English

Ambasadorët: Pas Kolegjit palët të veprojnë me qetësi

Tiranë, 5 qershor 2011, NOA- Nëpërmjet një deklarate të përbashkët për mediat tre ambasadorët ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Alexander Arvizu, kreu i delagacionit të Bashkimit Europian, Ettore Sequi dhe kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, u shprehën për vendimin e Kolegjit Zgjedhor.

“U njohëm me vendimin e Kolegjit Zgjedhor shqiptar, si organi më i lartë ligjor që gjykon apelimet zgjedhore. Është thelbësore që të gjitha palët të veprojnë, pas këtij vendimi, në mënyrë të qetë, të pjekur e të përmbajtur,duke vënë interesin kombëtar përpara çdo lloj interesi partizan vetjak. Po aq e rëndësishme është që të gjitha palët, partitë politike dhe qytetarët, të presin derisa rezultatet përfundimtaret këtyre zgjedhjeve të certifikohen nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, siç kërkohet nga legjislacioni shqiptar”, thuhet në deklaratën e tyre.

Më tej shprehet besimi se dhe bindja se në zgjedhjet e 8 majit, qytetarët e Shqipërisë votuan për kandidatët e zgjedhur prej tyre dhe se ky zë duhet të dëgjohet dhe të respektohet nga të gjitha partitë politike.

Deklarata e tre diplomatëve në vendin tonë përmbyllet me fjalët, “Ne do të ndjekim nga afër përmbylljen e procesit zgjedhor dhe shpalljen e rezultateve përfundimtare, si dhe vlerësimin e procesit nga misioni i vëzhgimit të zgjedhjeve i OSBE-ODIHR-it, duke pasur parasysh shqetësimet e ngritura në deklaratat tona të mëparshme”.

a.y/NOA

KOMENTE