English

Kotësia e tij, zoti Klosi

Nga Mark Marku

Disa javë më parë, në një blog në internet, Ardian Klosi pati botuar një shkrim të titulluar “Të jetosh në taraf” ku tirrte një mori thashethemesh për mua, gruan time dhe miqtë e mi. E lexova shkrimin në formë thashethemesh dhe çuditërisht nuk pata kurrfarë reagimi. Ajo faqe e printuar që nxinte nga shpifjet nuk më thoshte asgjë. Madje këtë radhë nuk më thoshte asgjë as emri i nënshkruesit të tij, Ardian Klosi, edhe pse ai është një emër jo pak i njohur në shkarrashkrimnajën shqiptare. Si rrallë ndonjëherë tjetër, nuk kisha as dëshirë për t’iu përgjigjur. Mendova shkurt dhe qartë: “zoti Ardian qenka zhytur në pellgun e kotësisë dhe s’ia vlen ta ndjekësh pas”.

Në një shkrim tjetër të botuar dje në gazetën “Shekulli”, ai e përmendte edhe njëherë shkrimin e tij tashmë të harruar dhe teksa sulmonte shkrimtarin, studiuesin dhe publicistin e njohur, mikun tim Agron Tufa, i kthehej zakonit të vjetër të shpifësit edhe ndaj meje. Mund të lihej edhe pa përgjigje, por kam vënë re se në hapësirën mediatike shqiptare, po krijohet një bandë shpifësish që duke përfituar nga mungesa e kohës, nga dëshira për t’u dhënë rëndësi shpifjeve apo vetë autorëve të tyre fillojnë, trimërohen dhe i shtojnë kafshimet. Dhe s’ka gjë më të neveritshme se kafshimet e shpifësve të neveritshëm.

