Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Tenxheres kapakun: secilit hakun!
English

Tenxheres kapakun: secilit hakun!

Nga Agron Tufa

1. Shkrimtari, shoqëria dhe pastrimi i ndërgjegjes Historia më e afërt ka njohur raste tronditëse kur shkrimtarët nuk kanë mundur dot të bashkëjetojnë me ndërgjegjen e rënduar nga fshehja e mëkateve, dobësive dhe ngjarjeve të errëta që u kanë rënë për pjesë, e aq më tepër t’i marrin në varr të fshehtat e tyre. Zhanri memuaristik apo rrëfimorja autobiografike e tyre shpesh ka tronditur opinionin, është bërë shkas për shtrimin e një diskursi dhe analize të gjithanshme të raporteve të individit me ndërgjegjen e tij dhe shoqërinë, si pasqyra më e pastër e cilësisë së lirisë individuale dhe shoqërore. Kështu kanë vepruar shkrimtarë të njohur, pa e çarë fort kokën për reputacionin e tyre në publik, duke iu nënshtruar gjykimit qytetar në bashkëpjesëtimin e brengave të tyre që i kanë mbajtur të fshehura, ndonjëherë, deri në pleqëri. Kështu ka ngjarë me shkrimtaren gjermano-lindore Christa Wolf, polakun Ryszard Kapuœciñski apo me nobelistin Günter Grass. Nuk është çudi e madhe kur mësojmë tash se mbi 260 letrarë kanë qenë të rekrutuar nga Sigurimi i Shtetit për të mbuluar survejimin e institucioneve kryesore të kulturës në Shqipërinë staliniste! Ata ish-shërbëtorë të diktaturës i kemi midis nesh, pa dyshim. Ata kanë ndjeshmëri të mprehtë sa herë shtrohen tema të tilla dhe, meqë punojnë në gazeta të mirëpaguara, përpiqen ta çaktivizojnë çështjen ende pa u shtruar për diskutim. Një gazetare e koniunkturës kulturore më shkruante me cinizëm një ditë: “Pse nuk po i kapni dot spiunët e Sigurimit, ende në moshë të mbajtur? Kush ju pengon?”. Vështirë shumë t’i kapësh, më erdh t’i thosha, sepse ata tashmë kanë përshtatur format dhe na janë fshehur ndën jatakun e çupkave të reja në redaksira. Në ndonjë rast, e vetmja vlerë që ka kjo punë, është legjitimiteti i martesave brenda gjinisë. Nuk ia thashë, sepse, siç thotë Migjeni, ajo vetë ishte “historia e njenës nga ato”. Por mua më pëlqen ta ilustroj kurajën e shkrimtarit që denoncon të keqen dhe forcën e saj shtypëse në jetën private, me një rast më unikal, e prandaj, më diskursiv, sidomos në përqasje me ndërgjegjen e krimbur shqiptare të intelektualit, shpesh bashkëfajtor me krimin nën diktaturë. Fjala është për rastin e shkrimtarit hungarez Peter Esterhazi. Në vitin 2000, shkrimtari hungarez botoi librin “Harmonia caelestis” (“Harmonia qiellore”) – një vepër model të estetikës postmoderniste, në qendër të së cilës është babai i shkrimtarit – pinjoll i dinastisë së vjetër mbretërore, të përndjekur gjatë regjimit komunist, të internuar, të survejuar, por që nuk u dorëzua. Ky roman u përkthye në pjesën dërrmuese të gjuhëve dhe falë tij, Peter Esterhazi ka qenë i përhershëm në listën e kandidatëve të çmimit Nobel. Por ende pa mbaruar frazat e fundit të këtij romani “himn për atin”, siç do ta quajë vetë librin e tij Esterhazi, ai mësoi se nga viti 1957 i ati kishte shërbyer si spiun i Sigurimit të shtetit komunist. Ai nisi të kërkojë në arkivat e fshehta të sigurimit hungarez, të