English

Non sequitur

Nga Albin Kurti

Nëse je kundër Planit të Ahtisaarit atëherë je kundër pavarësisë së Kosovës. Nëse je për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë atëherë je për ndarjen e Kosovës. Nëse je për bashkim kombëtar atëherë je kundër minoriteteve. Nëse je për transparencë lidhur me autostradën Morinë-Merdar atëherë je kundër autostradës së kombit. Nëse e kritikon ndonjë zyrtar të lartë ndërkombëtar atëherë je kundër bashkësisë ndërkombëtare. Nëse s'pajtohesh me ligjin për buxhet atëherë je kundër rritjes së pagave për shërbyesit civilë. Nëse kërkon përgjegjësi financiare ose fiskale atëherë sërish je kundër rritjes së pagave për shërbyesit civilë. Nëse e kritikon shitjen e PTK-së atëherë je kundër privatizimit. Nëse je kundër privatizimit atëherë je kundër ekonomisë së tregut. Nëse e kritikon privatizimin e kryer në Kosovë atëherë je me Enver Hoxhën ose me Titon. Nëse je kundër këtyre bisedimeve me Serbinë në Bruksel atëherë je kundër integrimeve evropiane. Nëse e kritikon KFOR-in atëherë je kundër NATO-s. Nëse e kritikon qeverinë për veprimet a mosveprimet e saj atëherë je anarkist që nuk i duron institucionet.

Nëse je për ruajtjen e ndërmarrjeve publike atëherë je komunist. Nëse je kundër decentralizimit etnik në Kosovë atëherë je përsëri komunist (duke qenë centralist).

E këtillë është zakonisht forma e akuzave qeveritare ndaj atyre që nuk pajtohen me qeverinë dhe ndaj kritikuesve të qeverisë. Ata nuk merren me argumentet ose qëndrimet e kritikuesve por i etiketojnë ata. Etiketimi është mënyra se si ata merren me kritikuesit. Kështu ata merren në mënyrë që të mos merren me ta. Në parathënien e përkthyeses në shqip të romanit ‘I Huaji’ të Albert Camus shkruan që shoqëria dëshiron të ta përcaktojë esencën në mënyrë që ta durojë ekzistencën. Pushteti në Kosovë është i kundërt me shoqërinë: ai ta mvesh një esencë mu për shkak se nuk ta duron ekzistencën.

E, megjithatë, këto nuk janë thjesht shpifje. Nëse merret vetëm pjesa e dytë e fjalive të mësipërme, pra pjesa e fjalisë pas fjalës ‘atëherë’, atëherë do të mund të thoshim se kemi të bëjmë me shpifje. Meqenëse në këto fjali shtrohet së pari premisa dhe mandej nxirret konkluzioni prej saj, kemi të bëjmë me fjali që pretendojnë të jenë gjykime logjike. Nëse X, atëherë Y; pra: X => Y. Fjala ‘atëherë’ na prezantohet si mishërim i deduksionit në fjalitë e mësipërme. Nëse propozicionet janë mundësitë që i mendojmë dhe faktet janë propozicionet e vërteta, atëherë gjykimet nga këto fjali aspirojnë të na shfaqen si fakte. Kritikave politike për (mos)veprimet e tyre qeveritarët iu përgjigjen me fakte për neve.

Gjykimet e këtilla nuk duket se na vijnë nga ndofarë politikanësh ose analistësh nga taborri i empirizmit (p.sh. të linjës së Locke-ut, Hume-it apo Berkeley-t) me bindjen se e gjithë dija derivohet prej përvojës. Shembujt e gjykimeve të sipërpërmendura jepen në trajtë akuzash dhe nuk ilustrohen me shembuj. Ato duken të jenë më shumë nga taborri i racionalizmit (p.sh. të Descartes-it ose Leibniz-it) me bindjen se përveç nga përvoja ne dimë edhe ide e parime të brendshme, pra principe të caktuara logjike, pavarësisht përvojës. Njëfarë dije a priori e cila edhe pse cytet nga përvoja partikulare nuk mjafton të vërtetohet prej saj. Sepse, instancat e reja nuk e rrisin as sigurinë dhe as vërtetësinë e dijes a priori. Mirëpo, këta shkojnë edhe një hap më tej në këtë racionalizëm duke e tejkaluar atë: racionalizëm që s'paraprihet nga kurrfarë përvoje dhe që paraprakisht dihet se nuk i nevojitet kurrfarë përvoje e mëvonshme që ta mirëmbajë duke e vërtetuar. Në këtë pikë, ata tashmë ndodhen në domenin e religjionit.

Përderisa Immanuel Kanti u përpoq t’i harmonizojë empiristët dhe racionalistët, qeveritarët kosovarë po e destilojnë e spastrojnë racionalizmin prej çfarëdo përvoje. Gjykimet e tyre akuzuese nuk lejojnë kurrfarë gjyqi. Është kështu sepse ata po thonë që është kështu. Pikë. Ata nuk kanë nevojë të dëshmohen për pushtetin e tyre. Pushteti i tyre është dëshmia e tyre. Ata kanë të drejtë sepse janë në pushtet pa patur nevojë të kenë të drejtë që të jenë në pushtet. Këta qeveritarë para se të jenë iracionalë, janë racionalistë të palogjikshëm. Prandaj, ata s’munden as ta racionalizojnë këtë racionalizmin e tyre. Ata janë brenda tregimit që e rrëfejnë për neve. Porse ne jemi jashtë atij tregimi (para se të na kenë përjashtuar). Ata s’po flasin për neve sepse kështu s'mund të flasin për neve. Ata po e flasin veçse veten e tyre. Sepse vetëm kaq munden.

KOMENTE