English

Ju rrëfej për Al Kaida dhe Bin Laden

Nga Barack Obama

Fjala e Presidentit mbi të ardhmen në Afganistan

Rreth 10 vjet më parë, Amerika pësoi sulmin më të madh në brigjet tona që nga koha e Pearl Harbor. Kjo vrasje masive u planifikua nga Osama bin Laden dhe rrjeti i tij Al Kaeda në Afganistan, dhe shënoi një kërcënim të ri për sigurinë tonë – ku objekti i sulmit nuk ishin më ushtarët në frontin e luftës, por burra, gra e fëmijë të pafajshëm në jetën e tyre të përditshme. Në ditët që pasuan, kombi ynë i bashkuar goditi Al Kaedën dhe ndoqi Talebanët në Afganistan. Më tej, ne ndryshuam përqendrimin. Nisi një luftë e dytë në Irak dhe shpenzuam shumë gjak dhe para për të mbështetur një qeveri të re atje. Kur unë mora detyrën si president, lufta në Afganistan kishte hyrë në vitin e saj të shtatë. Por, drejtuesit e Al Kaedës kishin ikur në Pakistan, ku po thurnin komplote për sulme të reja, ndërkohë që Talebanët ishin rigrupuar dhe kishin kaluar në mbrojtje. Komandantët e ushtrisë sonë paralajmëruan se pa një strategji të re dhe masa vendimtare, ne mund të përballeshim me rigjallërimin e Al Kaedës dhe Talebanëve, të cilët do të kontrollonin një pjesë të madhe të Afganistanit. Për këtë arsye, si një prej vendimeve më të vështira që kam marrë si president, urdhërova shtimin e trupave në Afganistan me 30,00 të tjerë. Kur e bëra publik këtë vendim në Uest Point (Akademia Ushtarake e Shteteve të Bashkuara), vendosëm objektiva të qarta: të ripërqendroheshim te Al Kaeda, të kontrollonim vrullin e Talebanëve dhe të trajnonim forcat afgane të sigurisë për të mbrojtur vendin e tyre. Bëra të qartë gjithashtu se angazhimi ynë nuk do të ishte i pacaktuar në kohë dhe se do të nisnim të tërhiqnim trupat tona në korrik të këtij viti. Sonte mund t’ju them se po e përmbushim këtë angazhim. Falë ushtarakëve dhe ushtarakeve tona të jashtëzakonshme, personelit tonë civil, si dhe shumë partnerëve tanë të koalicionit, ne po përmbushim synimet tona. Si rrjedhojë, duke nisur nga muaji tjetër, do të mund të heqim 10,000 nga trupat tona nga Afganistani deri në fund të këtij viti, dhe deri verën e vitit tjetër do të sjellin në shtëpi 33,000 trupa, duke rikuperuar atë që unë shpalla në Uest Point. Pas pakësimit fillestar, trupat tona do të vazhdojnë të kthehen në shtëpi në mënyrë graduale, ndërsa drejtimi merret në dorë nga forcat afgane të sigurisë. Misioni ynë do të ndryshojë nga mision lufte në mision mbështetjeje. Ky proces kalimi do të përfundohet deri në vitin 2014 dhe populli afgan do të jetë vetë përgjegjës për sigurinë e tij. Po e nisim këtë tërheqje nga një pozicion force. Al Kaeda është në më shumë trysni se çka qenë ndonjëherë që nga 11 Shtatori. Së bashku me pakistanezët, kemi asgjësuar më shumë se gjysmën e drejtuesve të Al Kaedas. Dhe falë profesionistëve tanë të shërbimit informativ dhe Forcave Speciale, vramë Osama bin Laden, i vetmi udhëheqës që ka njohur ndonjëherë Al Kaeda. Kjo ishte fitore për gjithë ata që kanë shërbyer që nga 11 shtatori. Një ushtar e përmblodhi shumë mirë duke thënë: “Mesazhi”, - tha ai, - “është se ne nuk harrojmë. Do të japësh llogari, pavarësisht se sa kohë duhet për ta