English

Një ftesë në kutinë e gabuar

Nga Mero Baze

Në përpjekje për të kuptuar nëse Partia Socialiste i kishte dërguar apo jo ftesë Fatos Nanos në 20 vjetorin e themelimit të saj, mu ringjall mizaskena e debatit rreth votimit të fundit ku shumë fletë kanë përfunduar në kutinë e gabuar. Ky debat duket se po përpiqet të provokojë ikjen e Partisë Socialiste nga vlerat që prodhoi me Fatos Nanon në krye të saj. Por a ka prodhuar vlera për demokracinë Partia Socialiste e Shqipërisë këto 20 vite?

Padyshim që po.

Së pari Partia Socialiste ishte dhe mbeti partia e parë e pluralizmit në Shqipëri që i dha kuptim garës brenda ish Partisë së Punës duke e shkëputur atë parti nga miti i Sekretarit të Parë. Në vitin 1999 Fatos Nano dha dorëheqje dhe arriti të rizgjidhet në krye të partisë, duke u ndeshur për herë të parë publikisht në një garë të hapur me kundërshtarët e tij në parti. Kjo ishte vërtet një vlerë për një lider që ishte emëruar në krye të asaj partie nga Ramiz Alia dhe ishte çimentuar nga burgosja e Sali Berishës. Partia qëndroi e bashkuar dhe pas kësaj gare delikate duke përballuar peshën e garës dhe liritë politike brenda partisë.

Në vitin 2001 kjo parti pati një sfidë të dytë të rëndë. Kryetari i kësaj partie udhëhoqi një fushatë kundër qeverisë së partisë së tij, e cila pasi kishte prekur zgjedhjet e qershorit 2001, po blinte me paret e korrupsionit qeveritar dhe lidershipin e partisë. Fatos Nano ja doli të fitonte sërish dhe Ilir Meta u detyrua të largohej.

Por në qoftë se Partia Socialiste pranoi dhe përballoi me dinjitet garën brenda partisë dhe rizgjedhjen e Fatos Nanos, ajo nuk përballoi dot garën për të vendosur rregulla morale për të qëndruar në pushtet. Ndarja Meta- Nano në vitin 2002, edhe pse u tentua të mbulohet në vitin 2003, mbeti e fortë. Brenda partisë më të madhe shqiptare, brenda së majtës ideologjike shqiptare, kishte lindur një nukël i ri, një grup njerëzish të motivuar nga përfitimet përrallore të pushtetit. Të vetëquajtur pragmatistë apo “ilirmetistë”, ky grup në të vërtetë zbuloi sëmundjen e re të së majtës shqiptare, atë të ikjes nga një parti ideologjike. Por bashkë me Ilir Metën kishte ndryshuar dhe Fatos Nano. Të dy të njëjtë, por jo bashkë, ata në të vërtetë filluan të dërrmojnë të majtën shqiptare. Në Kongresin e vitit 2003 Fatos Nano hodhi poshtë të gjitha arsyet përse socialistët ja kishin dalë të ishin bashkë deri atëherë. Ai forcoi pushtetin e tij thuajse pa garë në krye të partisë, duke denigruar Mejdanin dhe Ramën, dhe duke përjashtuar de facto Metën nga strukturat qendrore të partisë. I motivuar nga korrupsioni përrallor në kohën që ishte kryeministër dhe i privilegjuar nga mentaliteti krahinor, falë të cilit ishte në politikë, Ilir Meta ia doli të krijojë një grup të ri politik, i cili kishte tiparet e një sekti rreth të cilit u mblodhën njerëz që kishin prekur ëndrrën e pasurimit nga pushteti dhe privilegjet e të qenit nga Skrapari.

E majta shqiptare humbi parimet dhe paqen brenda saj. Sali Berisha, i cili po përgjonte si parti e dytë në vend prej vitit 1997, filloi ta konsiderojë politikën tripolare, dhe u tërhoq nga gjuha agresive duke i lënë fushë të lirë veprimi agresivitetit brenda së majtës. Fal arrogancës së Fatos Nanos dhe mendjelehtësisë së tij në taktikat elektorale të vitit 2005, Berisha ja doli që të përdorë ndarjen e së majtës dhe një makijazh të tij formal për tu rikthyer në pushtet në vitin 2005.

E majta shqiptare ridoli në opozitë, por tashmë me një parti e cila më shumë se sa tek idealet e së majtës apo nostalgjisë për komunizmin, besonte tek paraja dhe nostalgjia për karriget që kishte humbur.

