English

Ofertë e re: Doni dru nga ushtria a nga policia

Aq më parë që edhe mediet bëhen pjesë e këtij konspiracioni apo grusht-shteti moral, antinjerëzor dhe antikombëtar

Nga Behxhet Sh. Shala

Bashkimi i ideve apo bashkimi i stupcave: Agim Çeku dhe Bajram Mitrovica u ulën si burrat dhe biseduan gjerë e gjatë. Nuk kam informata se për çka kanë biseduar por mendja më thotë se kanë kuvenduar për problemet me të cilat po përballet Republika e Re e Kosovës. Dihet mirëfilli se angazhimi i shumicës së politikanëve kosovarë sot është që përmes sakrificës personale dhe vetëmohimit të japin kontributin e tyre në forcimin e demokracisë në Kosovë, afirmimin dhe jetësimin e proceseve integruese në BE dhe në NATO. Dhe se çka do të bëhet me Veriun, Lindjen, Perëndimin, Qendrën dhe Jugun e Kosovës. Nuk është kjo barrë e lehtë për politikanët tanë. Besoj se as gjumë të mjaftueshëm nuk bëjnë. Pikërisht se janë shumë të brengosur. Ata janë shumë kursimtarë sepse Buxhetin e Kosovës e konsiderojnë si të ishte i tyri andaj kursejnë për ditë të “ zeza “. Milionat e bardhë, për ditë të zeza. Ne, populli që jemi vdekatarë të rëndomtë e durojmë dhe e bëjmë sepse e kemi për detyrë. Ndryshe, si do ta siguronin politikanët faturën për patriotizëm dhe demokraci. Faturën për patriotizëm ua sigurojmë ne, populli kurse atë për demokraci miqtë ndërkombëtarë. Me të drejtë do të besoni se biseda midis personit A dhe personit B ka të bëjë me luftimin e krimit të organizuar në Kosovë, integrimin e Veriut dhe shtrirjen e sovranitetit në të gjithë Kosovën përjashtuar territoreve që administrohen nga Serbia, UNMIK dhe EULEX. Ashtu edhe do të duhej të ishte. Por, nuk është ashtu. Në Kosovën e pasluftës opinioni nuk formohet në bazë të punëve ( sepse vepra nuk ka ) por në bazë të fjalëve të cilat janë për një përdorim. Sa më të forta të jenë ato, vlerësimi është më i madh. Mbi një infrastrukturë kurrfarë hiç po bëhen përpjekje të mbindërtohen vlerat njerëzore, morale, kombëtare, intelektuale etj. Gjithashtu, pas përfundimit të luftës më së shumti flitet për integrimin e Veriut dhe bashkimin e qytetit të ndarë dhunshëm të Mitrovicës në kohën kur në fakt është përligjur edhe me aktin më të lartë juridik formimi i dy komunave, dy Mitrovicave. Veriu i Mitrovicës edhe zyrtarisht udhëhiqet nga kriminelët dhe banditët ndërsa Jugu i Mitrovicës ndonëse zyrtarisht udhëhiqet nga Avni Kastrati, pushtetin real e kanë banditët dhe kriminelët, ndryshe përfitues të luftës, në kohë të paqes. Dhe jo vetëm në këtë komunë. Prandaj, pritjet se do të ndryshojë kjo situatë për të mirë me nënshkrimin e marrëveshjes midis FSK dhe Policisë së Kosovës për bashkëdyzimin e stupcave, duket se nuk do të prodhojë asgjë përveç spekulimeve mediale mbi motivet dhe qëllimet e kësaj “ martese” të pazakonshme për shtetet demokratike, gjysëmdemokratike ndërsa e zbatueshme për shtetet diktatoriale dhe ato ku sundon junta ushtarake. Republika e Kosovës është dikund në mes, edhe sa i përket demokracisë, edhe sa i përket diktaturës. Delegimi i përgjegjësive krejtësisht policore një organizate të cilën “ miqtë “ ndërkombëtarë e konsiderojnë si civile e cila është përgjegjëse për ndërhyrje në rast të fatkeqësive natyrore ; zjarret, vërshimet, tërmetet etj, etj. në fakt nënkupton shndërrimin e e saj në një formacion paramilitar e cili do t’i mbronte interesat partiake dhe jo ato të shtetit të Kosovës. FSK, së pari do të duhej të bëhej ushtri për çka nuk ka gjasa se do të ndodhë shpejt dhe të merret me çështje ekskluzivisht ushtarake ndërsa Policia e Kosovës duhet të merret me luftimin e krimit dhe zbatimin e ligjit në tërë territorin e Kosovës e jo të flirtojë me FSK duke e ruajtur atë si resurs strategjik për intervenime, arrestime, ndalime dhe operacione tjera që nuk i përkasin një organizate civile. Mirëpo, dihet botërisht se nuk ka demokraci pa ekonomi të tergut dhe pa kultivimin e konkurrencës që nënkupton mundësi të barabarta për të gjithë. Edhe për të ofruar shërbime edhe për të zgjedhur shërbime. Në këtë frymë e kuptoj edhe marrëveshjen e nënshkruar midis personit A ( FSK ) dhe personit B ( PK ). Këta ofrojnë shërbimet e tyre të mira ndërsa ne vendosim ; a duam të na rrah “ushtria” apo policia. Sepse, konkurrenca e ngritë cilësinë e shërbimeve. Shpresoj edhe në këtë rast.