realizuar këtë.” Informacioni që morëm nga kompleksi i bin Laden tregon se Al Kaeda është në sforcim tejet të madh. Bin Laden shprehu shqetësimin se Al Kaeda nuk kishte qenë në gjendje të zëvendësonte me efikasitet terroristë me përvojë që ishin vrarë, dhe se Al Kaeda kishte dështuar në përpjekjet për ta përshkruar Amerikën si komb në luftë me Islamin – duke shteruar kështu mbështetjen e gjerë. Al Kaeda vazhdon të jetë e rrezikshme, dhe duhet të jemi vigjilentë kundër sulmeve. Por, e kemi vendosur Al Kaedën në rrugën e mundjes, dhe nuk do ta ulim vrullin derisa puna të përfundojë. Në Afganistan, u kemi shkaktuar Talebanëve humbje serioze dhe u kemi marrë një numër të madh bastionesh. Bashkë me valën tonë të shtimit të trupave, aleatët tanë kanë shtuar përkushtimin e tyre, gjë që ndihmoi në stabilizimin e mëtejshëm të vendit. Forcat afgane të sigurisë janë shtuar me 100,000 trupa dhe në disa provinca e bashki kemi nisur tashmë kalimin e përgjegjësisë së sigurisë në duart e popullit afgan. Përballë dhunës dhe kërcënimit, afganët po luftojnë e vdesin për vendin e tyre, duke vendosur forca vendore policore, duke hapur tregje e shkolla, duke krijuar mundësi të reja për gratë dhe vajzat, si dhe duke u përpjekur ta kalojnë faqen e luftës prej dekadash. Natyrisht që mbeten sfida shumë të mëdha. Ky është fillimi – por jo fundi – i përpjekjes sonë për t’i dhënë fund kësaj lufte. Na duhet të bëjmë punë të madhe për të mbajtur fort fitoret që kemi arritur, ndërkohë që tërheqim forcat tona dhe kalojmë përgjegjësinë për sigurinë në duart e qeverisë afgane. Majin e vitit tjetër, në Çikago, do të mbajmë një samit me aleatët dhe partnerët tanë të NATO-s për t’i dhënë formë fazës tjetër të këtij kalimi. E dimë në fakt se paqja nuk mund të vijë në një vend të tillë që ka njohur kaq shumë luftë, pa u shoqëruar me marrëveshje politike. Prandaj, duke forcuar qeverinë dhe forcat e sigurisë afgane, Amerika do të bashkohet me nismat për pajtimin e popullit afgan, përfshirë Talebanët. Qëndrimi ynë në këto bisedime është i qartë: Ata duhet të udhëhiqen nga qeveria afgane dhe ata që duan të jenë pjesë e një Afganistani paqësor duhet të shkëputen nga Al Kaeda, të braktisin dhunën dhe të veprojnë në përputhje me kushtetutën afgane. Por, pjesërisht për shkak të përpjekjeve tona ushtarake, kemi arsye të besojmë se përparimi është i mundshëm. Synimi që kemi është i arritshëm dhe mund të shprehet thjesht: Nuk ka strehë të sigurt nga e cila Al Kaeda apo celulat e saj të mund të hedhin sulme kundër tokës sonë apo aleatëve tanë. Nuk do të përpiqemi ta bëjmë Afganistanin vend të përkryer. Nuk do të ruajmë rrugët e tij apo patrullojmë në malet e Afganistanit pafundësisht. Kjo është përgjegjësi e qeverisë afgane, e cila duhet të përdorë gjithë aftësitë e saj më të mira për të mbrojtur popullin e vetë, dhe të lëvizë nga ekonomia e formësuar nga lufta në një që mund të ruajë paqe të qëndrueshme. Ajo që mund të bëjmë ne, dhe që do ta bëjmë, është ndërtimi i një partneriteti të vazhdueshëm me popullin afgan – një partneritet që siguron se ne do të jemi në gjendje të vëmë në shënjestër terroristët dhe të mbështesim një qeveri sovrane afgane.

