Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Çeta zgjedhore
English

Çeta zgjedhore

Vendimi i Kolegjit Zgjedhor, turpi i radhës i sistemit të korruptuar të drejtësisë në Shqipëri

Mendja, sytë, veshët dhe fryma e një kombi të tërë shqiptar, por edhe i një numuri të konsiderueshëm faktorësh ndërkombëtar, personalitetesh të botës, por edhe organizatash jo qeveritare, të cilët janë të detyruar të ndjekin rrugën nëpër të cilën ecën demokracia dhe shteti në Shqipëri, u drejtuan në 3 qershor 2011 nga Kolegji Zgjedhor pranë Gjykatës së Apelit Tiranë. Të gjithë prisnin gjykimin e një “arbitri madhor ligjor”, i cili ishte i detyruar që në emër dhe në zbatimin korrekt të ligjit, të ndante “shapin nga sheqeri”, të jepte verdiktin ligjor, para të cilit palët konkurruese në zgjedhjet e 8 majit për pushtetin vendor, të ulnin kokën, t’i bindeshin atij, t’i jepte dorën humbësi fituesit, të pranohej rezultati i zgjedhjeve, dhe vendi të ecte përpara.

Por a u vu në rolin e tij institucional Kolegji Zgjedhor për të realizuar këtë mision madhor ligjor dhe kombëtar? A e justifikoi ai veten si një organ gjyqësor “suprem” për mbarëvajtjen e zgjedhjeve në Shqipëri, që pas fjalës ligjore me peshë të tij, të gjitha subjektet zgjedhore, fituese, apo humbëse, ulin kokën dhe i thonë “Faleminderit” sovranit që votoi?!

Për fatin e keq ky Kolegj Zgjedhor në datën 3 qershor 2011, me gjykimin që bëri dhe me vendimin që dha, jo vetëm që nuk ishte një arbitër ligjor, jo vetëm që nuk ndikuan dhe nuk ndihmuan aspak për të qartësuar shkaqet dhe shkaktarët e cënimit të procesi zgjedhor të 8 majit, jo vetëm që nuk e pastroi “grurin nga egjëra”, por përkundrazi i hodhi “benzinë zjarrit”, duke e thelluar në mënyrë dramatike përçarjen kombëtare, duke i dhënë krahë arbitraritetit, paligjshmërisë dhe instalimit të mëtejshëm të elementëve të një diktature fashiste në vend, thelbi i së cilës është në të njëjtën linjë, por në periudha të ndryshme kohore historike me parimin arbitrar, skllavërues, alogjikë, antiqytetërim dhe antinjerëzor të Luigjit të 14-të “Shteti dhe Ligji jam vetëm unë!”

Turpi i parë i këtij Kolegji ishte inferioriteti dhe mungesa e respektit që anëtarët e tij patën për vetveten si dhe për institucionin që përfaqësonin.

Pak ditë më parë, i njëjti Kolegj, me relatore Gjyqtaren Sashenka Jonuzi, shqyrtoi një ankim të subjektit zgjedhor PSSH kundër KQZ lidhur me vendimin e ndërmjetëm të datës 18 Maji 2011, me anën e të cilit KQZ i hapi rrugën masakrës zgjedhore pas numërimit të votave dhe certifikimit të tyre prej Grupeve të Numërimit dhe KZAZ-ve të minibashkive të Tiranës. PSSH kishte si objekt ankikimi në këtë gjykim goditjen si të pavlefshëm të këtij vendimi të ndërmjetëm të KQZ, që pas-solli Vendimin Nr. 709, datë 23.05.2011, me anën e së cilit, në kundërshtim me Kodin Zgjedhor dhe me vendimet ligjore të KZAZ-ve të minibashkive të kryeqytetit, kandidati i PD-së Lulëzim Basha “u emërua” Kryetar i Bashkisë së Tiranës me 81 vota të marra në tavolinën e KQZ-së! Gjatë gjykimit të çështjes, pala e paditur KQZ dhe pala e interesuar PD “arsyetuan” para Kolegjit Zgjedhor se “nuk ekziston ndonjë vendim i ndërmjetëm i datës 18.05.2011”. Në këto kushte, pala paditëse PSSH hoqi dorë nga gjykimi i çështjes dhe Kolegji Zgjedhor pushoi gjykimin për shkak se ankimi i PS-së mbeti pa objekt.

