English

Legalizimi i dokumentave, zyrtarizohet marrëveshja Shqipëri – Itali

Tiranë, 24 qershor 2011 NOA- Sikundër kishte propozuar qeveria italiane më 18 maj të këtij viti, tashmë sdo të jetë më nevoja që, dokumentat e autoriteteve shqiptare të legalizohen në Ambasadën Italiane në Tiranë. Ndërsa, edhe dokumentet e lëshuara nga autoritetet italiane, në Itali, të cilat nuk do të kenë më nevojë të legalizohen nëpër ambasadat apo misionet e tjera diplomatike që Shqipëria ka në atë vend. Zyrtarizimi i vendimit është bërë në takimin mes zv/kryeministrit dhe ministrit të Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Edmond Haxhinasto dhe Ambasadorit italian në Shqipëri, Saba D’Elia. "Mendoj që ky është një zhvillim shumë i rëndësishëm, një zhvillim që përmirëson ndjeshëm marrëdhëniet konsullore mes dy vendeve dhe mbi të gjitha, krijon lehtësi për qytetarët shqiptarë që kanë nevojë për shërbimet konsullore që ofrohen nga institucionet në Shqipëri dhe në Itali", u shpreh Haxhinasto. Ambasadori italian në Shqipëri, Saba D’Elia, u shpreh se ky raport i dyanshëm i takon disa aspekteve si ekonomike, politike dhe sociale. “Miqtë shqiptarë, që kanë një dokument zyrtar shqiptar, që u duhet për nevojat e tyre për ta paraqitur në Itali, s’do të kenë më nevojë të marrin legalizimin e dokumentit pranë Ambasadës sonë, pasi do të mjaftojë të paraqiten me këtë dokument në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, për të vendosur një vulë në dokument dhe më pas do të paraqiten në konsullatën italiane për ta përkthyer dokumentin”, tha D’Elia. "Kjo do të thotë që qytetarët shqiptarë nuk do të kenë më nevojë të vënë vulën e legalizimit që bëhej më parë, ku vetëm vitin e kaluar rreth 70 mijë qytetarë shqiptarë kanë kërkuar këtë legalizim", u shpreh ambasadori italian. "Qytetarët shqiptarë s’kanë më nevojë të shkojnë as në konsullatën e Shkodrës apo Vlorës, por mjafton të marrin vulën e apostilës në MPJ dhe pastaj do të bëjnë vetëm përkthimin e dokumentit në konsullatë", shtoi ai. Sipas tij, kjo do të thotë që kostoja e shpenzimeve do të ulet me rreth 80 % për qytetarët shqiptarë. "Pasi kemi punuar me autoritetet shqiptare për liberalizimin e vizave, ky është një tjetër lehtësim që u bëhet shtetasve shqiptarë. Ky bashkëpunim do të ndihmojë në integrimin e Shqipërisë në BE”, theksoi D’Elia. Ndërkohë, i pyetur në lidhje me situatën politike në Shqipëri dhe ndikimin e saj në integrimin e vendit në BE, D’Elia u shpreh se "duhet punuar për të kaluar këtë fazë. Vendi duhet të rikthehet në një jetë politike normale edhe në parlament, sepse pikërisht në parlament duhet të punohet për të aplikuar ato reforma që kërkohen nga BE". a.q/NOA

KOMENTE
  • Elisabeta Fier Marku16:24 - 24 Qershor 2011
    A MUNDET QE NE QYTETARET E SHQIPERIS QE NUK KEM MUNDUR TE SHKOJM NE VENDET E EUROPES TE KEMI TE DREJT PUNESIMI NE ITALI TANI ME LIBERALIZIMIN E VIZAVE?DHE A KA NDONJE PENGES PER TE JETUAR E PUNUAR NE ITALI,?CFARE KERKOHEN SI KUSHTE DHE DEKUMNENTA SHTES?