Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Jo poste, por pozita
English

Jo poste, por pozita

Nga Kim Mehmeti

E kaluara ka dhënë shumë prova çka u ndodh popujve që kanë politikanë të paaftë, por askush nuk ia ka dalë të shpjegojë se vallë votuesit mbështesin politikanë si vetvetja, apo politikanët ia dalin që vetveten ta tregojnë të atillë siç i dëshiron populli. Sido që të jetë, historia është përplot shembuj që kanë dëshmuar se populli ka, o politikanët që i meriton, o udhëheqësit që kanë arritur ta gënjejnë. Midis këtyre dy grupeve udhëheqësish politikë, mbetet ajo raca në zhdukje e politikanëve, të cilët shpeshherë edhe nuk veprojnë ashtu siç dëshiron populli, por ashtu siç është më mirë për të ardhmen e atyre që ata përfaqësojnë. E këta quhen vizionarë, janë njerëz që të sotmen e vet politike e flijojnë për të ardhmen më të mirë të shtetit dhe popujve që drejtojnë. Këta janë lloji i politikanëve që u mungon shoqërive shqiptare, lloji që më së shumti u mungon shqiptarëve të Maqedonisë, të cilët aq sa votuan, në numër të barabartë u shprehën pro BDI-së dhe kundër veprimit të saj të deritanishëm politik. Me çka do mbetet përgjithmonë e paqartë se cilin rezultat nga e kaluara trevjeçarë e BDI-së në qeveri e Gruevskit, ata e kanë vlerësuar si sukses që duhet shpërblyer: botimin e “Enciklopedisë maqedonase”, ndërtimin e përmendoreve apo rolin e saj përulës përballë VMRO-DPMNE-së, përballë Gruevskit, që i eci thuajse të gjitha “njëqind hapat” drejt shfytyrimit të Shkupit. Mbase votuesit e BDI-së mund të jenë joshur edhe nga premtimet e kryesuesve të kësaj partie se, ai që do durojë derisa Maqedonia të bëhet anëtare e NATO-së dhe BE-së, një ditë do arrijë përpara dyerve të parajsës. E që vlerësuar sipas asaj sa të rinj e braktisin Maqedoninë, që tani mund të thuhet se pjesa më e madhe e shqiptarëve të këtushëm e kanë realizuar këtë ëndërr dhe janë bërë banorë të Europës pa kufij, duke punuar e jetuar nëpër metropolet e shteteve perëndimore.

Sido që të jetë, paralajmërimet thonë se Maqedonia edhe në të ardhmen do ketë përbërjen e njëjtë qeveritare, të kryesuar nga VMRO-DPMNE-ja dhe të plotësuar nga BDI-ja. Dhe vlerësuar nga ajo që përflitet nëpër mediet e këtushme shqiptare, shihet qartë se thuajse të gjithë janë përqendruar në postet shtetërore që do marrë BDI-ja në përbërjen e ardhshme qeveritare. E që mund të jetë paralajmërim se çdo gjë do të shkojë ashtu siç ka qenë gjer më tani. Gjë që mund t’i mbështesë pohimet se politikanët shqiptarë ende nuk e kanë kuptuar se nuk janë postet ato që ndryshojnë përmbajtjen, por pozita kushtetuese e shqiptarëve të këtushëm është e vetmja zgjidhje që të bën të mos varesh nga ajo se sa vende parlamentare ka fituar Gruevski, apo cili do “oski” tjetër. Pra, vrapimi pas posteve, e jo ngutja drejt zgjidhjes juridike që njëherë e përgjithmonë do e përcaktojë demokracinë konsensuale dyetnike shqiptaro-maqedonase, tregon qartë se politikanët e këtushëm shqiptarë ende nuk e kanë kuptuar se Gruevski edhe nuk e ka gjithaq të rëndë t’i japë më shumë poste BDI-së, e as të paguajë me mijëra shqiptarë të rinj që nuk do punojnë askund nëpër institucionet shtetërore, por ai edhe më tej do bëjë çmos që të dihet kush është sundues i vetëm i shtetit, duke mos pranuar që të ndryshojë asgjë në sistemin juridik të Maqedonisë. Dhe këtë do e bëjë ngaqë ia lejojnë shqiptarët e uritur për poste, e që nuk e shohin se sa shtrenjtë u kushton shqiptarëve e këtushëm çdo post i tyre ministror.