Ardhja e Edi Ramës në krye të Partisë Socialiste ishte e vetmja pasuri politike e momentit për Partinë Socialiste. Një ish artist anarkist dhe publicist i spikatur, ai ishte nga të paktët emra të së majtës që kishte mbërritur me këmbët e veta deri aty. Ai tentoi të ruajë Partinë Socialiste të Fatos Nanos dhe të korrigjojë çarjen e madhe me Ilir Metën. Por kjo nuk zgjati më shumë se dy vjet. Në krizën e zgjedhjeve të vitit 2007, Fatos Nano u shfaq një ditë papritur krah Sali Berishës në Pallat të Brigadave. Tri ditë më parë ata ishin takuar fshehtas po në atë vend dhe kishin rënë dakord të siluronin kreun e PS. Ish kryeministri i së majtës, në një bisedë tridhjetë minutëshe me Sali Berishën kishte lënë të kuptohej se do të ishte në krah të Berishës kundër Ramës, dhe priste prej tij shpërblimin e radhës. Kjo u duk se do të ruante më tej aleancën e Ramës me Ilir Metën. Por pas zgjedhjeve të vitit 2007, dhe pas përpjekjeve të tij për të ndryshuar strukturat e vjetra të Partisë Socialiste, situata filloi të ndryshojë. Rreshtimi publik i Fatos Nanos me Sali Berishën nuk ishte një arsye për Ilir Metën të qëndronte me Edi Ramën. Ky i fundit e kishte mbivlerësuar shumë konfliktin Nano- Meta në përçarjen e PS. Në të vërtetë ai nuk ishte konflikt mes dy personave, por konflikt mes atyre që duan të jenë me çdo kusht me pushtetin dhe atyre që duan të jenë në opozitë. Arsyet përse Ilir Meta duhet të ishte me Edi Ramën nuk kishin më lidhje me konfliktin e tij me Fatos Nanon. Ilir Meta kërkonte mbijetesën e tij politike, e cila ishte e rrezikuar nga suksesi në rritje i një partie të re socialiste me një lider të ri. Duke gjetur arsye pakuptim për ndarje, ai përdori me të drejtë reformën elektorale për tu distancuar egër nga Partia Socialiste, ndërkohë që Berisha i kishte shkelur syrin dhe po i mbante derën hapur, njësoj si para vitit 2005.

Në këto kushte e majta shkoi në zgjedhjet e vitit 2009 e cunguar. Tentativat e fundit për tu bashkuar në një koalicion para zgjedhjeve dështuan për shkak të kushteve të paarsyeshme që vendoste Ilir Meta dhe euforisë së paarsyeshme që kishte Rama për fitoren në zgjedhje, pa llogaritur mirë efektet negative të ligjit elektoral, të hartuar pa shumë vëmendje prej tij.

28 Qershori solli një ndarje të votave mes të djathtës dhe të majtës, por një etape të re në historinë e politikës shqiptare, koalicioni e parë i të djathtës me një ish kryeministër të së majtës.

Nga ky moment, ne kemi një Parti Socialiste që duhet të përballojë një koalicion të gjerë të Berishës me dy ish kryeministra të së majtës që janë betuar për shkatërrimin e objektivit polik të Edi Ramës për të çuar sërish Partinë Socialiste në pushtet.

Pyetja e vetme që bëhet tani kur flitet për bashkimin e së majtës, është a duhet Edi Rama të bëjë paqe me dy ish- kryeministrat e kësaj partie? Kjo pyetje tani nuk më kuptim. Edi Rama ka vetëm një detyrim të madh për të majtën shqiptare. Ai duhet të jetë i vëmendshëm dhe duhet të pajtojë strukturat e reja të partisë së tij me militantët e vjetër të PS, me nanoistët dhe LSI-istët që besuan dikur se po luftonin për parime dhe jo për pushtetin e Berishës. Ai duhet të marrë brenda vetes çdo njeri që ka besuar dhe ka dashur Fatos Nanon si socialist apo Ilir Metën si ish kryeministër. Ata që e kanë dashur si një mundësi për para, mundësi për doganier apo drejtor KESH-i, mundësi për ministër apo tra dogane, edhe sikur tu ulet në gjunjë Edi Rama nuk i shkojnë në parti. Ata janë brumbuj që i mbledh plehu i pushtetit. Për këtë arsye ata që janë duke rrëmuar mbi plehrat e këtij pushteti as ke arsye të lodhesh duke bërë teatër për t’i ftuar në themelimin e një partie, e cila përballoi garën për demokraci brenda vetes, por jo garën për pushtet.

KOMENTE