lexojë dosjet e të atit dhe të mbajë shënime. Dhe libri “Botim i përmirësuar” (një vepër po aq e mrekullueshme sa “Harmonia qiellore”) – është një kopje prej spiunimeve agjenturore të babait të tij, bashkë me komentarët e llojit historik dhe biografik, por, para së gjithash, është një llogari, një dhënie hesapi, se çfarë ka ngjarë me vetë shkrimtarin, ndërgjegjen e tij, kujtesën, trupin në procesin e leximit: “E vëzhgoja veten mu si një kavie eksperimentale: si do ta përballoja këtë situatë, çfarë do të bëja, duke u ndeshur me këtë apo atë gjë dhe çfarë do të bëjë kjo e ajo gjë me mua?”. Esterhazi me tmerr, neveri dhe zemër të mpirë ndjek “bëmat” e panjohura të atij “ati mitik”, të cilit sapo i ka kushtuar poezinë më ideale me romanin “Harmonia qiellore”. Romani autobiografik “Botim i përmirësuar”, është një lamtumirosje e shtangur nga makthi e neveria me fantazmën iluzore të babait që shkërmoqet në pluhur. Kritikët hungarezë e kanë quajtur këtë libër, praktikisht të gjithë në një mendje, një akt heroik dhe një ngjarje të rëndësishme shoqërore: “Vetëm në Hungari librin e kanë lexuar qindra mijëra… Nga kjo histori është e pamundur të çlirohesh… Në rastin konkret, i rëndësishëm nuk jam unë, as autori, as babai i tij, por të gjithë ne. Ky është libri për ne. Duke u përpjekur të sqaroj me çdo kusht veten time private, shkrimtari, në dukje krejt shkarazi, bashkon kombin”, – thotë Peter Esterhazi. 2. Peter Esterhazi, Fatos Kongoli dhe ndërgjegjja e shkrimtarit shqiptar Po ne, d.m.th., lexuesit e Shqipërisë postkomuniste, si duhet ta lexojmë (nëse, herëdokur, do t’i përkthejnë romanet e Esterhazit)? Ndaj çdo teksti që ndërhyn në sferën e etikës, ne jemi mësuar të përgjigjemi me moralizime – duke sharë ose heronjtë e librit, ose autorin, ose ndonjë tjetër, qoftë edhe vetveten. Këtu për një moralizëm të tillë janë të gjitha mundësitë – ne mund të shajmë mënyrën se si ka vepruar regjimi komunist me njerëzit; ose, në akord me disa lexues, të shajmë Esterhazin, që gjoja tradhëton të atin për hir të suksesit letrar; ose të qortojmë shoqërinë tonë për shkak se ajo nuk merret me kapërcimin e të shkuarës. Por pikërisht në librin e Esterhazit mund të kuptosh se sqarimi i raporteve me të shkuarën dhe me vetveten kërkon si nga autori, si nga lexuesi, jo aktivizimin e reflekseve moralizuese, jo dënimin, por diç krejt tjetër – durimin dhe artin në rrëfim dhe dëgjim, qëndresë dhe forcë karakteri para çdo lloj faktesh, ndershmëri dhe sërish durim. Shkrimtarët shqiptarë, intelektualët, që si profesion kanë të nxjerrin bukën e gojës nga njëra koniunkturë e shtypit në tjetrën, kurrë nuk e kanë parë letrën si një mundësi të rrëfimit autobiografik, si dëshmi të pasqyrës së ndërgjegjes për të shpëtuar veten dhe të afërmit e ngushtë të tyre, që jetojnë me skrupujt të fshehur në bodrumet e vetëdijes. Vjen një kohë që bagazhi i këtyre baballarëve u mbetet trashëgimi bijve. Një trashëgimi memece, e cila merr trajta të përbindshme, duke punuar natën e duke u shfaqur ditën në gjestet, në ligjërimin e dyzuar, ambivalent të natyrës dhe personalitetit; të ndarjes së të vërtetave në një palë – të pashqiptuara – dhe një palë tjetër – të shqiptuara sipas modeleve të hipokrizisë, e cila gjen vend në shtyp, libra, foltore, gjithsej – propagandë demagogjike në emër të idealeve të mëdha – lirisë, demokracisë, emancipimit, qytetarisë – të gjitha, nocione të vagullta, abstrakte, që ata kurrë s’i kanë pasur aspak për gjak. …Gjithë ajo përpjekje e mundimshme për të vizatuar korniza gjoja intelektuale, fatkeqësisht me kufomat e tyre të trishta brenda tyre. Unë nuk di të jetë ndarë kush qartazi dhe pa ekuivok në Shqipëri me këtë trashëgimi, si Peter Esterhazi, përveç të vetmit rast proverbial që njohim tek ne: shkrimtarit Bashkim Shehu. I vetmi! Nisur nga rasti Kongoli, asgjë të ngjashme nuk kemi me përmasat e historive, as si të shkrimtarëve të lindjes ish-komuniste, as si të Esterhazit, as si të pinjollëve tanë të ish-bllokut. Por një ngjashmëri e rëndësishme ekziston midis Kongolit dhe Esterhazit: vullneti dhe kuraja për të denoncuar ndërgjegjen e ngarkuar vetjake dhe për të kërkuar ndjesë publike. Rasti i Kongolit është një situatë e veçuar, minore, aksidentale, ndonëse e mjaftueshme për t’i kallur në gjak shkrimtarit helmin e trishtë të gjërave, sa për ta mprehur dhe majisur ndërgjegjen e përndezur të tij drejt refleksionit, deri në ekzorcizëm të plotë. Thelbi i historisë së tij s’ka të bëjë as me ndonjë shpifje a ekzagjerim, as me ndonjë “zell” për t’u treguar në sy të organeve “më qen se qeni”, sikundërse as me pozën e heroit që “i bie mohit” gjithçkaje të biseduar. Ndokujt, sigurisht, mund t’i kandej fort të shihte tek shkrimtari pozën e “heroit të papërkulshëm”, që vetë bëhet theror, por shokët meazallah se i tregon. Ka plot të tillë, që u kanden andrrat e thata me heroizma martirësh, por ama, me një kusht: ta shohin këtë tek të tjerët! Si film, si legjendë romantiko-heroike… se kur vjen puna ta vuajnë vetë, në lëkurë të tyre, menjëherë përmbajtjen e po kësaj lëkure e mbushin me atë masën e ujshme e të squllët që kutërbon disa milje përqark. Fatos Kongoli mund të mos e kishte rrëfyer ngjarjen. Të mbetej gjithherë i patrazuar nga imazhi i tij fort i nderuar në publikun shqiptar, tek lexuesit e vet. Mund ta kishte mbajtur për vete atë sekret e peng torturues, siç i mbajnë rëndom njerëzit skrupujt e tyre në një kënd të errët të pusetës së kujtesës, me kapak të rëndë betonarmeje përsipër dhe, kësisoj, t’i shkërbente vetes palaçon që jeton në liri. Akti i Fatos Kongolit na fton drejt një të kuptuari më të lartë të lirisë individuale, të çliruar nga makthet dhe hijet, për të përftuar vlerën e purifikuar të lirisë si vullnet, si higjienë. Kush e ka pasur vallë kurajën në këto vite të denoncojë veten (e jo tjetrin) për momentet e dobëta, për rënien në çarkun dhëmbëhelmët, kur kokën e burrit e shtrënguan të ulet? Asnjë, ajme, asnjë! A thua se paskemi pasë një të shkuar dyst me engjëj të kulluar, të cilët nuk i përçik mëkati e jo se në të vërtetë kanë gëluar tejkund, siç i dimë, -një orgji demonësh e frymësh perverse të hadit. Siç mësojmë nga intervistat e tij, Kongoli i është qasur në dy nivele dhe në dy kohë të ndryshme ndërgjegjes së tij mbi dëshminë