Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Pse Perëndimi po dështon me Berishën?
English

Pse Perëndimi po dështon me Berishën?

Nga Mero Baze

Bob Hand është një nga politikanët amerikanë që njeh mirë tranzicionin shqiptar. Në zgjedhjet e 26 Majit 1996 ka kryesuar vëzhguesit amerikanë në këto zgjedhje dhe ka parë nga afër çfarë ka ndodhur. Më vonë si kongresmen republikan, dhe si një nga autoritet e Komitetit të Helsinkit pranë Kongresit Amerikan, ka qenë vazhdimisht i fokusuar tek çështja e demokracisë në Shqipëri. Ai ka qenë prezent në seancën dëgjimore të vitit 1996, kur ish opozitarët shqiptarë të asaj kohe si Blendi Goxhaj dhe Gramoz Pashko, denoncuan 26 Majin, ka qenë kryesor në seancën dëgjimore të vitit 2005, kur Eduard Selami, Kreshnik Spahiu dhe Erjon Veliaj folën për ngërçin që kishte krijuar korrupsioni në Shqipëri dhe ishte sërish aktiv para dy ditësh në të njëjtën seancë dëgjimore për Shqipërinë, tashmë i rishqetësuar për standardin e zgjedhjeve në Shqipëri. Pyetja e tij thelbësore për Janush Bugajskin, që drejton një nga institutet më serioze amerikane që merren me Ballkanin, kishte të bënte me ndihmën vendimtare që SHBA ka dhënë për të futur Shqipërinë në NATO. Pyetja e tij rreth anëtarësimit të Shqipërisë me ndihmën e SHBA në NATO ishte “A ka arsye për të në ardhur keq për vendimin e marrë. Dhe si mund të kontrollojmë Shqipërinë për të ecur drejt anëtarësimit në BE, pasi siç e theksuat edhe ju, shumë vende janë të zhgënjyera, bazuar në ato që thotë Brukseli”.

Kjo pyetje kyç, e bërë një nga politikanët amerikanë që e njeh më mirë se kushdo Sali Berishën dhe Shqipërinë, na risjell dhe një herë debatin tek efikasiteti i presionit ndërkombëtar mbi standardet e zgjedhjeve shqiptare.

Së pari duhet thënë qartë se presioni ndërkombëtar për zgjedhje të lira dhe të drejta në Shqipëri, këtë herë ka qenë më i fortë dhe më i qartë se kurrë. Ndërkombëtarët janë munduar të flasin me një zë për standardet e zgjedhjeve para fushatës, gjatë fushatës, gjatë ditës së votimit dhe sidomos gjatë numërimit. Ambasadori i SHBA, Aleksandër Arvizu, do të mbahet mend gjatë nga shqiptarët atë natë kur u ul tek shkolla Vasil Shanto me llërë të përveshura për të numëruar votat dhe për të shpëtuar procesin e degradimit të votave pro Ramës, për shkak të bojës së shtypshkronjës. Ai u bë realisht engjëlli mbrojtës i atij procesi. Së bashku me të në një zë foli dhe ambasadorja e Gjermanisë, Britanisë, Holandës, dhe mbi të gjitha Misioni i ODIHR.

Por ndërsa ata shpëtuan procesin e numërimit, falë të cilit Edi Rama u shpall fitues i zgjedhjeve në Tiranë, u gjendën përballë një procesi që pakkush prej tyre e besonte. U ndeshën me ringjalljen nga hiri të Sali Berishës së vitit 1996. Kur procesi mbaroi dhe me rregullat e lojës Rama ishte fitues, Sali Berisha ndryshoi rregullat e lojës dhe prodhoi një proces tërësisht antiligjor të numërimit duke shpallur Lulëzim Bashën fitues. Të ndalje KQZ në këtë marrëzi ishte një mision i pamundur. Për këtë faktori ndërkombëtar pati një fushatë të re denoncuese. Në fillim ODIHR dhe më pas Kantrimen, ambasadorja gjermane dhe ajo britanike, denoncuan ndryshimin e rregullave pas mbarimit të lojës dhe bënë thirrje për drejtësi dhe maturi. Aq e ndjeshme u bë bota perëndimore ndaj këtij procesi sa një ditë para se të mblidhej Kolegji u mblodh Komiteti i Helsinkit i Kongresit Amerikan në seancë dëgjimore për këtë çështje dhe ngriti pikërisht dilemat që citova më sipër.

