English

Meta: Rezultati i 8 majit, pse nuk ishte një surprizë

Zgjedhjet e 8 majit dhe rezultati i forcës suaj politike ishin deri diku surprizë le të themi. Në fakt, ajo që ju kishit premtuar për një rritje të votave për LSI-në në këto zgjedhje u shndërrua në realitet. Çfarë do të thotë kjo për ju si kryetar i LSI-së dhe si do të organizohet më tej LSI-ja për zgjedhjet e ardhshme?

Në radhë të parë dua të falënderoj të gjitha ata që votuan dhe besuan LSI-në dhe kandidatët e saj si për kryetar bashkie dhe komunash, ashtu edhe për këshillat vendore. Dhe së dyti mund të them se rezultati i 8 majit nuk ishte një surprizë për mua dhe në përgjithësi për ekipin drejtues të LSI-së. Por natyrisht 8 maji është vetëm një stacion në të gjithë strategjinë e LSI-së, jo vetëm për t’u fuqizuar si një alternativë e komunitetit, por edhe si një alternativë politike që kontribuon për stabilitetin e vendit, për integrimin e tij dhe mbi të gjitha si një forcë politike, e cila synon të sjellë dhe të shtojë energjitë pozitive në politikën shqiptare, që ka kaq shumë nevojë për t’u detoksikuar nga një filozofi dhe retorikë destruktive dhe konfliktuale. Në këtë drejtim unë besoj se 8 maji përbën dhe një bazë shumë të mirë për analizën tonë se çfarë duhet të përmirësojmë më tej në të ardhmen në mënyrë që rezultati i sfidës më të afërt, asaj të qershorit të vitit 2013 të jetë akoma dhe më i mirë për LSI-në. Gjithashtu, mendojmë që në këtë mënyrë fuqizohen mundësitë e LSI-së për të kontribuar për mirëqeverisjen e vendit dhe njëkohësisht edhe për evropianizimin e politikës shqiptare.

A keni ju një koment në lidhje me deklaratat e z. Rama se në rast se ai nuk shpallet fitues i Bashkisë së Tiranës nga kolegji rrezikohet integrimi i vendit në BE?

Mendoj se shantazhe të tilla të rëndomta ndaj institucioneve dhe aq më tepër ndaj gjykatave janë të papranueshme aq më tepër kur bëhen nga një përfaqësues i një force politike të rëndësishme sikurse është Partia Socialiste. Shantazheve të tipit nëse nuk më lini Bashkinë e Tiranës do të bëhet qameti, mendoj se u ka ikur koha. Besoj se është e domosdoshme që gjykatat dhe në rastin konkret edhe kolegji të vendosi bazuar mbi ligjin dhe jo mbi dëshirat apo mbi presionet e kandidatëve.

Këto kërcënime apo shantazhe siç i cilësoni ju, a mos janë edhe një nxitje pasigurie ndaj qytetarëve shqiptarë?

Sigurisht që qëndrime të tilla të cilat nuk janë të reja dhe as të veçuara, por që janë pjesë e një kursi destruktiv, shantazhesh ndaj institucioneve edhe ndaj sigurisë publike të qytetarëve, janë pjesë e një filozofie të tërë destruktive dhe konfliktuale. Ndaj unë besoj se Kolegji Zgjedhor do të vendosi në përputhje me ligjin dhe ne do ta respektojmë, cilido vendim që do të japë kolegji.

Z. Meta të dielën u festua 20-vjetori i PS-së, ju nuk morët një ftesë ndërkohë që jeni një nga njerëzit që keni themeluar këtë forcë politike dhe që keni ndihmuar edhe z. Rama të vijë në pushtet. Si u ndjetë që nuk ishit i ftuar?

Të dielën jam ndjerë shumë mirë sepse isha me familjen time, me fëmijët e mi duke pushuar dhe ka qenë vërtetë një ditë e mrekullueshme. Për sa i takon 20-vjetorit të themelimit të Partisë Socialiste, ky ishte një moment i rëndësishëm për politikë shqiptare dhe pavarësisht nga diferenca midis PS-së që u krijua 20 vjet më parë e që kontribuoi për një dekadë e gjysmë në inkurajimin e proceseve demokratike dhe organizuese të Shqipërisë dhe PS-ja që shfaqet sotnjë parti bllokuese të këtyre proceseve dhe tejet konfliktuale, unë përsëri mendoj që ka qenë një moment për të shprehur një mirënjohje për kontributin që kanë dhënë të gjithë ata të cilët ndikuan jo vetëm në themelimin e kësaj force politike, por edhe në kontributet pozitive që ajo dha për të mirën e vendit. Dhe njëkohësisht shpresoj që ky 20-vjetor të jetë një ditë reflektimi që kjo forcë politike të mos vazhdojë të bojkotojë traditat evropiane të socialistëve shqiptarë.

KOMENTE