English

Obama: Më shumë presion mbi Gheddafin deri sa të ikë

Tripoli, 7 qershor 2011, NOA – Shefi i Shtëpisë së Bardhë Barack Obama deklaroi sot se presioni ndërkombëtar mbi liderin libian Muammar Gheddafi do të intensifikohet derisa ai të lërë pushtetin. Këtë deklaratë Presidenti amerikan e bëri gjatë konferencës së përbashkët për shtyp në Shtëpinë e Bardhë me kancelaren gjermane Angela Merkel.

Ndërkohë i dërguari special i OKB-së Adbel-Elah Al Khatib ka mbërritur në kryeqytetin Tripoli në një vizitë të palajmëruar.

Lajmin e bëri publik agjencia shtetërore libiane e lajmeve Jana.

Por, këtij presioni të Obamës, i është kundërpërgjigjur nga Libia edhe lideri i Libisë, Muammar Gheddafi.

“Nuk kemi frikë. Jemi më të fortë se ju”, deklaroi kolonel Gheddafi në një mesazh audio të transmetuar nga televizioni shtetëror libian.

Udhëheqësi libian bëri të ditur se ai do të qëndrojë në Tripoli, i gjallë apo i vdekur.

“Beteja na është spostuar, por nuk i trembemi vdekjes dhe do të vazhdojmë të luftojmë armiqtë”, pohoi Gheddafi.

Duke iu referuar liderëve perëndimorë të NATO-s, Gheddafi u drejtoi pyetjen: “Ç’farë doni nga ne? Mendoni se do fitoni? Për ne vdekja dhe martirizimi janë të mikpritura, ndërkohë që unë nuk largohem nga Tripoli”, deklaroi lideri libian në mesazhin audio.

Mëngjesin e sotëm Tripoli u godit nga dhjetë shpërthime të fuqishme.

Lajmin e dëshmuan për CNN disa qytetarë libianë.

Ndërkohë në Bengasi ka mbërritur për të parën herë edhe një emisar special i qeverisë ruse, Mikhail Marguelov, i cili pritet të diskutojë me kryengritësit libianë.

mit/NOA

KOMENTE