English

Notat e fundit në pianon e jetës të Alqi Karecos

Nga Miranda Haxhia

"Rrallë më ndodh që një pacient të më emocionojë, më rrëfeu im bir mjek i ri, por çasti kur e zbritën nga avioni Alqi Karecon, të sëmurë, me merakun e tij që të mbyllte sytë përgjithmonë në Shqipëri, ishte vërtet shumë i dhimbshëm, por edhe shumë fisnik. Edhe fundet ndonjëherë janë po aq fisnike sa janë edhe jetët njerëzore. Ai, sapo zbriti, vështroi rreth e rrotull, ua bëri me dorë familjarëve dhe sytë iu mbushën me lot". Ishte emocionuese, kështu më rrëfeu im bir, kur priste të merrte me ambulancë në aeroport një burrë të vjetër, që i kapëlyer nga sëmundja e pakthyeshme, po kthehej i pashpresë nga Turqia për t'u ngopur për herë të fundit me ajrin e atdheut.

Dhe të gjitha bisedat e kësaj dite më vërtiten rreth sëmundjes së rëndë të artistit. Dhe si të mos duam ta lëmë vetëm në këto çaste, e kujtojmë dhe rrëfejmë për të.

***

"Alqi është shoku që e kujtoj qysh kur isha fëmijë, në gjimnazin e Tiranës, në vitet '46-'47; dhe hera e fundit që na mblodhi ishte takimi i herëpashershëm me ish-shokët bashkëmoshatarë të asaj klase të largët në kohë, e kujton miku i tij i hershëm, Amik Kasoruho. Rrallë ndodh që njeriu të këmbëngulë kaq shumë për t'u ritakuar me shokët e klasës, edhe pas 60 vjetësh. Ishte Alqi Kareco që organizonte ato takime të bukura, kur secili prej nesh, kujtonte jo vetëm jetën e vet, por edhe të të gjithë shokëve të gjimnazit të Tiranës, edhe kohën që jetonte gjithsecili hallet, vuajtjet, gëzimet, arritjet e jetës. Ai dinte të gjurmonte në numra telefoni, ai dinte të të kthente në atdhe edhe kur ishe larg, kur mendoje se askush nuk të kujtonte më.

Tani, kur Alqi Kareco po mbahet në ditët e fundit të jetës është meraku ynë që të jemi pranë tij, pranë familjes së tij për t'i kujtuar Alqit dhe gjithë atyre që e deshën në jetë, se tingëllima e pianos që ai e deshi aq shumë, muzika që frymëzoi jetën e tij, jo vetëm nuk do të pushojë kurrë, por në Shqipëri, do të jetë gjithmonë një rekuiem për artistin e mrekullueshëm, Alqi Karecon.

Në ato vite të largëta, kur ne niseshim nga shtëpitë të përshëndetur nga babai e mëma, Alqi u mësua të vinte në shkollë pa u përshëndetur me babanë e tij; i ati ishte në burg dhe ai lloj burgu që më vonë do të bëhej një burg i madh për shumë të tjerë, jo vetëm nuk do ta zhbënte njeriun e mirë Alqi Kareco, por do ta mësonte se një regjim mund të burgosë, mund të vrasë, por nuk mund të prishë njeriun, atë pjesë të shpirtit të tij që nuk e lexon dot asnjë hetues apo gjykatës.

Vite me radhë muzika e tij ishte një lloj arratie nga e pajetuara, ishte një lloj lirie që njeriu e krijon në mënyra të ndryshme, kur mungon liria e vërtetë, ajo e madhja dhe njerëzorja.

Zëri i tij, e folura, qetësia dhe qartësia e gjykimit, fisnikëria e artistit, besimi dhe ndershmëria e bënë Alqi Karecon aq shumë të mirë sa, edhe sikur dhjetë herë të rrëfej për mikun tim të fëmijërisë, nuk do të rresht së gjeturi fjalë, mirënjohje, dashuri dhe respekt". Përfundon i pikëlluar shoku i tij i hershëm.

***

Zakonisht, njerëzit dhe vepra e tyre ridimensionohen pas vdekjes. Nuk do të doja që të shkruaja për Alqi Karecon pas vdekjes së tij. Ajo është fare e parëndësishme për njeriun dhe artistin e mirë. Me gjestin e saj, vdekja do të bëjë vetëm një shërbim: Do të na kujtojë edhe një herë të gjithëve se sa e dhimbshme është kur humbasin njerëzit, sa e vështirë është të mësohesh me mungesën e tyre, se sa vlerë ka patur puna dhe vepra që ata lanë.

Pianoja e vjetër austriake që maestro Kareco i dhuroi Teatrit "Metropol", vetëm një vit më parë do të kujtojë gjithmonë se Alqi Kareco është mjeshtri që në 40 vjet karrierë muzikore ka orkestruar mbi 5000 këngë, ai që, prej punës së tij u formuan profesionalisht me qindra këngëtarë. Sepse, janë të rrallë ata që nuk kanë interpretuar këngët e orkestruara nga maestro, si dhe kompozitorët që nuk kanë bashkëpunuar me të. Ishte fundi i viteve '50 kur filloi orkestrimi, ky specialitet muzikor të cilin e drejtoi mrekullisht mjeshtri Kareco.

Bashkëshoqërimi me pothuajse 2000 orkestrime të Agim Prodanit e më tej orkestrimet në Estradën e Tiranës, dirigjimi, loja në piano e bënë të famshëm, por të heshtur në gjithë produksionet e Radiotelevizionit shqiptar.

Një jetë e tërë mbi tastierën e pianos dhe mbi fletët e pentagrameve, duke bërë orkestrime pa fund, me dy mjete të thjeshta, lapsin dhe gomën, pa asnjë shpikje elektronike, për Estradën e Tiranës, për koncertet e majit, për festivalet e ushtarit, si dhe për festivalet e këngës, janë mjaftueshëm për të menduar se Alqi Kareco i ka dhënë artit dhe muzikës shqiptare një pasuri të çmuar, një thesar, të cilin vendi i tij ia shlyen vetëm…, vetëm me kujtesë dhe mirënjohje.

Portretin e maestro Karecos njerëzit ndoshta nuk e sjellin në kujtesë, pasi gjatë shumë viteve të asaj kohe diktature edhe kamerat nuk e fokusonin asnjëherë afër, por nuk mund të rezistonin pa fokusuar duart e mjeshtrit mbi tastierë. Ishte një kufi të cilit nuk i rezistonte dot kush.

Mbi 5000 orkestrime..., me laps dhe gomë! 5000 orkestrime..., sot është i shtruar në një klinikë dhe po jep e merr me ajrin që i lodh mushkëritë e sëmura keqas. "Artisti i Merituar" Alqi Kareco po luan notat e fundit mbi pianon e jetës.

*Artikulli është botuar në shtypin e përditshëm pak ditë para se artisti, Alqi Kareco, të ndahej nga jeta.

KOMENTE