English

General, go home!

Nga Halil Matoshi

Gjeneral Agim Çeku, pensionist i ushtrisë kroate, dhe ish-shef i Shtabit të UÇK-së për rreth tre muaj, i aktivizuar në majat e politikës kosovare, nuk i ka hesapet gjithaq në rregull. Ai nuk heq dorë nga draftmemorandumi atipik për një vend nominalisht demokratik. “Policia duhet të llogarisë se e ka një institucion simotër”, tha ai në Kuvendin e Kosovës, për t’ua bërë me dije qytetarëve se ideja e tij totalitariste e ka për qëllim që t’ia rreshtojë Qeverisë “ushtarët” e tij, së bashku me policinë, për ta mbrojtur atë nga populli

Ardhjen e Agim Çekut nga Kroacia në luftën e Kosovës, njerëzit këtu e kishin pritur me shpresë. Vënia në krye të TMK-së pas luftës do ta bënte Çekun njeriun më të besuar jo vetëm në sondazhet e ndryshme për lidership, por të pranueshëm gjerësisht nga shoqëria kosovare, si njeri me zotësi profesionale dhe me ide të qarta, demokratike.

Drafti i memorandumit mes ministrisë që ai udhëheq (MFSK) dhe Ministrisë së Brendshme (MPB) i shkruar nga “zyra ligjore” e ministrisë së Çekut doli të jetë joligjore, madje e rrezikshme për demokracinë. Natyrisht, se dokumenti ende nuk ishte nënshkruar, ai fatmirësisht doli në shtyp (“Koha Ditore” raportoi hollësisht për përmbajtjen e tij të fortë) dhe u bë çështje debati shoqëror, madje arriti edhe para deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Gjeneral Çeku mbeti i fyer madje i zemëruar pse dokumenti arriti te publiku, sepse sipas tij ai ishte krejtësisht në rregull.

Sipas bindjeve dhe koncepteve të tij për ushtrinë, shtetin dhe të drejtat civile. Gjeneral Çeku dëshironte që t’i rriste kompetencat e FSK-së, ngase ai vërente se për të aty kishte fare pak punë, pra po i mungonte edhe fama e dikurshme dhe besueshmëria e publikut, sidomos pas “ngjitjes” me AKR-në e Behgjet Pacollit.

Ai po vazhdonte ta justifikonte këtë memorandum me Policinë e Kosovës, për të kryer detyra si ato që kryen KFOR-i në Kosovë. Mirëpo ai po harronte se KFOR-i nuk është ushtri kombëtare, por mision paqendërtues i NATO-s, i autorizuar nga KS i OKB-së, për të krijuar një ambient të sigurt në Kosovë. KFOR-i nuk i nënshtrohet asnjë kontrolli civil në Kosovë, pos që i përgjigjet Komandës së lartë të NATO-s, ndërsa secila ushtri kombëtare në secilin vend nominalisht demokratik duhet t’i nënshtrohet kontrollit civil, një ministri civil dhe Parlamentit. Pjesët përbërëse të misionit ushtarak në Kosovë në vendet e tyre të origjinës nuk i kryejnë detyrat për të cilat janë të autorizuar në Kosovë. Madje në vendet demokratike ushtria nuk manifeston rrugëve dhe shesheve, dhe asnjëherë nuk kryen detyra policore duke qenë se ushtritë e vendeve demokratike bëjnë jetën e tyre strikte brenda, në kazerma.

Duke qenë kështu, krahasimi me misionin e KFOR-it është totalisht i paqëndrueshëm. Qysh do qoftë, Çeku si individ mund të zgjedhë mes demokracisë dhe totalitarizmit, mes të drejtave qytetare dhe shkeljes së tyre...

