English

Rrethi i turpit në Mitrovicë

Nga Nexhmedin Spahiu

Tre vjet më parë, udhëkryqi kryesor në qytetin e Mitrovicës u shndërrua në rreth-rrotullim me një investim prej 29 mijë eurosh. Ky rreth-rrotullim nuk ishte ku me dit çfarë vepre e bukur, por ishte funksional. Me pretekstin që ky rreth-rrotullim nuk është funksional sivjet, edhe pse kishin kaluar vetëm 3 vjet nga rregullimi i tij…u dha tenderi 200 mijë euro për t’u rirregulluar. Para disa ditësh, rreth-rrotullimi u lëshua në përdorim dhe autobusi i parë që kaloi aty u bllokua ngase staza ishte tepër e ngushtë dhe harku tejet i vogël për të qarkulluar. Sheshi u mbyll sërish dhe kësisoj shpërtheu skandali. Ky shesh është kryqëzimi i dy rrugëve kryesore të Mitrovicës. Fatkeqësisht, Mitrovica, edhe pse qytet me mbi njëqind mijë banorë, ka vetëm 2 rrugë me katër korsi, të cilat kryqëzohen pikërisht në sheshin për të cilin po bëhet fjalë. Rikthimi i artit soc-realist Për të qenë ironia edhe më e madhe në vend të fontanës që ishte më parë në mes të rreth-rrotullimit, tani janë vendosur ca vagoneta të ndryshkura që kanë shërbyer për bartjen e xeheve. Mitrovica është e stërndotur me plumb. Vetëm edhe këto hekurishte të ndryshkura, që ku ta dimë se sa xehe plumbi kanë bartur, i nevojiteshin në sheshin qendror. 22 vjet pas pluralizmit politik në Ballkan, u erdhi radha nostalgjikëve të Realizmit Socialist për të helmuar me plumb qytetarët në sheshin qendror të Mitrovicës. Arsyet e këtij skandali Përse ndodhi ky skandal? Përse në komunën ku shumica e fshatrave nuk kanë rrugë të asfaltuara, ku më se 40% e rrugicave janë të paasfaltuara, ku shumë lagje nuk kanë fare kanalizim, ku ka shumë të pastrehë, ku ka mungesë hapësirash të gjelbëruara e mungesë parkingjesh investohet vetëm në qendër të qytetit dhe bëhen të njëjtat punë brenda 3 vitesh? Filozofia e PDK-së në nivel lokal Ky skandal është rezultat i filozofisë politike të PDK-së në nivel lokal. 1. Është filozofia hakmarrëse ndaj elektoratit që nuk e votoi PDK-në. Edhe në lagjet ku rezultati zyrtar tregon fitore të kandidatit të PDK-së, thuhet se “nuk investojmë te ju se nuk keni votuar për ne”. Në deklaratat se “në lagjen tonë ka fituar PDK-ja”, pason përgjigjja se “e dimë ne se si kemi fituar”. Meqë sipas kësaj del se kandidati i PDK-së në Mitrovicë nuk ka fituar në asnjë lagje, atëherë, për t’u vjedhur paratë publike e për të mos përfituar ata që nuk e votuan atë, investimet bëhen pa nevojë vetëm në qendër të qytetit. Dhe kur investohet diku tjetër, atëherë bëhet vetëm për të bërë dëm, siç është rasti i vendimit për Fabrikën e Riciklimit të Mbeturinave në të vetmen lagje akoma të pakontaminuar, atë të Fushë-Ibrit, ku ndodhen disa restorante të mira që frekuentohen nga klientë nga mbarë Kosova. Dhe, duke vënë rruaza në pe, kësisoj edhe i zuri taksirati me skandalin e rreth-rrotullimit. Vetëm duke krahasuar shifrat 29 mijë euro gjatë pushtetit të LDK-së dhe 200 mijë euro në pushtetin e PDK-së, kupton shumëfishitetin e paskrupullsisë së zhvatjes së parasë publike të këtyre të fundit. Pllaka e detyrueshme me ligj se kush është investitori, projektuesi dhe realizuesi i punimeve nuk është vënë fare. Kështu, publiku nuk e di se kush është arkitekti që e projektoi projektin e dështuar, që në fakt është personi nr. 1 që duhet të japë përgjegjësi penale për këtë dështim që dëmtoi interesin publik për më se 200 mijë euro. Përgjegjësia e projektuesit, drejtorit për Zhvillim dhe kryetarit të komunës Përgjegjësisë penale nuk mund t’i ikë as drejtori i Drejtorisë për Zhvillim, as kryetari i komunës. Deri tani turpi u takon këtyre të treve, por tani e tutje, nëse nuk ndërmarrin masat për të cilat i detyron ligji, turpi mund t’u takojë edhe shumë të tjerëve. Turpi mund t’i takojë Prokurorisë Komunale në Mitrovicë, Prokurorisë së qarkut në Mitrovicë dhe kryeprokurorit të shtetit, Ismet Kabashi, që vjen nga Mitrovica dhe nuk mund të bëjë sikur s’po sheh asgjë. Nëse dikush, me injorancën dhe papërgjegjësinë e vet, bllokon një qytet 100 mijë banorësh, vallë çka pret prokurori? Pale, pastaj, 200 mijë euro të taksapaguesve që shkuan për dhjamë qeni! Turpi do të bjerë edhe mbi rektorin e Universitetit të Prishtinës, nëse pas këtij skandali nuk ndërmerr procedurën e zhvlerësimit të diplomës së arkitektit që ka nënshkruar këtë projekt skandaloz. Turpi do të bjerë edhe mbi mediat, nëse ato nuk merren me këtë skandal. Nëse ky skandal në Mitrovicë kalohet pa u dënuar, atëherë secila komunë e Kosovës mund ta fitojë rrethin e vet të turpit. Mediat që pretendojnë të jenë të pavarura dhe neutrale, si dhe ato opozitare, kanë rastin të shohin se si korrespodentët e tyre ua ka korruptuar udhëheqësia komunale e Mitrovicës, me çfarë të drejte morale e konsiderojnë veten media të pavarura, e jo tellallë të pushtetit. Kur turpi ndodh në qendër të qytetit, është detyrë e të gjithë qytetarëve të distancohen nga turpi, se ndryshe bëhen edhe ata me turp.

Gazeta "Panorama"

KOMENTE