Kur bëhet fjalë për postet shtetërore, shqiptarët më të moshuar e dinë se, për shembull, Maqedonia ka pasur kryeparlamentarë shqiptarë qysh në socializëm, se ky shtet shpesh ka pasur shqiptarë në majat e larta shtetërore, por shqiptarët e këtushëm kurrë deri më tani nuk kanë pasur diçka thelbësore që të bën të jesh qytetar i barabartë: nuk kanë qenë drejtues të shtetit, nuk kanë pasur pozita që të vendosin për të sotmen e të ardhmen e shtetit dhe kurrë interesi shqiptar nuk është përfshirë në atë që quhet interes shtetëror i Maqedonisë. Pra, shqiptarët kanë pasur poste të larta shtetërore edhe atëherë kur nuk kishin parti të vetat si sot, por postet shërbenin vetëm si mbulesë për të mos u parë pozita mjerane e shqiptarëve të këtushëm, vetëm sa të ishte joshëse për të huajt buqeta politike e Maqedonisë. Andaj, ata që e dinë se si mund të bëhesh zot i shtëpisë, e kanë të qartë se atë e drejton ai që mban kuletën dhe çelësin e saj, ai që ka mundësi t’i mbikëqyrë dhomat ku ti banon, por duke mos ta lejuar kurrë që ti të vendosësh për mirëmbajtjen e oborrit të stolisur me përmendore si dhe për rinovimin e mureve dhe kulmit të saj, e që e përbëjnë institucionet e shtetit.

Cilatdo qofshin postet që do i marrë BDI-ja në përbërjen e re qeveritare, nëse nuk ndryshon shumëçka që ka të bëjë me boshtin juridik të një shteti, shqiptarët e këtushëm do mbeten në pozitat që ishin dhe që janë sot e kësaj dite: nën mëshirën e sunduesit maqedonas. E sa i përket mëshirës së Gruevskit, shqiptarët duhet të jenë shumë të kujdesshëm, ngaqë policia e tij të ekzekuton e të burgos pa i dhënë përgjigje askujt. Nuk i përgjigjet askujt, sepse Maqedoninë e bëri pronë të VMRO-DPMNE-së, pronë në të cilën nëse ai vendosë të të burgosë e ti i ankohesh Ali Ahmetit, ky i dyti do kërkojë nga opinioni i këtushëm shqiptar që të mos i politizojë ngjarjet dhe të mos merret me punët të vogla që e pengojnë realizimin e ëndrrës së madhe – anëtarësimin e shtetit në NATO dhe BE. Pra, sa u përket pushtetarëve shqiptarë që aq i duan postet, ju do kalbeni në burg dhe do u mbetet të lusni Zotin që ky shtet, o sa më shpejtë të anëtarësohet në strukturat euroatlantike, o të zhbëhet. Gjë që shqiptarët e këtushëm e kanë shijuar hidhur gjatë dekadave të kaluara dhe që e shijojnë edhe sot. Gjë që të çon të mendosh se mbase gjërat do mbeten kështu siç janë, përderisa shumë nga kryesuesit e BDI-së edhe vetë janë peng i dosjeve të Hagës dhe të dosjeve të tjera gjyqësore ku i futi Gruevski ata e të afërmit e tyre, duke dashur që shqiptarëve të këtushëm t’ua bëjë me dije atë që dihet: se ata janë të kapur në kthetrat e një politike që lufton për poste sa për ta mbuluar vetveten, e jo për ta çuar përpara pozitën e popullit që përfaqëson.

Kuptohet, tani shumëçka varet nga BDI-ja. Dhe çdo gjë do përcaktohet nga ajo sa udhëheqësit e saj e kanë kuptuar se forca e cilësdo parti shqiptare nuk varet nga dobësia e partive maqedonase, por nga e vërteta se Gruevski e Maqedonia nuk mund të kenë qeveri legjitime pa e pranuar atë shqiptare si të vetën. Logjika se forca e partive shqiptare varet nga dobësia e partive maqedonase është mendësi vasale që duhet ndryshuar sa më shpejt, ngaqë nëse pranohet kjo logjikë, atëherë interesi shqiptar do jetë gjithmonë i varur nga tregtitë që do i bëjnë partitë e koalicionit qeverisës gjatë ndarjeve të posteve, e jo nga rendi kushtetues i vendit. Kështu që BDI-ja nuk duhet të luftojë për poste, por për pozitë që atë do ta bëjë shtetdrejtuese. Pra, për pozitë kushtetuese që nuk të bën të varur nga vullneti shumicë i popullit maqedonas, por nga e vërteta se në themelet e këtij shteti interesi shqiptar është po aq interes shtetëror sa edhe ai maqedonas. Nëse nuk realizohet kjo, atëherë duhet thënë qartë që tani: Maqedonia nuk vuan nga ndonjë sëmundje kaluese që shërohet me ilaçet e ardhura nga NATO dhe BE-ja, por ajo është e sëmura akute e këtij Ballkani, e të cilën do mund ta shëndoshë vetëm ndonjë ndërhyrje kirurgjike. E deri sa të konstatohet sëmundja e vërtetë nga e cila vuan Maqedonia, asgjë nuk vlen, as shkrimet, as humbësit e fituesit shqiptarë të zgjedhjeve të këtushme të rregullta e të parakohshme parlamentare. Gjë që e çon autorin e këtij teksti ta ndiejë se mbase ka ardhur koha kur duhet heshtur dhe duhet lënë çdokush ta portretojë vetveten me ngjyrat e asaj që din e që bën. Ngjyra që do shihen gjithnjë e më qartë në të ardhmen, atëherë kur të gjithë neve do na “votojnë” gjenerata që vijnë.

KOMENTE