English

Beteja për Tiranën vazhdon, Basha në avantazh me 86 vota

Tiranë, 18 qershor 2011, NOA Update – Nga numërimi i deritanishëm i votave në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, rezulton se për kandidatin e koalicionit “Aleanca për Qytetarin” Lulzim Basha kanë dalë tetë vota të hedhura në kutitë e gabuara, ndërsa për kandidatin e koalicionit “Aleanca për të Ardhmen” Edi Rama janë gjetur tri vota të hedhura gabimisht në kutitë e tjera.

Avantazhi rishtas i takon kandidatit demokrat Lulzim Basha, i cili numëron 86 vota më shumë se kandidati socialist Edi Rama.

Ndërkohë në tetë grupet e numërimit të votave, vijon numërimi i fletëve të kontestuara, ku fletët e votimit numërohen vetëm nga përfaqësuesit e KQZ-së, ndërsa ky proces vëzhgohet nga afër nga vëzhguesit e subjekteve zgjedhore.

Numërimi i kutive të KZAZ-së nr. 45, vijon nën mbikëqyrjen e anëtarëve të KQZ-së, të cilët kanë vërejtur edhe parregullsi në kodet e kutive.

Përfaqësuesi ligjor i PS-së Genci Gjonçaj evidentoi tre raste kur kodet e kutive të votimit nuk korrespondojnë.

Gjonçaj thekson se duhet të hetohen këto raste për shkak se ato mund të jenë ndryshuar rrugës, e për rrjedhojë ndryshohet edhe rezultati për Tiranën, që tabulohet më pas nga KQZ.

Nga numërimi i kutisë 16/99/2, i KZAZ-së 45 rezultuan dy vota për Lulzim Bashën.

Në kutinë 16/89/1 u gjet 1 votë e hedhur në kutinë e gabuar që ishte në favor të kandidatit të majtë Edi Rama.

Në kutinë 17/04 rezultuan 2 vota në favor të Lulzim Bashës dhe 1 votë në favor të Edi Ramës.

Në kutinë 16/86 ndër nëntë votat e vlefshme, vetëm njëra ishte për kandidatin për kryetar bashkie, Lulzim Basha.

Numërimi në KQZ i votave të hedhura në kutitë e gabuara vijon ethshëm në të tetë grupet e numërimit, një proces që do të përmbyllet vetëm me numërimin e plot 1793 kutive, nga 368 qendra votimi në Tiranë.

mit/NOA

KOMENTE