krizës ekonomike globale Shqipëria ishte një ndër vendet e pakta në botë që shënoi rritje pozitive ekonomike.

Guvernatori Dean u shpreh se përpjekjet e qeverisë dhe popullit shqiptar për integrimin sa më të shpejtë të Shqipërisë në BE do të vazhdojnë të gëzojnë mbështetje, inkurajim dhe ndihmën e të gjithë miqve të Shqipërisë dhe të rajonit, si në Europë ashtu dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në takim u vlerësua, gjithashtu, liberalizimi i vizave me BE-në dhe ecja përpara me shpejtësi në projektin madhor kombëtar të integrimit në BE.

Gjithashtu u theksua rëndësia që ka si për Shqipërinë, për rajonin e Ballkanit Perëndimor, por edhe për Europën anëtarësimi i plotë i Shqipërisë dhe vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian.

Mësohet se në vitet 2005 – 2009, Guvernatori Haward Dean ka shërbyer si kryetar i Komitetit Kombëtar Demokratik të Partisë Demokratike Amerikane.

a.y/NOA

KOMENTE