Sigurisht, përpjekjet tona duhet të shqyrtojnë gjithashtu strehët e sigurta për terroristët në Pakistan. Nuk ka vend më të rrezikuar nga prezenca e ekstremistëve të dhunshëm se ai, prandaj do të vazhdojmë të shtyjmë Pakistanin të zgjerojë pjesëmarrjen në sigurimin e një të ardhmeje më paqësore për këtë rajon të shkatërruar nga lufta. Do të punojmë me qeverinë pakistaneze për të çrrënjosur kancerin e ekstremizmit të dhunshëm dhe do të këmbëngulim që ajo t’u qëndrojë angazhimeve të veta. Sepse nuk duhet të ketë dyshim që për sa kohë unë të jem president, Shtetet e Bashkuara nuk do të tolerojnë kurrë strehë të sigurte për ata që synojnë të na vrasin. Ata nuk mund të na shmangin, as nuk mund t’i shpëtojnë drejtësisë që meritojnë.

Bashkëkombësit e mi amerikanë, ky ka qenë një dhjetëvjeçar i vështirë për vendin tonë. Kemi mësuar përsëri koston e thellë të luftës – kosto që është paguar nga afro 4 500 amerikanë që kanë dhënë jetët e tyre në Irak, dhe mbi 1 500 që kanë bërë të njëjtën gjë në Afganistan – burra dhe gra që nuk do të shikojnë për së gjalli lirinë të cilën ata mbrojtën. Mijëra të tjerë janë plagosur. Disa kanë humbur gjymtyrët në fushën e betejës dhe të tjerë luftojnë akoma me demonët që i kanë ndjekur pas në shtëpitë e tyre.

Megjithatë, sonte na qetëson ideja se vala e luftës po bie. Më pak vajza e djem tanët po shërbejnë në drejtim të rrezikut. E kemi përfunduar misionin tonë luftarak në Irak, me 100 000 trupa amerikane tashmë të larguara nga ai vend. Edhe pse do të ketë ditë të errëta përpara në Afganistan, arrijmë të shohim në distancë dritën e paqes së sigurte. Këto luftëra të gjata to të përfundojnë me përgjegjësi.

Ndërkohë që kjo ndodh, ne duhet të mësojmë prej tyre. Tashmë ky dhjetëvjeçar lufte ka bërë që shumë të vënë në pikëpyetje natyrën e angazhimit amerikan anë e mbanë botës. Disa kërkojnë që Amerika të tërhiqet nga përgjegjësia si spirancë e sigurisë globale, dhe të kalojë në izolim që nuk i vë veshin kërcënimeve të vërteta me të cilat përballemi. Disa të tjerë do të donin që Amerika të mbi zgjerohet, duke u përballur me çdo të keqe që gjendet përtej kufijve të saj.

Duhet të skicojmë një drejtim më në qendër. Ashtu si breza përpara nesh, duhet të përqafojmë rolin e vetëm të Amerikës në rrjedhën e ngjarjeve njerëzore. Por duhet të jemi po aq pragmatistë sa ç’jemi pasionantë; po aq strategjikë sa ç’jemi të vendosur. Kur na kërcënojnë, duhet të përgjigjemi me forcë – por kur kjo forcë të mund të shënjohet, nuk është nevoja të zbarkojmë ushtri të mëdha jashtë shtetit. Kur bëhet kasaphanë me të pafajshmit e rrezikohet siguria globale, nuk është nevoja të zgjedhim mes të qëndruarit duarkryq duke parë apo të vepruarit vetë. Përkundrazi, duhet të organizojmë veprim ndërkombëtar, siç po bëjmë në Libi, ku nuk kemi asnjë ushtar të vetëm në terren, por po mbështesim aleatët në mbrojtjen e popullit libanez dhe po u japim atyre mundësinë të përcaktojnë fatin e tyre.