e detyruar, e cila, siç besonte ai, kishte ndikuar në dënimin e kolegut. Herën e parë këtë aspekt të vështirë të ndërgjegjes së tij, shkrimtari e ka transfiguruar artistikisht në romanin “Kufoma”, ndërsa në rrëfimin e drejtpërdrejtë nga libri “Iluzione në sirtar”, ai heq çdo vel kamuflues për të thënë troç një të vërtetë shtypëse, me të cilën nuk pranon të bashkëjetojë më. 3. Peter Esterhazi, Fatos Kongoli dhe Ardian Klosi Ardian Klosin do ta trajtojmë veçmas në këtë shkrim, jo se nuk është shkrimtar shqiptar (kjo pakogjë dihet gjerësisht). Në fakt, Klosi i ka patur të gjitha shanset për të qenë i tillë, por ai zgjodhi t’i binte letërsisë nga dera e pasme (punë e tij), d.m.th., si “polic”, si dëshmitar a denonciator, siç thonë e shkruajnë e siç presim të vërtetohen bindshëm këto, me gjasë, së shpejti, dokumentueshëm, në përputhje me ligjet. Me pak durim do të kemi rastin të mësojmë dhe rolin, dhe hisen e Klosit në këto saturnale. Klosi i pati, pra, rastet për t’u bërë shkrimtar i Partisë atëherë. I pati dhe më vonë për t’u bërë shkrimtar i Bashkisë. Dhe e pati për të tretën herë rastin për t’u bërë shkrimtar i Kompanisë. Ajme, dështimi i tij në të tre nivelet qe i pashmangshëm: atë që s’ta ka dhënë Zoti, nuk ta japin shokët… Tashmë e shohim të rendë në kërkim të preve financiare, monopolizimin e fondeve të parave gjermane për kulturën shqiptare, vjedhjen dhe tjetërsimin e punës përkthimore të të tjerëve, studentë e jo studentë (kujt i kujtohet skandali i pasqyruar në media me përvetësimin e përkthimit të “Arbëria Venedikase” të O. Schmidt-it), etj., etj… Siç duket, kjo paska qenë dhuntia e tij më e çmuar… dhe Zoti qoftë me të! Me këtë shkrim A.Klosi ka lidhje vetëm sa i përket opinionit të tij, kur u porosit, për së pari, nga gazeta ku ai punon si sufler “përlyerja” e Kongolit dhe, kushtimisht, këtij opinioni që po e citojmë: …”Një gjë e rëndë natyrisht, për karrierën e një shkrimtari. Ky njëri aspekt. Një tjetër aspekt negativ, fakti që Mea Culpa-n Kongoli e bën 20 vjet mbasi ka rënë regjimi”. Mënyra se si u shtrua dhe se si u prit rrëfimi i Kongolit, paraqet nivelin e alergjisë së thellë që kanë intelektualët e mediave tona dhe skupicat tona mediatike ndaj çdo të vërtete. Komenti i një pinjolli të dinastisë së Bllokut është fyes dhe provokues, ngase aktin vullnetar të pastrimit të ndërgjegjes ai e quan a) të vonuar dhe b) “Mea Culpa”. Pikërisht kjo na jep të drejtën më të natyrshme të pyesim: pse vallë na qenka “mea culpa”? A nuk do të ishte më mirë që edhe pas 20 vjetësh, vetë ky kritizer të ndiqte shembullin e Kongolit apo, dhe më mirë, të Peter Esterhazit? Dhe sigurisht, askush nuk do t’ia merrte askujt si “mea culpa” e sidomos, atyre që kanë ndjeshmëri ambientaliste, jo për së jashtmi, por me vektor të drejtuar së brendshmi, kah vetja. Por tani që, falë publikimit të dosjes me “rastin Kongoli” dhe sqarimit dokumentar të rrethanës u pa se brenga e shkrimtarit kishte qenë e stërzmadhuar dhe se rasti na paskësh qenë një kurth i rëndomtë i Sigurimit, ordiner dhe i parapërgatitur enkas nga kolegia e rekrutuar, – ne e ripërftojmë sërish figurën e