English

Zgjedhjet e parakohshme në Maqedoni, shpallen rezultatet përfundimtare

Shkup, 14 qershor 2011, NOA – Nëntë ditë pas mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Maqedoni, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve shpalli sot rezultatet përfundimtare zyrtare të zgjedhjeve të 5 qershorit.

KSHZ bën me dije se në zgjedhje kanë votuar 1.156.449 qytetarë apo 63,48 përqind e zgjedhësve të përfshirë në listat zgjedhore.

Nga rezultatet zyrtare pas përfundimit të afateve për parashtresa dhe ankesa, 1.124.064 fletëvotime janë shpallur të vlefshme, 31 mijë fletëvotime të pavlefshme dhe 665 mijë të papërdorura.

Koalicioni "Për Maqedoni më të mirë" i udhëhequr nga VMRO-DPMNE e kryeministrit Nikolla Gruevski ka fituar 438.138 vota apo 38,98 përqind, koalicioni i udhëhequr nga LSDM e Branko Bërvenkovskit 368.496 vota apo 32,78 përqind, BDI e Ali Ahmetit 115.092 vota apo 10,24 përqind, PDSH e menduh Thaçit 66.315 vota apo 5,90 përqind, RDK 29996 vota apo 2,67 përqind, DR 19958 vota apo 1,78 përqind, Të Bashkuar për Maqedoninë 17.081 vota apo 1,52 përqind si dhe partitë e tjera.

NOA/INA

KOMENTE