Kotësia e tij zoti Klosi shqetësohet për tarafet kulturore

Në shkrimin e tij, zoti Klosi bën fjalë për një taraf kulturor ku më përfshin mua dhe disa miq të mi. E kuptoj që unë dhe miqtë mi e shqetësojmë zotin Klosi, po pse ne qenkemi taraf? Ne nuk kemi ardhur si tarafet e zotit Klosi në jetën kulturore sipas parimit të tarafit. Nuk jemi afirmuar nëpërmjet pushtetit të përgjakshëm të baballarëve, nuk kemi mbledhur me rroça e poça gjithë dajat e xhaxhallarët, gjithë hallat e tezet, gjithë nipërit e mbesat, gjithë pemën gjenealogjike të shtrirë nëpër fshatra e qytete, për t’u instaluar mbi shqiptarët si kastë ushtarake, si kastë politike, si kastë kulturore, si kastë akademike. Kemi filluar të marrim pjesë në jetën kulturore të këtij vendi në vitet ’90, fill pas rënies së regjimit të Ramiz Alisë dhe Bilbil Klosit. Ishim studentë në vit të parë atëherë, kur botuam bashkërisht të parën gazetë kulturore alternative në Shqipëri, gazetën “E Përshtatshme”, kur krijuam një klub kulturor të pavarur që i zhvillonte pjesën më të madhe të aktiviteteve në shtëpinë e Ervin Hatibit, kur botonim një suplement kulturor dhe broshura antologjike me poezi. Paralelisht përkujdeseshim edhe për rrëzimin e regjimit të Enver Hoxhës, Ramiz Alisë dhe Bilbil Klosit dhe nuk është rastësi që pjesa më e madhe e jona qemë pjesëmarrës të grevës së urisë dhe organizatorë të lëvizjes studentore. Më vonë, secili prej nesh vazhdoi studimet në universitete të huaja, Agron TufaMoskë, Mark Marku në Francë, Itali e prapë Francë, Dhurata Shehri në Itali, Agron Gjekmarkaj në Itali, Parid Teferiçi në Itali, Lindita ArapiAustri, Persida Asllani në Francë, Erind Pajo në SHBA, Gent Gjokola në Angli, Eneida Topi në Itali, Jonila Godole në Gjermani, ndërkohë që të tjerë si Gentian Çoçoli, Rudian Zekthi, Virion Graci kanë bërë të njëjtën gjë në universitetet shqiptare. Të gjithëve, pa përjashtim, asnjë lekë nuk kemi pasur nga buxheti i shtetit shqiptar. Jemi shkolluar (të gjithë me rezultate të shkëlqyera), disa janë kthyer e disa jo, e tashmë jemi këtu, prapë miq, prapë bashkë, diversë në prirje e mendime, disa aktivë e disa më pak aktivë në skenën publike, të gjithë të përkushtuar në një a disa drejtime, shkurt një brez 35-40 vjeçarësh që kanë fituar të drejtën të jetojnë ndershmërisht në një vend ku pak kush jeton ndershmërisht. Ja pra ky është “tarafi” që e shqetëson aq shumë kotësinë e tij zotin Klosi. E shqetëson aq shumë pikërisht atë që ka ndjekur itinerarin e përkundërt me tonin. Kotësia e tij zoti Klosi është kthyer nga studimet e tij në Austri në vitin 1990 dhe e dini pse ka shkuar atje? -Se ishte djali i Bilbil Klosit dhe i afërt i Ramiz Alisë? Dhe a e dini sa kushtonte bursa e tij atje? -Aq sa ishte kostoja e jetesës e banorëve të një lagjeje në Tiranë. Dhe a e dini se bursën e tij shteti komunist shqiptar e paguante pikërisht me ato verdhushka që u kishte marrë pronarëve të qyteteve e fshatrave të Shqipërisë, pasi i kishte mbytur me thonj nëpër burgje. Dhe a e dini se zoti Klosi, edhe pse deklarohet me titullin doktor i shkencave, nuk e ka mbrojtur kurrë doktoraturën e tij të deklaruar? Ndoshta këto të dhëna kontradiktore e shpjegojnë pak arsyen e irritimit të zotit Klosi ndaj brezit pasardhës të tij. I përgatitur në subkoshiencë për të qenë i shkolluari i vetëm në shtetin totalitar, ai gjendet ngushtë teksa shikon se brenda njëzet vjetësh hapësira kulturore, është aq e populluar me njerëz të shkolluar, të aftë dhe që mbi të gjitha e kanë bërë këtë pa kaluar nëpër zyrat e babit të tij apo të kushëririt të tij Ramizit. Kjo ndoshta shpjegon edhe sulmet tinëzare që ai bën sa herë i jepet mundësia, ndaj secilit prej nesh (Një muaj më parë nëpërmjet një recense negative bërë një fondacioni austriak, ai pengoi përkthimin e shkëlqyer përkthyeses J. Godole të Elegjive Duine të E. M. Rilkes). Zilia e bën aq të pabesë, aq të papërmbajtur, sa kur një nga përkthyeset më të mira të frëngjishtes Saverina Pasho, fitoi çmimin e parë me sjelljen në shqip të Michel Houellebecq-ut sulmoi jo vetëm përkthyesen, por edhe autorin e përkthyer duke e konsideruar si të parëndësishëm autorin më me ndikim të letërsisë së sotme franceze. Kur zilia bashkohet me kotësinë atëherë prodhohet kotësia e tij zoti Klosi

Debati për romanin e Kongolit dhe spiunët e sigurimit të shtetit

E vetmja gjë që ia vlen në shkrimin e zotit Klosi është përpjekja për të marrë pjesë në debatin e shkaktuar nga botimi i romanit të fundit të Fatos Kongolit. Me sa kuptohet nga debati (romanin s’e kam lexuar ende), zoti Kongoli, në këtë roman “rrëfehet” se është detyruar të japë një dëshmi në hetuesi për një koleg të vetin. Disa debatues e sulmojnë Kongolin, disa e mbrojnë. Thelbi i debatit është etik dhe ka të bëjë me një nga faqet më të errëta të historisë së Shqipërisë. Në këtë kuptim është për t’u vlerësuar çdo akt pendese, sado vonë të vijë ai, prej asaj kategorie që kanë qenë në çfarëdolloj forme bashkëpunëtorë të sigurimit të shtetit, apo dëshmitarë në gjyqet e inskenuara prej tij. Por kjo nuk do të thotë që, duke inkurajuar sinqeritetin dhe vetëfajësime, të mos gjykojmë aktet e denoncimeve. Aktet mbeten të dënueshme, pavarësisht arsyes së kryerjes së tyre. Askush nga denoncuesit apo dëshmitarët nuk mund të thotë se është i fajshëm apo i pafajshëm, varësisht faktit nëse denoncimi i tij ka sjellë dënimin apo mos dënimin e tjetrit. Potencialisht, çdo denoncim mund të sillte dënimin e një qytetari të pafajshëm dhe familjarëve të tij. Ndodhte apo nuk ndodhte kjo, nuk varej nga vullneti, apo dëshira e mirë e denoncuesit, apo nga karakteri i denoncimit, por nga planet që kishte sigurimi i shtetit për ta futur apo jo një njeri në burg. Shkurt, është një akt i dënueshëm dhe të vetmit njerëz që kanë njëfarë justifikimi për akte të tilla, janë ata persona që kanë qenë të detyruar të bëjnë denoncime apo dëshmi në kushtet e torturave fizike nëpër qelitë e burgjeve. Ajo që ja vlen të diskutohet në këtë rast është prirja për ta identifikuar gjithë aparatin represiv të sigurimit të shtetit, vetëm me njërën hallkë të këtij sistemi, me bashkëpunëtorët e sigurimit, duke lënë jashtë vetë aparatin e sigurimit të shtetit, prokurorinë, hetuesinë, gjykatat, shkurt, gjithë sistemin represiv të regjimit, dhe piramidën e regjimit totalitar. Ajo që i mungon debatit të sotshëm është pikërisht kjo: transparenca e plotë, gjykim moral për gjithë sistemin.

