English

Lidington: I rëndësishëm dialogu, jo rezultati, opozita ta përballë sfidën në parlament

Tiranë, 9 qershor 2011, NOA – Ministri britanik për Europën David Lidington në vizitën e parë në Tiranë shprehu shqetësimin për situatën postzgjedhore në Shqipëri duke deklaruar se i rëndësishëm për vendin, nuk është rezultati i zgjedhjeve, por një qeveri kushtetuese dhe një opozitë kushtetuese.

I pyetur nga gazetarët për vendimin e Kolegjit Zgjedhor mbi ankimimin e Partisë Socialiste, Lidington theksoi se “Natyrisht ne jemi shumë të shqetësuar për situatën në Shqipëri. Përsa i përket detajeve ato u takojnë gjykatave. Për ne nuk ka rëndësi rezultati i zgjedhjeve sesa fakti që palët të bëjnë përpjekje për të arritur dialogun politik, e vendi të ketë një qeveri kushtetuese dhe një opozitë kushtetuese”.

Ministri Lidington nënvizoi se nëse ka kontestime dhe debate ato duhet të bëhen vetëm brenda kuadrit demokratik dhe ligjor.

“Mund të ketë dyshime, debate, argumenta, por të gjitha këto duhen bërë në mënyrë ligjore. Kjo është ajo që kërkojmë, andaj ne kërkojmë përkushtimin e palëve. Reformat kanë rëndësi për integrimin dhe realizimi i tyre kërkon angazhimin dhe përkushtimin e palëve në Shqipëri”, apeloi Lidington.

I pyetur nëse është në dijeni të zbardhjes së vendimit të Kolegjit, Lidington u shpreh shkurt duke thënë se “Për ne është e vështirë të përgjigjemi edhe për debatet e brendshme që ka vetë Anglia”.

Këtu ai e përshëndeti faktin që Kolegji Zgjedhor ka zbardhur vendimin e tij.

“Unë nuk i kam lexuar shpjegimet e Kolegjit, nuk më takon, kjo i takon liderëve shqiptarë”, tha ai.

Ministri britanik për Europën foli edhe për bojkotin e opozitës në Kuvend, duke theksuar se “pas përfundimit dhe shpalljes së rezultateve, me rëndësi është që opozita të vërë qeverinë në pozita pune, dhe të japë llogari në parlament për punët. Gjithashtu opozita duhet të sfidojë qeverinë, dhe ta përballojë këtë sfidë jo në rrugë, por në parlament”, përfundoi apelin e tij ministri britanik për Europën David Lidington.

mit/NOA

KOMENTE