Në gjithçka që bëjmë duhet të kujtojmë se ajo që na veçon është jo vetëm pushteti ynë – janë parimet mbi të cilat është themeluar bashkimi ynë. Jemi komb që i sjell para drejtësisë armiqtë e vet duke iu përmbajtur shtetit ligjor dhe duke respektuar të drejtat e gjithë shtetasve të vetë. Mbrojmë lirinë dhe mirëqenien tonë duke e përhapur atë te të tjerët. Nuk qëndrojmë si perandori, por për vetë vendosmëri. Kjo është arsyeja se përse kemi pjesë në aspiratat demokratike që po përfshijnë tashmë botën arabe. Ne do t’i mbështesim ato revolucione me besnikëri ndaj idealeve tona, me fuqinë e shembullit tonë dhe me besimin e patundur se të gjithë qeniet njerëzore meritojnë të jetojnë në liri e me dinjitet.

Mbi të gjitha, jemi kombi fuqia e të cilit jashtë kufijve tanë është ankoruar për mundësitë e shtetasve tanë brenda kufijve. Gjatë dhjetëvjeçarit të kaluar, kemi shpenzuar një triliardë dollarë për luftën, në një kohë me shtim borxhi e ekonomi të vështirë. Tani duhet të investojmë në burimin më të madh të Amerikës – popullin tonë. Duhet të lirojmë risinë që krijon vende punë dhe industri të reja, duke jetuar brenda mundësive që kemi vetë. Duhet të rindërtojmë infrastrukturën tonë dhe të gjejmë burime të reja e të pastra për energjinë. Dhe mbi të gjitha, pas një dhjetëvjeçari debati pasionant, duhet të rikapim qëllimin e përbashkët që kemi pasur në fillimin e kësaj kohe lufte. Sepse kombi ynë merr fuqi nga ndryshimet që ka brenda vetes, dhe kur bashkimi ynë është i fortë nuk ka asnjë kodër shumë të pjerrët, nuk ka asnjë horizont përtej fushëpamjes sonë.

Amerikë, ka ardhur koha të përqendrohemi në ndërtimin e kombit tonë këtu në shtëpi.

Në këtë përpjekje, marrim frymëzim nga bashkëkombësit tanë që kanë sakrifikuar kaq shumë në emrin tonë. Trupave tanë, veteranëve tanë dhe familjeve të tyre, flas për gjithë amerikanët kur them se do të kemi besim të shenjtë te ju dhe do t’ju ofrojmë kujdesin e përfitimet dhe mundësitë që meritoni.

Takova disa prej këtyre patriotëve në Fort Kempbëll. Pak kohë më parë, fola me Airborne 101 (Divizion amerikan i këmbësorisë) që ka luftuar për të sjellë ndryshime në Afganistan, dhe me skuadrën që vrau Osama bin Laden. Duke qëndruar përpara një modeli të kompleksit të bin Laden, forcat e bashkuara SEAL të Marinës që drejtuan atë përpjekje bënë nderime për ata që kishin humbur – motra dhe vëllezër ushtarakë emrat e të cilëve janë shkruar tani në bazat ku trupat tona ruajnë jashtë shtetit, dhe në epitafe në qoshe të qeta të vendit tonë ku kujtimi i tyre nuk do të shuhet kurrë. Ky oficer – si shumë të tjerë që kam takuar në bazat në Bagdad dhe Bagram, dhe në Uoltër Rid (Ëalter Reed- qendra spitalore e ushtrisë) dhe Spitalin Detar të Bethesdës – foli me përulje se si njësia e tij punoi si një e vetme e bashkuar, në varësi të njeri-tjetrit, me besim te njeri-tjetri, siç bën një familje në kohë rreziku.

Ky mësim ia vlen të mbahet mend – që të gjithë jemi pjesë e familjes së vetme amerikane. Edhe pse kemi njohur mosmarrëveshje dhe ndasi, jemi të lidhur bashkë përmes kredos së shkruar në dokumentet e themelimit tonë, dhe me bindjen se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë vendi që mund të arrijë çfarëdo synimi që i vendos vetes. Tani, le të përfundojmë punën që kemi në dorë. Le t’i përfundojmë me përgjegjësi këto luftëra, dhe të rishpallim Ëndrrën Amerikane që është në qendër të historisë sonë. Me besim në kauzën tonë, me besim te bashkështetasit tanë dhe me shpresë në zemrat tona, le t’i kthehemi punës së zgjerimit të premtimit të Amerikës – për këtë brez dhe tjetrin.

KOMENTE