English

Ristani: Do numërojmë të gjitha votat në kutitë e gabuara

Tiranë, 14 qershor 2011, NOA Update – Një ditë pas vendimit të Kolegjit Zgjedhor që pranoi pjesërisht ankesën e Partisë Socialiste dhe vendosi për hapjen e 368 kutive të bashkisë së Tiranës dhe numërimin e votave të hedhura në kutitë e gabuara, ka reaguar edhe Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Arben Ristani, i cili e vlerësoi këtë vendim duke paralajmëruar se KQZ do të hapë të gjitha kutitë për të vlerësuar të gjitha fletët që nuk janë hedhur në kutinë e duhur.

Ristani theksoi se votat do të numërohen e do të tabulohen në tabelën përmbledhëse, kryesisht, për kryetarin e Bashkisë Tiranë.

Në reagimin e tij kryekomisioneri Ristani bëri me dije se KQZ do të nisë hapjen e kutive vetëm pasi të ketë në dorë arsyetimin e Kolegjit Zgjedhor.

Më tej lexoni reagimin e plotë të kryetarit të KQZ-së Arben Ristani

Z. Ristani, dje Kolegji Zgjedhor, pranoi pjesërisht kërkesën e PS-së, duke rrëzuar vendimin tuaj nr. 827 dhe urdhëroi numërimin e votave të pavlerësuara dhe ato që ndodhen në zarfet e fletëve të votimit të kontestuara dhe në kutitë e tjera. Si e gjykoni këtë vendim?

A. Ristani: Së pari, ajo që konstatoj me shume kënaqësi është fakti se, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka patur si qëllim numërimin e votës së çdo shqiptari, ka organizuar një procedurë në funksion të këtij qëllimi, për të numëruar çdo votë të shqiptarëve dhe e gjithë procedura dhe vendimmarrja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve është konsideruar e drejtë, e bazuar totalisht në ligj dhe procesi ka qenë krejtësisht i rregullt, i konfirmuar tashmë, për të dytën herë, dhe nga vetë vendimi i Kolegji Zgjedhor. Edhe pse ende jemi në pritje të arsyetimit të plotë të vendimit të Kolegjit, ajo që duket qartë është se, Kolegji kërkon një hetim të mëtejshëm të çështjes, për të shkuar me tej, me hapjen edhe të kutive të tjera, të cilat nuk janë hapur nga ne deri më tash. Më duhet të nënvizoj një element: është fakt i pakundërshtueshëm se, gjatë gjithë procedurës që u krye, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u ka kërkuar më këmbëngulje subjekteve politike që të paraqesnin para tij, çdo pretendim të tyre, pasi vullneti ynë i plotë ka qenë për ta kryer këtë procedurë me iniciativën tonë, para se ta urdhëronte Kolegji Zgjedhor. Por, më mirë akoma, në këto kushte që jemi, do të procedojmë me hapjen e të gjitha kutive, sikundër parashikon vendimi i Kolegjit, do të vlersëojmë të gjitha fletët që nuk janë hedhur në kutinë e duhur, do t'i numërojmë ato dhe do t'i tabulojmë në tabelën përmbledhëse, kryesisht, për kryetarin e Bashkisë Tiranë

Z. Ristani kur do të filloni procedurën?

A. Ristani: Ne do të fillojmë nga puna sapo të na vijë zytarisht arsyetimi i Kolegjit Zgjedhor. Pa këtë vendim është e pamundur të fillojmë, pasi na duhet të dimë me saktësi vendimin dhe çfarë synon konkretisht Kolegji me këtë urdhërim.

Në këto kushte do të duhet që kryetarin e Bashkisë Tiranë ta certifikojë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve?

A. Ristani: Kryetari i Bashkisë Tiranë është certifikuar tashmë nga Komisoni Qendror i Zgjedhjeve. Ky është një proces i mbyllur nga ana e Komisionit. Ajo që kërkohet, me aq sa ne jemi dijeni, është praktikisht vjimi i procesit ankimor, që është në zhvillim.

A do të kemi riformatim të tabelës përmbledhëse?

A. Ristani: Sigurisht që do të rifomatohet tabela përmbyllëse e rezultatit, por sikundër e theksova, Komisioni Qendor i Zgjedhjeve e ka dhënë tashmë një vendim, duke certifikuar kryetarin e Bashkisë Tiranë, pavarësisht, cili është ai pasi kjo nuk është në intersin e punës së KQZ. Ka një proces ankimor, në fund të të cilit mund të ketë ndryshime të tjera ose jo, por është një aspekt që nuk ka rëndësi për ne. Ajo që është e rëndësishme ëshë se kemi ndejkur një procedurë e, tashmë të vërtetuar si ligjore, e drejtë dhe e saktë edhe nga Kolegji Zgjedhor.

Nga kush do kryhet numërimi i kërkuar nga Kolegji Zgjedhor?

A. Ristani: Numërimi do të kryhet nga KQZ-ja, grupe numërimi të ngritura nga administrata e Komsionit Qendor të Zgjedhjeve.

A do të jetë i hapur ky proces për median?

A. Ristani: Sigurisht. As vihet në dyshim. Sikundër e keni konstatuar edhe vetë, veprimtaria e KQZ është krejtësisht e hapur për median dhe publikun e gjerë. Një nga aspektet që përbën krenarinë e punës së Komisionit Qendor të Zgjedhjeve është transparenca maksimale.

Sa mendoni se do të zgjasë ky proces?

A. Ristani: Është e vëshirë ta them, por ndoshta në kufijtë e një jave.Është një vendimmarrje ku duhen 5 vota në KQZ apo vendimmarje e thjeshtë?

A. Ristani: Vendimi merret me shumicë të thjeshtë.

A do të kemi rakordim të numrit të votuesve me fletët e votimit?

A. Ristani: Është e nevojshme të shohim se çfarë ka urdhëruar konkretisht Kolegji Zgjedhor, por besoj se ne do të bëjmë një rakordim të plotë.

A ka ndonjë lloj paqartësie nga ana e KQZ-së lidhur me fletët e hedhura në kutinë jo të duhur me fletët e votimit të kontestuara?

A. Ristani: Nga ana jonë nuk ka asnjë paqartësi. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka qenë gjithmonë i qartë në procedurën ndjekur prej tij. Ne kemi kërkuar për fletët e vlefshme të votimit, kudo ku ato janë ndodhur, si në zarfin e fletëve të pavlefshme ashtu dhe në atë të fletëve të votimit të kontestuara. Paqartësitë kanë ekzistuar te KZAZ-të gjatë zhvillimit të procesit, paqartësi të cilat detyruan komisionin që të ndrynte për të zgjidhur situatën. Por, nga ana jonë nuk ka patur as dhe për një çast të vetëm, as edhe një paqartësi sado të vogël, lidhur me këtë proces.

mit/NOA

KOMENTE
  • Niku Balla20:56 - 14 Qershor 2011
    shume i drejte vendimi i kolegjit por cili eshte faji jone qe rrime pa kryetare bashkie,nderkohe qe kemi boll pa kruetare qe ne vitin 2009