shkrimtarit në një kontekst, tashmë të sqaruar. Çfarë dalloj unë personalisht në figurën e Kongolit, pas kësaj përvoje? Përkundër me “Mea Culpa” (të cilën klosët, vigjilentë e dhëmbështrënguar ruhen të mos e bëjnë për vete), te Kongoli shoh një njeri e një shkrimtar me ndërgjegje të rrallë në këtë vend ku kanë ndodhur të nëntëdhjetë e nëntat. Kongoli-njeri dhe Kongoli-shkrimtar janë një tërësi e pandarë, jo vetëm gjykuar nga ky rast, i cili para se të testonte konstruktin intelektual të tij, testoi atë perversion që ka në mendje shoqëria jonë, kinse intelektuale e kinse mediatike. Ka qenë, për mendimin tim, një dashakeqësi e drejtuar kundër një njeriu të urtë e të ndershëm, me zemër të dhembshur, ashtu siç e njohim Kongolin, si në jetë, ashtu edhe në romanet e tij. Në thelb, reagimi publik me historinë e Kongolit, se ç’ka një paralele me historinë e trishtuar, kompleksuese, inferiore e të turpshme të Griseldës, e cila nga grua e kryebashkiakut, u spostua në ish-, në thjesht dashnore, ku e gjithë historia doli një bllof, por ama, për pak sa nuk shtrëngoi radhët e socialistëve për kauzën e një revolucioni gjoja popullor, gllabërues e të rrufeshëm… Mëgjithatë, Kongoli me rrëfimin e tij, pavullnetshëm, ka pezmatuar shumëkënd. Ai u ka malcuar plagët e thella e të vjetra në pikën më të ndjeshme të tyre, sepse u ka kujtuar atyre paaftësinë e plotë për t’u ngritur mbi trashëgiminë, të cilën, me çdo kusht, nga të turpshme, mundohen ta paraqesin të denjë e heroike. Në këta 20 vjet askush prej tyre nuk bëri asnjë “Mea Culpa” të denoncimit të së keqes brenda shtëpisë. I kemi pritur. Të gjithë. Një popull i tërë… që dikush të hapë gojë, të mërmërisë ndonjë gjysmë fjale për ndjesë publike… – …Po, por ja që s’doli kush! Ai që del, sipas tyre, duhet sulmuar. Ai shihet si projektim i urryer për ndërgjegjen e krimbur dhe të gërbulur në krime. Prandaj e urryen gjestin e Kongolit. Të habit fakti se si në reagimin e A.Klosit qortohej e ironizohej Kongoli për “heshtjen e gjatë”, ndërkaq që ky ekzemplar, para se të kërkonte sinqeritetin e rrëfimit për shkrimtarin, vetë nuk ka rrëfyer, ndërkohë, asgjë as për mëkatet e veta, as për krimet e të atit. Pra, ndërgjegjja e tij paska qenë e qetë nga fakti se që nga vegjëlia e deri në pjekuri, ka qenë i rrethuar në shtëpinë atërore më shumë se me libra, me kufoma. Si ka mundësi të rritesh mes një hipoteke me kufoma dhe prej ndërgjegjes tënde të mos shkepet asnjë xixë ndërgjegjeje? Paradoksi ynë shqiptar është ky: mirë etërit e zhytur në krime nuk mënuan asnjëherë të shqiptojnë qoftë edhe një ndjesë në adresë të viktimave, por as bijtë e tyre “të kulturuar”, “të hollë” e “intelektualë”, që u dhemb zemra për lirinë dhe cilësinë e lirisë sonë, nuk i denoncuan kurrë etërit e tyre, a thua se na paskëshin qenë zogj parajse! Të paktën të pastronin njollat e gjakut nga lodrat e tyre të fëmijërisë, nga librat, dhuratat, gëzimet fëminore, tash që janë rritur, kur kanë mundësinë të përfytyrojnë se me çfarë çmimi është blerë fëmijëria e tyre prej baballarëve të kuq. E di se është pretendim absurd: ku Esterhazi e ku Klosi! 