“ Matufët “e mbitokës dhe tartufët e nëntokës: Adem Demaçi është shqiptar i cili ka kaluar thuaja 30 vite burg të rëndë nëpër llogoret e ish Jugosllavisë duke luftuar për lirinë e popullit të vet dhe lirinë e të gjithë popujve të robëruar. Ishte cilësuar si armik i Jugosllavisë dhe i Serbisë i cili punonte me ngulm për shkatërrimin e tyre. Vetëm të mendosh se duhet t’i kalosh 30 vjet në burg për ata që nuk besojnë në Zot e as në atdhe dhe liri është punë që nuk bëhet, është luftë e Don Kishotit dhe veprim i barabartë me çmendurinë. Të tillë e kanë konsideruar disa sllavofilë që sot i gëzojnë të gjitha privilegjet e mundshme madje jetojnë më mirë se në kohën e rrogtarllëkut të tyre që u bënin serbëve kundër interesave kombëtare. Të tillë e kanë konsideruar edhe ajka e “rezistencës “ paqësore në me krye presidentin “ historik “. Të tillë e kanë konsideruar edhe disa bashkëvuajtës të burgjeve të cilët në rastin e parë “kur i kanë rënë kajmakut” u ka rënë ndër mend se ata janë normal ndërsa Baca Adem qenka çmendur. Të tillë e kanë konsideruar edhe do bashkëluftëtarë të tij që përfituan dojç marka të gjakut ( luftës ) dhe djersës ( puna e mërgimtarëve dhe kontributet brenda Kosovës ). Heronjt e luftës të shndërruar në kriminelë, zhvatës banditë etj. akuzonin Adem Demaçin se paska “ rrjedhur nga mendtë”. Sikur dikur regjimi stalinist që e akuzonte gjeniun dhe patriotin suprem Lasgush Poradecin se kishte luajtur endësh. Është rregull te shqiptarët e sidomos te kosovarët të akuzosh ate që qëndron i palëkundur dhe nuk u bindet skenarëve kundër shtetit si dhe interesave kombëtarë se ka luajtur, se ka devijuar nga interesat kombëtare si mënyrë më efikase për margjinalizim dhe diskualifikim. Aq më parë që edhe mediet bëhen pjesë e këtij konspiracioni apo grusht-shteti moral, antinjerëzor dhe antikombëtar (një pjesë e tyre). Një lider politik i Kosovës gjatë një vizite në Republikën e Nikolla Gruevskit duke folur për rolin e Adem Demaçit në proceset politike në Kosovë dhe planin gjithkombëtar ka deklaruar se Baca paska luajtur një rol në të kaluarën ndërsa tani meqë qenka matufosur nuk është në gjendje të kontribuojë për realizimin e agjendës me vetëm një pikë; ate të bashkimit kombëtar. Me një fjalë, Adem Demaçi qenka e kaluara e Kosovës, histori e mbaruar ( diçka të ngjashme pati deklaruar një teneçexhi i Amerikës i cili do të mbahet mend për promovimin e rrugaçërisë në Kuvendin e Kosovës ). Të deklarosh se Adem Demaçi qenka matufosur është e barabartë me deklarimin se Adem Jashari ka luftuar dhë është vrarë duke mbrojtur interesat e Serbisë. Sot, Adem Demaçi është personi më i censuruar në Kosovë. Më shumë i ipet hapësirë kohës për reklamimin e sloganit patriotik për “ tjegullat Mlladost “ se sa Bacës. Edhe ajo hapësirë që i ipet Adem Demaçit paraqitet sikur të ishte në pasqyrën e shtrembëruar duke i hequr përmbajtjen dhe duke paraqitur një version të shëmtuar. Të gjithë kanë bërë përpjekje të manipulojnë me Adem Demaçin dhe kanë besuar se kanë arritur qëllimin. Mirëpo, të gjithë këta nuk e kanë kuptuar se Baca Adem nuk “ manipulohet “ nga këta injorantë por se “ manipulohet “ për të mbrojtur interesat e Kosovës dhe shqiptarëve. Ai, të cilit po i drejtohem me këto fjalë është lehtë i identifikueshëm andaj e pres reagimin e tij dhe mbase opinioni do të vlerësojë nëse Adem Demaçi mund të shpallet matuf nga një tartuf ( tip dyfytyrësh dhe hyjni e rreme në komedinë me të njëjtin emër të Molierit ) i nëtokës së dikurshme kosovare dhe pjesë e” lidershipit” të tashëm kosovar. Prandaj, lehtë mund ta provoni “ matufllëkun” e Adem Demaçit duke i dhënë hapësirë 2 orëshe në televizionin publik dhe ato private. Shumë lehtë mund të provohet, pse jo. Këta që e akuzojnë Adem Demaçin për matufllëk janë pionë të thjeshtë në një lojë shahu ku maksimumi i tyre mund të jetë shndërrimi në vetëm një figurë, atë të kalit e kurrsesi në mbret apo mbretëreshë. Dikush është i parapaguar që tërë jetën ta luaj lojën e kalit. Të Trojës apo të Kosovës, nuk ka rëndësi shumë.

