English

Thaçi: Rugova dha për lirinë 17 dëshmorë, vendi i vlerave unike

Rugovë, 10 qershor 2011, NOA- Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi gjatë ditës së sotme me rastin e shënimit të 133 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, mori pjesë në ceremoninë e hapjes së Qendrës Memoriale për nder të betejës së Nokshiqit, kushtuar Rexhajve të Shkrelit në Rugovë.

Gjatë fjalës së mbajtur me këtë rast Thaçi tha se, Lidhja Shqiptare Prizrenit një ndër qëllimet kryesore kishte mbrojtjen e territoreve të katër vilajeteve shqiptare, përmes qeverisë provizore, duke ngritur struktura mbrojtëse kundër synimeve të fqinjëve përreth.

“Nga Rugova ishte gjenerali Çelë Shabani, që bie heroikisht në mbrojtje të Plavës dhe Gucisë, një muaj pas Betejës së Nokshiqit. Rugova gjithmonë ka qenë pjesë e historisë shqiptare. Ajo dha kontribut të shquar gjatë Rilindjes Kombëtare, duke vazhduar me luftën kaçake ndërmjet dy luftërave botërore. Pas luftës së Dytë Botërore, Rugova nga gjiri saj nxori veprimtarë të shquar në lëvizjen për çlirim: në Demonstratat e viti 1968, në ato të viti 1981 dhe në lëvizjen studentore. Rugova me krenari dhe dinjitet ishte e pandashme me luftën e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ajo dha 17 dëshmorë të lirisë’, u shpreh Thaçi.

Në përfundim ai shtoi se, Rugova është emër i krenarisë shqiptare, vend i traditës folklorike si dhe vend i vlerave unike kulturore.

a.y/NOA

KOMENTE