Thelbi i këtyre dilemave është se si mund të ndikohet mbi qeverinë shqiptare të pranojë standardet e Perëndimit për zgjedhje!!! Këtu ata gabojnë tek receta. Gabojnë jo se nuk i përkasin shkollës politike të Sali Berishës. Ata e marrin Sali Berishën si një lider autoritar që ka pak qejf të vjedhë ndonjë votë, por po i bërtite tërhiqet. Edhe pse e shkuara e tij nuk flet për këtë karakter që përpiqen t’i vizatojnë, ata sërish besojnë tek disa metodika standarde të ndikimit mbi Berishën siç janë ato që përshkruan Bugajski dhe që kanë të bëjnë me një set kushtesh më efektiv për perspektivën e anëtarësimit të Shqipërisë në BE.

Këtu gabojnë. Ditën kur Berisha nisi procedurën antiligjore të numërimit të votave të gjetura në kutitë e gabuara, Presidenti Barroso anuloi vizitën në Tiranë. Kjo ishte një goditje e madhe, ndoshta më e rënda që Brukseli i ka dhënë Shqipërisë. Por Sali Berisha u ndje i qetë. Bile doli dhe e lavdëroi mosardhjen e tij për shkak të “rrëmujës” që kishte në shtëpi. Sali Berisha nuk është një lider, i cili ka objektiv të jetës së tij anëtarësimin e Shqipërisë në Evropë, apo marrëdhëniet e shkëlqyera me SHBA, siç nuk ka pasur objektiv as anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Berisha nuk është kundër këtyre gjërave nëse ato nuk i rrezikojnë pushtetin, por kurrsesi nuk bën pazar për pushtetin e tij me këto objektiva. Siç e pamë të gjithë, mes largimit tonë nga BE, duke na refuzuar vizitën Presidenti i saj, dhe vjedhjes së votave për Lulëzim Bashën, ai zgjodhi të dytën dhe u ndje i lehtësuar që Barroso nuk erdhi në Tiranë. Seti i kushteve që çon Shqipërinë në BE ka një kryekusht: mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe të drejta. Por zgjedhjet e lira dhe të drejta e heqin Sali Berishën nga pushteti. Tashmë Berisha duhet të jetë ose properëndimor dhe të ikë nga pushteti, ose pengmbajtës i vendit të tij duke qëndruar në pushtet. Pa asnjë dilemë dhe pa asnjë vrasje ndërgjegje ai zgjedh të dytën. Magjia e tij është pushteti dhe jo Perëndimi. Nëse rruga drejt pushtetit dhe mbajtja e tij përkon ndonjë copë rruge me Perëndimin, ai e bën pa të keq, por nëse i nxjerr telashin më të vogël, ai e flak. Ky është presidenti për të cilin Perëndimi ka dërguar ushtrinë më të madhe në historinë e tij në një vend të rrezikuar nga lufta civile, vetëm se nuk i dëgjoi rekomandimet amerikane dhe evropiane për të tejkaluar krizën e prodhuar pas zgjedhjeve të 26 Majit 1996. Ta harrojë dikush që kushtëzimet e Shqipërisë për rrugën drejt BE, tërheqin Berishën nga rruga drejt mbajtjes me çdo kusht të pushtetit.

Vendimi i djeshëm i Kolegjit ishte një leksion i qartë për Perëndimin. Një ish gjyqtar i kohës së komunizmit, nga ata që Berisha kërcënonte se do t’i zhdukte nga gjykatat shqiptare, ka rishkruar një kod të ri elektoral, duke konsideruar normal atë veprim monstruoz mbi procesin zgjedhor që ndodhi në Tiranë. Unë nuk mbaj mend këto 20 vite që të kenë folur kaq qartë, kaq shumë, kaq fort dhe kaq sinkron gjithë ndërkombëtarët nga Uashingtoni në Bruksel, kundër atij vendimi që dha dje Kolegji. Por ja që Kolegji Berisha as që i dëgjoi. Ndaj recetat ndërkombëtare për këtë krizë nuk duhet të jenë standarde, dhe mbi të gjitha nuk duhet të llogariten si receta që i jepen një lideri që i dhimbset vendi i vet.