Në shkrimin e tij, zoti Klosi na qenka fyer pse miku im Agron Tufa ka deklaruar se pinjollët e Bllokut nuk mund ta gjykojnë moralisht këtë dukuri. Si një njeri me formim kulturor dhe bindje thellësisht demokratike, mendoj se kushdo mund të japë mendimin e tij në një sistem demokratik. Zoti Klosi, normalisht ka gjithë të drejtën të japë mendimin e tij për këtë çështje, pavarësisht se është djali i një krimineli të egër komunist si Bilbil Klosi. Por nga pikëpamja etike, zotit Klosi i takon ta bëjë fillimisht një distancim publik nga krimet e të atit. Të bëjë të njëjtën gjë që ka bërë edhe Bashkim Shehu, shkrimtar dhe publicist, gjithashtu, djali i ish-kryeministrit Mehmet Shehu. Ai, pa e mohuar të atin, është distancuar nga krimet e tij. Deri tani zoti Klosi nuk e ka bërë këtë. Madje, vazhdon të abuzojë duke përmendur vetëm faktin se i ati ka qenë partizan apo funksionar i lartë i regjimit. Partizan ai duhet të ketë qenë 2 ose 3 vjet, por një nga komandantët kryesorë të bandave kriminale të regjimit shumë më gjatë, gati 30 vjet. Për këtë arsye zoti Klosi duhet të kërkojë ndjesë publike për krimet e të atit. Më pas, le të diskutojë sa të dojë për spiunët, komunizmin, e të tjera. Në kohën kur ai ishte pinjoll i përkëdhelur i të atit, në burgje bëhej kërdia, njerëzit vriteshin, torturoheshin barbarisht, masakroheshin. Dhe kushedi sa herë ai ka marrë përkëdhelje pikërisht nga e njëjta dorë, që po atë ditë kishte shkrehur këmbëzën apo tundur kamxhikun mbi një të burgosur. Për ta ndihmuar zotin Klosi, që ta kuptojë atë që ka ndodhur ndërkohë që ai ishte një fëmijë i përkëdhelur i të atit, po e mbyll këtë shkrim me një përjetim të përshkruar nga at Zef Pllumi, pas një dite të zakonshme torture në burgjet e xhahilëve si Bilbil Klosi. Pasi e shikon xhelatin që e kishte torturuar kafshërisht për orë të tëra, duke biseduar me gruan e tij, at Zef Pllumi reflekton: “Jo nuk asht njeri, ajo nuk mundet të jetë nanë. Nanë? Nanë symbol i dashunisë! Ajo femën asht ulkojë, nji ulkojë e zezë, e untë për gjak njerëzor…Jo, çdo femën shqiptare që don ta shtojë këtë racë antinjerëzore, meriton me u zhdukë. Kjo nuk asht dashuni, asht vetëm nji instinkt i ndytë. E ky instinkt që synon me përjetësue krimin sadist nuk ka të drejtë me egzistue në shoqninë njerëzore…”. Këto fjalë janë thënë nga një prift, janë përjetim personal i një martiri të kishës në zgrip të jetës, janë fjalë të rënda. Megjithatë, për çdo njeri që mund të jetë pinjoll asi babe e nane që përshkruan at Zef Pllumi, këto fjalë duhet të jenë një kambanë e përhershme alarmi: a mos jam ngjizë në kësi rrethanash e nga kësi lloj krijesash, duke qenë i dënuar përjetë me pas të shenjueme në kodin gjenetik mungesën e dashurisë njerëzore dhe farën e urrejtjes për njeriun?

Gazeta “Mapo”

KOMENTE