Hapja e dosjeve apo procesi i lustracionit: Me të mësuar se dosjet nuk do të hapen shumë të pafytyrë apo tartufë janë shndërruar në patriotë. Kur po bisedoj me ta dhe kur po më tregojnë se ç’paskan bërë për Kosovën po turpërohem të tregoj se kam bërë afërsisht 9 vite burg për lirinë e Kosovës. Madje, një harambash i skenës politike kosovare e paska vënë në peshojë patriotizmën time duke dyshuar meqë nuk qenkam në grazhdin patriotik të tij. Kam qenë dhe jam kundër hapjeve të dosjeve sepse Kosova do të kundërmonte keq dhe do t’i ngjante rrugëve të Prishtinës të vërshuar me ujëra të zeza, pas të reshurave të shiut. Pastaj, një mik imi i shpirtit dhe çështjes kombëtare, Tahir Zhidovi më pati treguar se ka qenë shumë i dëshpëruar kur i ka rënë në duar dosja e tij meqë është përballur me një situatë që, ata që u ka besuar shumë në fakt ka qenë shpura e informatorëve dhe spiunëve që e kanë denoncuar për vite me radhë, 24 orë në ditë. Sot, këta në Kosovë krijojnë opinione, janë këshilltarë të lartë, mbajnë poste qeveritare dhe joqeveritare, e mbrojnë luftën e UÇK te Mauricio Salustro etj. Me një fjalë janë, certifikuar si patriotë të vërtetë përballë neve spekulantëve. Një mik imi më tha se ka dëshirë që sa më parë të hapen dosjet sepse familja, farefisi dhe mbarë kombi shqiptar do të krenohej shumë me kontributin e tij. Unë gjithashtu u pajtova që të hapet dosja ime dhe shtova se do të isha shumë i lumtur nëse fëmijët, familja ime, farefisi dhe kombi shqiptar nuk do të turpërohej nga kontributi im. Asgjë më tepër.

* Dërguar nga autori, qëndrimet janë personale

KOMENTE