Por, si zyrtar i lartë i shtetit që është, ofertës së tij “mbrojtëse”, qytetarët, duhet t’i thonë: Jo, faleminderit! Derisa ministri i Brendshëm, Bajram Rexhepi, e kishte kuptuar jehonën e pakëndshme që mund të ketë drafti dhe fliste për “krehjen” e tij, Çeku nguli këmbë: “Do të nënshkruhet memorandumi”, duke mëtuar që Qeveria e vendit të ketë si levë për të mbajtur pushtetin, policinë dhe ushtrinë, FSK-ja e cila, ndonëse nuk është ushtri tipike, sipas ligjit, ka 2500 trupa të armatosura lehtë, por që populli i Kosovës më me qejf e sheh si ushtri, një ditë ka mund edhe të bëhej e tillë. Në bazë të nenit 9.3 të Ligjit për FSK-në, ajo duhet të jetë e dizajnuar për të përmbushur detyra mbështetëse të sigurisë (logjistikë teknike në emergjenca) që nuk i përkasin policisë apo organizatave tjera për zbatimin e ligjit. Për FSK-në realisht kompetencat i ka prania ushtarake në Kosovë (zinxhiri komandues) dhe ICO-ja, dhe jo ministri aktual Çeku. Prandaj, përzierja e kësaj force në çështjet civile, objektivisht e largon datën kur mund të ngrihej vërtet në trupë të rregullt ushtarake, konform me ushtritë mobile të NATO-s. Madje, shumë njohës të çështjeve politike dhe të sigurisë, aktin që FSK-ja të rreshtohet përkrah policisë, si “simotër” e saj, sipas fjalëve të Çekut, këtë e shohin si demolim në embrion të vetë idesë që Kosova të bëhet me ushtri. Pra vetë ideja e cenon direkt mundësinë që FSK-ja, një ditë të shndërrohet në ushtri kombëtare të Kosovës. Zëdhënësi i KFOR-it, Hans-Dieter Ëichter, e bëri të qartë këtë moment, KFOR-i as s’ka ditur gjë dhe as që e mbështet këtë memorandum, sepse nuk ka asnjë bazë ligjore.

Prandaj, kush pret që të bëjnë ushtri njerëzit që janë mbi ligjin!? Derisa gjeneral Çeku po insistonte me këmbëngulje në planin e tij, u desh që revista prestigjioze gjermane “Der Spiegel” ta kualifikonte intencën e tij si “Përpjekje për puç në Kosovë”, që Çeku të shihte përreth dhe ta pranonte, sado që me gjysmë goje, faktin se nuk kishte përkrahje nga zinxhiri komandues i KFOR-it për një ide të tillë.

Pse kualifikimi i “Der Spegel” është i saktë? “Ky do të ishte qartë një puç”, i ka thënë revistës një oficer i lartë i trupave paqeruajtëse të KFOR-it. Sipas ligjit FSK-ja është institucion për ndihmë teknike dhe emergjente. Sipas zyrtarit të KFOR-it, në nenin 3 të memorandumit që e kishin përgatitur dy ministrat, që të dy ish-eksponentë të UÇK-së, thuhet se Forcat e Sigurisë të Kosovës në të ardhmen mund të ndërhyjnë në rast trazirash dhe madje të kontrollojnë persona. Nëse miratohen këto rregulla, atëherë elita e vjetër e UÇK-së do të krijonte një instrument plotësues të pushtetit. Tregimin për dominimin e të gjitha segmenteve të shoqërisë kosovare nga ish-guerilja UÇK, tashti nën smokingun e zi dhe kravatë, ky memorandum do ta çonte në finale.

Ky do të ishte fundi i stories dhe fillimi i diktaturës. Duke e përcjellë me vëmendje rrëfimin e gjeneralit para Komisionit Parlamentar për Siguri, mund të thuhet, së paku bazuar në narracionin e tij, se Çeku ishte mospërfillës, madje nënçmues ndaj shtypit të lirë dhe kritikët e qeverisjes, madje nga kryeneçësia se memorandumi i iniciuar mes tij dhe ministrit të Brendshëm është krejtësisht OK, qytetarët e edukuar ndihen të dëshpëruar dhe qytetarisht të fyer. Secili qytetar, si liridashës i atdheut, si i barabartë para ligjit, por edhe si demokrat i bindur do të vuajë, jo pse një memorandum i tillë totalitarist mund të jetësohet, por për faktin pse këso idesh të krisura ende e shquajnë mendësinë e lidershipit kosovar.

Ideja është e vjetër, vetëm konteksti është i ri.

Në secilin variant gjeneral Çeku është dashur të kërkonte falje publike për shqetësimin që ua ka sjellë bashkëqytetarëve të tij, gjë që do të ishte akt i lartë patriotik, pra patriotizëm ligjor, që, do t’i jepte kredibilitet të vazhdonte punën si ministër.

Por ai nuk e bëri këtë, madje sjellja e tij mospërfillëse ndaj kritikës shoqërore, i bëri shumë kosovarë të ndihen të pasigurt për të ardhmen demokratike të atdheut të tyre.

Gjeneral Çeku duke mëtuar të shtinte në dorë sa më shumë pushtet, e zverdhi besueshmërinë e shoqërisë kosovare ndaj tij, duke kaluar në anën e atyre që Kosovës po i ofrojnë modelin autoritarist dhe kleptokratik të qeverisjes. Prandaj, qytetarëve kosovarë nuk u mbetet tjetër pos të shprehen: gjeneral, shko në shtëpi, dhe ta gëzoni pensionin!

*Mendimet e shprehura në këtë artikull nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht vijën editoriale të NOA

KOMENTE