Në gjykimin e datës 03.06.2011, të njëjtët anëtarë të Kolegjit Zgjedhor, por tashmë me relator “të persekutuarin” Tom Ndreca, u ndodhën para pohimit kontradiktor me vetveten të KQZ dhe PD, sepse pohuan me gojën e tyre se Vendimi i KQZ Nr.409, datë 23.05.2011, me anën e të cilit u hapej “drita jeshile” fletëve të votimit në “kutinë e gabuar”, nuk ishte si “një rrufe në qiell të hapur”, por ishte konceptuar si “vendim i ndërmjetëm” dhe ishte zbatuar për plotë 6 ditë, duke hapur 107 kuti votimi dhe “kapakun” duke e numuratuar dhe datuar e vunë në datën 23.05.2011.

Qysh në këtë moment Kolegji Zgjedhor e kishte për detyrë ligjore, por edhe për nder institucioni t’u thoshte KQZ dhe PD-së: “Turp që na keni mashtruar ne si Kolegj Zgjedhor, duke na thënë se nuk ka vendim të KQZ në datën 18.05.2011, në një kohë që sot, sipas dokumentit zgjedhor që na sillni, paska një vendim të tillë!” Dhe pikërisht këtu duhet të niste ndëshkimi i KQZ prej Kolegjit Zgjedhor, duke i dhënë mësimin e duhur ligjor se zgjedhjet në një vend anëtarë i NATO-s nuk mund të falsifikohen dhe të degradojnë deri në këtë shkallë prej institucioneve më të larta përgjegjëse për mbarëvajtjen e tyre.

Kolegji Zgjedhor nuk e bëri këtë gjë. Por ky Kolegj nuk bëri as edhe tjetrën, që me gjithë se e zeza ishte shkruar qartësisht mbi të bardhën në Kodin Zgjedhor, e madje këtë të zezë mbi të bardhë e kishte shkruar edhe vet KQZ në referimet që i bënte këtij ligji organik të zgjedhjeve në Vendimin Nr.709, datë 23.05.2011, në vend që ta shpallte atë absolutisht të pavlefshëm, sikurse është në fakt, me një servilizëm të pa shoq, me një mungesë të theksuar integriteti profesional, me një dashakeqësi të hapur kundër interesave integruese të vendit në Evropë, dha një vendim i cili për nga çdo pikëpamje konsiderohet antikushtetues, antiligjor, antidemokratik, qartësisht i anshëm dhe i motivuar politikisht, e mbi të gjitha me elementë thelbësorë korruptiv së brendshmi dhe së jashtmi i tij.

Mungesa e të qenit të këtij vendimi ligjor, të pa bazuar në prova dhe në fakte, të pa bazuar në Kodin Zgjedhor dhe principet e së drejtës civile dhe administrative shqiptare, e tregojnë edhe disa element përmbajtësor, të cilët konsistojnë në sa vijon:

Në radhë të parë, disa anëtarë të Kolegjit, nisur nga parimet e përgjithshme ligjore të papajtueshmërisë me detyrën e gjyqtarit, duhet të tregoheshin të ndershëm me profesionin e tyre dhe të përgjegjshëm para ligjit, dhe duhet të tërhiqeshin nga gjykimi i kësaj çështje pasi kanë treguar më parë se janë të anshëm dhe të pozicionuar si “ushtarë” në “llogoren e PD-së”;

Në radhë të dytë, nuk duhet të tregoheshin aq të papërgjegjshëm sa të tërhiqeshin në dhomën e fshehtë për të marrë vendimin gjyqësor në orën 17.15 minuta dhe të ktheheshin në sallën e gjyqit për të shpallur vendimin vetëm “me dispozitiv” pas plotë 5 orësh!

Përbënë një analizë të veçantë, ndoshta në një moment të duhur edhe një denoncim publik, fakti se anëtarët e këtij Kolegji për orë të tëra në “dhomën e fshehtë” bënin “lloqe pazari” dhe u kujtuan për të shkruar ato dy rreshta dispozitiv të vendimit gjyqësor që dhanë pesë minutat e fundit të pesëorëshit të qëndrimit kot në dhomën e fshehtësisë. Çfarë prisnin që nuk vendosnin? Prisnin t’u vinte “zgjidhja” nga “Xhebrahil Emini”?!