4. Post scriptum për mundësi dialogu apo për dialog të pamundur P.S: Ndërsa botimi i këtij shkrimi pati një vonesë njëditore në redaksi, Ardian Klosi replikoi ndaj meje tek “Shekulli” me fletërrufenë e tij “Kur humbet tenxherja kapakun”. Në fletërrufenë e tij Klosi më akuzon: a) se unë qenkam gjysmëfrikacak, meqë s’ia përmendkam dot emrin, por nëse shkrimi do të ishte botuar dje, Klosi sot do të kapej në kundërthënie të plotë me veten; b) se Tufa qenka bërë “vitet e fundit” emblemë e tarafit kulturor (politik), për shkak se, sipas Klosit: pasi paskam zënë pozita kyçe në Ministrinë e Kulturës (një gënjeshtër e trashë kjo), punokam në Fakultetin e Letërsisë, ku gruaja e mikut tim të ngushtë është shefe katedre (sipas Klosit, që në çastin kur është zgjedhur me votë gruaja e mikut tim shefe, unë duhet të hiqja dorë nga fakulteti! Megjithatë, unë kam hequr tashmë dorë nga fakulteti, por jo për këtë shkak ama!); c) qenkam kryetar i KD të RTSH (ku ka qenë dhe Klosi në kohë të Edi Ramës, madje Drejtor i Përgjithshëm) dhe anëtar i Bordit në Kinostudio dhe Teatër (për teatrin gënjen!); shpërndan çmime kombëtare brenda një rrethi të caktuar në taraf etj., etj., deri tek akuza se nuk i qenkam përgjigjur një shkrimi të tij të botuar në një blog. Të më falë A.Klosi që nuk ia vara (“po pse të mos merrja një përgjigje për atë shkrim?) dhe kjo ka arsyet e veta. E para, kur ka botuar shkrimin Klosi kam qenë një javë në Berlinalen e filmit, ku korrëm suksese dhe kur u ktheva, ishte bërë vonë për një përgjigje, dhe e dyta, nëse përgjigja jepej, e vinte Klosin para dhjetëra akuzave të studentëve të gjermanishtes, të cilët prej katër vitesh kanë përkthyer në cilësinë e detyrave prozat e shkurtra të Kafkës dhe të cilat Klosi, pasi i ka redaktuar, i ka botuar si përkthime të vetat, dhe pasi ka marrë paratë gjermane të “Traduki-t”, pa marrë parasysh cilësinë mizerabël të përkthimit, pretendonte të merrte edhe një dorë të mirë nga juria e konkursit kombëtar. Por kjo është një temë më vete. Klosi më sugjeron në fletërrufenë e vet të zhvilloj dy polemika të veçanta: një kundër personit (të tij) dhe një kundër atit (të tij) ish-partizan dhe nëse dua (unë) edhe një të tretë kundër gjyshit (të tij, shpresoj të mos ketë parasysh gjyshin e tij nga nëna, që ia nxiu jetën burri i tezes së tij, R. Alia). Shkurt, Klosi thotë, kur merresh me mua, qëndro këtu, mos u hidh tek im atë. Çudi e madhe! Të njëjtin parim Klosi nuk pranon ta zbatojë vetë, sepse kur merret me mua, kalon menjëherë tek “gruaja e mikut tim dhe gjithë “tarafi”. Atëherë pse të mos merrem dhe unë jo me tarafin e pafund, historik e ideologjik të tij, por së paku të pandarë nga tradita dhe trashëgimia që e kanë formuar të jetë i tillë, siç është. Megjithatë, nuk na e bën zemra, as oreksi të sqarojmë problemet e trashëgimisë së Klosit, por në këtë shkrim aludimi im ka vlerën e kundërsugjerimit: le të ishte marrë apo le të merret vetë ai, pasardhësi, me këtë barrë, në mënyrë të ngjashme me Peter Esterhazin, nëse ka moral e burrëri… ani pse mua më duket që liria e tij i ka të përjashtuara këto cilësi. Në fund të fletërrufesë së tij, Ardian Klosi na “uron” Kongolin dhe mua: të parin duke e uruar që “t’i mbetet vepra letrare” (e cila vetëm në Francë shënon 8 romane!) dhe mua” të më përpijë vepra ime letrare” (pesë romane, pesë vëllime poetike), e cila, nëse e citojmë Klosin – “me thënë të drejtën, nga titulli i romanit “Tenxherja”, pak shpresë kam”. Duke e mirëkuptuar hendekun e thellë që na ndan me Klosin dhe përkatësinë tonë ndaj civilizimesh radikalisht të ndryshme, më s’më mbetet tjetër vetëm se t’i vë “tenxheres kapakun”: Unë flas pa komplekse, gjithçka, ndër to dhe për tim atë… madje shkruaj dhe sagën e tij (tonë) të vuajtjeve nëpër burgjet që ngriti babai i Klosit me shokë – në po atë roman, titullin e të cilit (“Tenxherja”) e përqesh po Klosi (tashmë i biri!). Para disa vitesh, po në gazetën e tij, Klosi botonte një letër për të ndjerin At Zef Pllumi, një epistolar sentimental, gjoja përvujtnar me “ju i dashur atë…”, mbi bashkëpërjetimin e tmerreve që ka kaluar frati martir në burgjet e komunizmit. Dhe tejet paradoksal mbetej fakti se si këtë epistolar mallëngjyes në stilin e “Heloiza e re”, Klosi ia drejtonte pikërisht njeriut që e kishte arrestuar pikërisht i ati (siç e përmend at Zefi në vëllimin e parë). Ishte një letër e gabuar, të cilën Klosi do të duhej t’ia niste të atit, e mandej, nëse do ta lejonte kurajoja, edhe at Zef Pllumit. Dhe pikërisht këtu hapet gjerësisht problemi i madh, tashmë për Ardian Klosin, ndaj dhe po i sugjeroj diç të qëndrueshme e të shëndetshme: “Po ti, Ardian, a ke kurajë ta kthesh prapa kokën, se çfarë duhme e kutërbimi kufomash fryn në familjen tënde? A e ke vallë burrërinë dhe dinjitetin me u përpjekë për me u shkepë prej llagëmit të trashëgimisë tënde? Nëse po, shembujt dhe shanset i ke: fillo dhe të jesh i sigurt se të gjithë do të të mirëkuptojnë, në solidaritet me ty! Nëse jo, shpresojmë që një ditë presioni i brendshëm ka me qenë aq i madh e i gjithanshëm, sa ka me e hjedhë kapakun e “tenxheres” tënde aq përpjetë në hava, sa me e marrë gjuetarët nishan, tue e pandehë kapakun ndonjë patë të trembur.

Qëndrimet e shprehura në këtë shkrim janë personale dhe nuk prezantojnë domosdoshmërisht vijën editoriale të NOA

KOMENTE
  • Rita Kalaja Rishmass13:02 - 25 Shtator 2011
    Artikulli i mesiperm eshte si nje rrefim i ndergjegjes ose si nje sinjal per ato shkrimtare ose jo shkrimtare qe origjina e tyre familjare eshte e lerosur e trashegimtaret sot ( te vonuar ) duhet te reagojne ndergjegjshem duke kerkuar ndjese publike ! Rasti i shkrimtarit hungarez eshte per tu admiruar e ne ne Shqiperi me ata shkrimtare (dhe jo te pakte ) qe ndihmuan diktaturen komuniste me shkrimet e botimet e tyre reaguan atehere (1991-1992) duke mbiquajtur sherbimin etyre sevil, hipokrit,e te rreme ( te bardhes i thonin te zeze)se preferuam te benim- AUTOCENSURE- Me kete fjale ata u shplane si te thuash para publikut e ndjesen ndoshta do ta thone ne boten tjeter!!!! Me te tille tenxhere e kapake jemi te ngopur e cudira (rrefim mekatesh) zor se do te na degjojne veshet !!! Pse valle jo, kur dhe nje vartim te hidhur na e degjojne veshet?????? E ndjese per krimet, mekatet s"po degjojme ??????