Të gjithë e kuptojmë dëshpërimin dhe lodhjen e Perëndimit në këto momente. Të gjithë e kuptojmë atë shprehjen e tyre “të shikojmë përpara” se mos bëhet më keq. Në të vërtetë nëse Perëndimi dorëzohet këtu, ka hedhur në erë gjithë investimin e shkëlqyer që ka bërë për këto zgjedhje, ka hedhur në erë atë skenë mbresëlënëse për miliona shqiptarë, kur ambasadorët e Perëndimit shpëtuan si të rënë nga qielli procesin në Tiranë. Në kurrë nuk kemi pasur një qëndrim kaq të qartë të ODIHR për zgjedhjet në Shqipëri dhe asnjëherë një kor kaq të sinkronizuar diplomatësh kundër manipulimit. I gjithë mundi i tyre ka shkuar dëm me atë vendim që mori Kolegji Zgjedhor. Unë e kuptoj kulturën perëndimore të respektimit formal të vendimit të gjykatës, por ata duhet ta dinë, dhe besoj e dinë mirë, se vendimin e ka marrë Berisha. Presioni i tyre duhet të bëhet mbi Sali Berishën dhe jo mbi Kolegjin. Fatkeqësisht ata e kthejnë vendimin me një sms nëse shkon nga telefoni i Berishës. Por kujdes me Sali Berishën. Bob Hand është i shqetësuar se SHBA ka ndihmuar para kohe Shqipërinë të futet në NATO dhe mendon të bëjë shantazh me këtë. E ka gabim. Sali Berisha dy javë para se të futej në NATO varrosi 26 vetë në një biznes të djalit të tij dhe nuk e vrau fare ndërgjegjja edhe sikur NATO ta kish marrë seriozisht këtë gjëmë dhe të na kishte lënë jashtë saj. Ne e dimë që anëtarësimin në NATO e kemi nga SHBA-ja, por kjo s’e ka penguar Berishën ta quajë meritë të tij. Nëse na nxirrni nga NATO, thjesht do ta quajë vepër të armiqve të tij. Ai nuk lëviz nga pushteti për këtë shkak. As ajo që thotë zoti Bugajski nuk bën hajër. Berisha është i lumtur që ne jemi në vendnumëro në rrugën drejt Bashkimit Evropian. Berisha operon me mjete të thjeshte propagande për njerëzit dhe ai ka pasaportë evropiane liberalizimin e vizave. Për të tjerat me shaka thotë kur të rriten mbesat e mia dhe të qeverisin ato. Kështu që as bllokimi i rrugës drejt BE nuk e impresionon. Atë e impresionon vetëm një qëndrim i qartë kundër tij personalisht në këtë proces. Ndërkombëtarët duhet të dënojnë rolin e tij në këtë histori. Pavarësisht iluzioneve të tyre, Sali Berisha njeh vetëm gjuhën e forcës dhe taktikën e përçarjes së Perëndimit rreth figurës së tij. Është një zakon që e kanë pasur gjithë liderët e vjetër të Ballkanit. E ka pasur Tugjmani, e ka pasur Izetbegoviçi, e ka pasur Milosheviçi. Të gjithë këta ishin gjenerata e Berishës që filloi të sundojë Ballkanin në fillim të viteve 90-të. Të tre të parët kanë vdekur dhe janë harruar. Falë suksesit të tij në lidhje me përçarjen e Perëndimit dhe talljen me kauzën shqiptare të integrimit në Evropë, Sali Berisha është në pushtet, dhe s’ka ndërmend ta lëshojë nëse Perëndimi nuk tregohet më arrogant se ai me pafytyrësinë e tij. Ai e do Perëndimin si një instrument që i siguron mbijetesën në pushtet dhe jo si një sistem rregullash të cilave duhet t’i bindet qoftë dhe duke ikur nga pushteti. Kush dyshon për këtë, le të mendojë se si zëri i Perëndimit u kthye në pëshpërimë për Kolegjin e Sali Berishës një ditë më parë.

* Dërguar nga autori, qëndrimet janë personale dhe nuk prezantojnë domosdoshmërisht vijën editoriale të NOA

KOMENTE