Nuk ka si shpjegohet ndryshe fakti domethënës që ky Kolegj, në një çështje kaq madhore dhe kaq delikate, me shtrirje interesash gjithë kombëtare, e madje edhe ndërkombëtare, të dal pas pesë orësh dhe të shpallë një vendim sa qesharak, sa absurd, sa të papërgjegjshëm, e mbi të gjitha sa antiligjor, duke thënë vetëm kaq: “Kolegji Zgjedhor bazuar ne nenin 158, pika “1” dhe “2” dhe 159 të Kodit Zgjedhor vendosi të rrëzoi padinë e PSSH kundër KQZ”!!

Neni 159 i Kodit Zgjedhor, ashtu sikundër neni 126 i Kodit të Procedurës Civile të Republikës së Shqipërisë, parasheh detyrimin ligjor të cilitdo gjyqtar, gjykatë dhe Kolegj që vendimi të ketë mbi të gjitha pjesën e tij kryesore përshkruese-arsyetuese, rrethanat e çështjes, ashtu siç janë konstatuar gjatë gjykimit, përfundimet e nxjerra nga gjykata, provat dhe arsyet, në të cilat mbështetet vendimi, dispozitat ligjore, në të cilat bazohet ky vendim.

Ku ishin këto, dhe ku janë këto edhe pas 4 ditëve nga shpallja vetëm e dispozitivit të këtij vendimi prej Kolegjit Zgjedhor?!

Përse nuk e arsyetoi vendimin ky Kolegj Zgjedhor, por shpërdoroi haptazi detyrën, çka përbënë vepër penale në bazë të nenit 248 të Kodit Penal?

Çfarë po pret ende ky Kolegj Zgjedhor që nuk e arsyeton vendimin e marrë qysh në datën 03.06.2011, apo ende nuk ia kanë sjellë të gatshëm “juristët ushtar” të “Xhebrahil Eminit” dhe këta anëtarë të Kolegjit të bëjë vetëm “ngjitjen” e pjesës arsyetuese, që ende nuk e kanë përfunduar së shkruari “ushtarët jurist”, me pjesën urdhëruese që firmosi Tom Ndreca me “çetën” e tij?!

Subjekti zgjedhor PSSH ka plotë 4 ditë që nuk e merr dot të arsyetuar këtë vendim të Kolegjit Zgjedhor të datës 03.06.2011. Për ironi të fatit, në kundërshtim të hapur me ligjin, prej Kolegjit Zgjedhor merret përgjigja absurde dhe antiligjore se gjoja “Kolegji ka afat 3 ditor për të zbardhur vendimin sipas nenit 158 të Kodit Zgjedhor, dhe se ky tre ditësh nuk është plotësuar se ishin përpara e shtuna dhe e diela”!

Afati 3 ditor ka të bëjë me zbardhjen e vendimit prej administratës, domethënë shtypjen e tij, pastaj korrigjimin e gabimeve prej relator Tom Ndrecës, firmosjen prej anëtarëve të tjerë të “Çetës zgjedhore”, sikundër veprohet edhe për zbardhjet e vendimeve të tjera gjyqësore në të gjitha shkallët e gjykimit.

Por ky afat ligjor nuk përligj aspak, përkundrazi e kriminalizon mos dhënien e vendimit të Kolegjit Zgjedhor të arsyetuar qysh në datën 03.06.2011, sikurse e parasheh qartësisht dhe prerazi ligji. Dhe opozita, subjekti zgjedhor i PSSH, si palë paditëse në këtë proces, por edhe gjithë qytetarët e këtij vendi, ndërkombëtarët, masmediat elektronike dhe të shkruara, në se do të zbatohej ligji prej Kolegjit Zgjedhor, duke e dhënë vendimin e marrë të arsyetuar, sikurse e parashikon neni 159 i Kodit Zgjedhor dhe neni 126 i Kodit të Procedurës Civile, e regjistronin atë me magnetofona, me kamera etj, dhe nuk do prisnin kaq gjatë “zbardhjen” e këtij vendimi nga “ustallarët” e “çetës” së Kolegjit Zgjedhor!

KOMENTE