English

Regjistrimi i popullsisë, AK: Jo projektligjit grek

Tiranë, 28 qershor 2011, NOA – Ndërsa pritet që në një seancë jashtë radhe Kuvendi i Shqipërisë të shqyrtojë dhe miratojë me procedurë të përshpejtuar pr/ligjin aq të debatuar për regjistrimin e popullsisë mbi baza etnike dhe fetare, aktivistët e Aleancës Kuq e Zi po protestojnë prej disa minutash para godinës së parlamentit.

Përfaqësuesit e Aleancës Kuq e Zi kanë kundërshtuar me forcë miratimin e këtij drafti duke theksuar se ai është një projektligj që bie ndesh me interesat kombëtare.

Ata i kanë bërë thirrje deputetëve shqiptarë të zgjedhur nga zgjedhësit shqiptarë të votojnë projektligjin e propozuar nga Aleanca Kuq e Zi, e të miratuar nga popullit përmes peticionit, pr/ligj i depozituar javën e shkuar në parlament.

“Votoni peticionin e popullit dhe jo projektligjin e grekut, që bie ndesh me interesat kombëtare”, deklaroi përfaqësuesi i Aleancës Kuq e Zi.

Aleanca Kuq e Zi iu referua vendeve fqinje, si Kosova ku qytetarët e Kosovës pajisen me pasaportë serbe brenda tri ditësh, apo edhe rastin e Maqedonisë.

Aktivistët e Aleancës Kuq e Zi paralajmëruan ndërmarrjen e disa hapave për kundërshtimin e regjistrimit të popullsisë mbi baza etnike e fetare, duke saktësuar se ata do të ndërmarrin një fushatë të gjerë ndërgjegjësuese për pajisjen me pasaportë shqiptare, ndryshime kushtetuese në bazë të standardeve të BE-së si dhe një fushatë popullore për kundërshtimin e këtij projektligji.

Ndërkohë që protesta vazhdon, miratimi i projektligjit për regjistrimin e përgjithshëm të popullsisë dhe banesave, që parashikon gjobë prej 100 mijë lekësh për ata që deklarojnë kombësi të rreme pritet të shoqërohet me debate në sallën e kuvendit.

Në krye të fushatës së Aleancës Kuq e Zi kundër pr/ligjit mbi regjistrimin e popullsisë mbi baza etnike e fetare është vënë nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu.

Protestuesit e Aleancës Kuq e Zi mbajnë në duar pankarta kundër ministrit të TIK, Genc Pollo, ministria e të cilit ka propozuar ndryshimet e reja në projektligjin e regjistrimit të përgjithshëm të popullsisë dhe banesave, i cili pritet të jetë argumenti kryesor i seancës së sotme plenare, e mbledhur jashtë radhe.

Seanca e parlamentit ishte paralajmëruar të niste në orën 10:00.

mit/NOA

KOMENTE