English

Masakra me armë zjarri në mes të ish-Bllokut, një i vdekur e 2 të plagosur

Tiranë, 13 Qershor 2011 NOA Update Ervin Tirana – Vrasje me armë zjarri ka ndodhur mbrëmjen e sotme në zonën e ish-Bllokut në Tiranë duke shkaktuar panik mes njerëzve që ndodheshin në lokal dhe qytetarëve të shumtë që lëvizin në rrugën ku ndodhi incidenti.

Burime në vendngjarje i thanë agjencisë NOA se ngjarja ka ndodhur në zonën e ish-Bllokut, në lokalin “Barocco” (Baroque), te rruga “Ismail Qemali”, pranë kryqëzimit, ngjitur me bankën BKT në zonën e ish-bllokut, Tiranë.

Burimet bëjnë të diture se me armë zjarri është qëlluar pranë lokalit, në drejtim të tre të rinjve duke i plagosur. Një prej tyre, Nadir Zenelaj, 32 vjeç nga Burreli, ka mbetur i vdekur kurse dy të tjerët të plagosur. Mes tyre, vëllai i të ndjerit, Arben Zenelaj.

Policia konfirmoi për agjencinë e lajmeve NOA se të tre të plagosurit janë dërguar menjëherë në Spitalin Ushtarak, por nga plagët e marra ka vdekur Nadir Zenelaj, vëllai i tij Arben Zenelaj ndodhet në spital baskë me personin e tretë të plagosur, identiteti i të cilit ende nuk konfirmohet.

Në vendngjarje bashkëpunëtori i agjencisë NOA raportoi se situata u bë e nderë gjatë minutave të pas incidentit, pasi njerëzit u frikësuan nga plumbat e qitura me pistoletë duke u përpjekur të ruhen përmes uljes poshtë tavolinave apo vrapimit për të shmangur qëndrimin në zonën e rrezikuar.

Policia tha se një person ka qëlluar pranë lokalit duke kryer vrasjen, kurse priten të dhëna të tjera që do t’jua sjellim në edicionin e lajmeve të NOA ora 00.00.

a.e/NOA

Ne foto: Lokali prane te cilit ndodhi vrasja

KOMENTE