English

Rrëzimi i ankesës së PS, relacioni i plotë i kreut të KQZ

Tiranë, 28 qershor 2011 NOA – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve me relator kreun e tij Arben Ristani, mbrëmjen e sotme vendosi që të hedhë poshtë me shumicë votash, kërkesë-ankimimin e Partisë Socialiste që kërkonte pavlefshmëri të procesit të votimit për 284 qendra votimi në Tiranë.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në shqyrtim të kërkesës ankimore nr. 164 të Partisë Socialiste, e cila në objektin e saj përfshinte dy kërkime të veçanta ankimore: 1- Kundërshtimin e vendimit Nr. 1158, dt. 25.06.2011, 2- Kërkesë për shpalljen e pavlefshmërisë së zgjedhjeve në 284 QV të zonës zgjedhore Bashkia Tiranë. Kërkesa bazohej procedurialisht, sipas deklarimeve të ankuesit, në nenin 124 dhe 126 të Kodit Zgjedhor, depozituar në selinë e KQZ-së dhe regjistruar sipas nenit 127, në datën 27, në orën 15.00. Lidhur më këtë kërkesë KQZ hodhi shortin në datën 28 qershor 2011 në mbledhjen e orës 10.00.

Me cilësinë e relatorit, pasi shqyrtoi përmbajtjen e ankimit dhe të dokumentacionit shoqërues, z.Arben Ristani i paraqiti KQZ-së relacionin që e gjeni më poshtë të plotë:

si më poshtë vijon:

Kërkesa ankimore e subjektit elektoral plotëson elementët e formës të përcaktuara në nenin 126 të Kodit Zgjedhor. Ankimi zgjedhor është paraqitur në formën e kërkesës ankimore, përmban emrin e plotë të subjektit dhe adresën e tij, referimin tek vendimi që ankimohet, bazën ligjore, përshkrimin e shkurtër të shkeljeve të pretenduara, përshkrimin e fakteve dhe argumenteve dhe dispozitave ligjore tek të cilat mbështet ankimi, tregimin e provave dhe burimin e tyre si datën dhe firmën e ankuesit.

Por kërkesa ankimore në objektin e saj ka dy kërkime të veçanta; njërin ankim ndaj vendimit nr 1158 date 25.06.2011 dhe tjetri kërkesë për deklarimin të pavlefshëm të zgjedhjeve në një numër të përcaktuar qendrash votimi.

Në këto kushte, kërkesat formale të përcaktuara në nenin 126, subjekti elektoral ankues, i ka plotësuar pa referuar se në funksion të cilit prej kërkimeve janë plotësuar ato. Gjithsesi, kjo është një e metë e kërkesës ankimore, e cila në këtë moment duhet vetëm të evidentohet dhe, në varësi nga vendimi i KQZ-së, duhet të mbahet në konsideratë në procedimin e mëtejshëm.

Kodi Zgjedhor i kërkon në këtë fazë të procedimit KQZ-së që, për të vendosur pranimin ose mosparanimin e kërkesës ankimore, të marrë në shqyrtim dhe të verifikojë, në përputhje me nenin 130 të Kodit:

kompetencën e KQZ-së për shqyrtimin e ankimit;

legjitimimin e ankuesit;

dhe respektimin e afateve ligjore për ankim.

Ky verifikim duhet të bëhet veçmas për të dy kërkimet që formojnë objektin e kërkesës ankimore.

Lidhur me kërkimin e parë, KQZ-ja në vlerësimin e relatorit, duhet të konstatojë se subjekti elektoral:

së pari legjitimohet në paraqitjen e kërkesës, për shkak se:

a) është subjekt pjesëmarrës në zgjedhjet vendore;

b) ka një interes të ligjshëm në raport me vendimin nr. 1158 dt. 25/06/2011

c) ka qenë pjesë e procesit administrativ që ka çuar në miratimin e këtij vendimi.

Së dyti, lidhur me afatin, KQZ duhet të konstatojë se kërkesa ankimore është paraqitur në orën 15.00 të datës 27.06.2011. Pra, 1 ditë dhe 15 orë pas marrjes së vendimit nr 1158 datë 25.06.2011, dmth brenda afatit 3 ditor që përcakton neni 124, paragrafi i parë, i Kodit Zgjedhor, i cili referohet nga ankuesi si bazë ligjore proceduriale për kërkesën e vet ankimore.

Por, afati tre ditor i nenit 124 i referuar në kërkesë ankimore, është afat ankimi kundër vendimit të KQZ-së, të marrë sipas nenit 123 të Kodit Zgjedhor. Vendimi nr 1158 datë 25.06.2011 i KQZ-së është vendim i marrë në zbatim të urdhërimit të Kolegjit Zgjedhor nr. 67, dt. 13.06.2011 për të hapur, rinumëruar dhe rivlerësuar votat e kontestuara në kutitë e pahapura për Bashkinë Tiranë, pra një vendim i marrë në zbatim të nenit 138 të Kodit Zgjedhor ose, më gjerë, në zbatim të procedurave të përcaktuara në kreun X për ankimimet.

Këtë gjë e ka përcaktuar vendimi nr. 67 i Kolegjit Zgjedhor jo vetëm në pikën 4 të urdhërimit të tij, por edhe në sqarimet rreth arsyetimit të vendimit në faqen 18 e vijim. Në këto kushte afati i ankimit ndaj vendimit të KQZ-së, nr. 1158 datë 25.06.2011 është ai i përcaktuar nga neni 152, paragrafi i dytë i Kodit Zgjedhor dmth 5 ditë nga shpallja e tij dhe jo nga neni 124 paragrafi i parë i Kodit Zgjedhor. Gjithsesi, me këtë korrigjim të referencës ligjore dhe në analizë formale të afateve të përcaktuara në Kodin Zgjedhor si më sipër, duhet konkluduar se subjekti elektoral ankues është në respektim të afatit të ankimit.

Së treti, lidhur me kompetencën, sikundër u parashtrua më sipër gjatë analizës për afatin, KQZ duhet të konkludojë se ankimi ndaj vendimit nr. 1158 datë 25.06.2011 të KQZ-së duhet të paraqitet pranë Kolegjit Zgjedhor, siç e parashikon neni 152 i Kodit Zgjedhor dhe jo pranë KQZ-së. Vendimi nr. 1158 datë 25.06.2011 i KQZ-së nuk është vendim i dalë sipas nenit 123 të Kodit, për të cilin, po ky Kod parashikon ankimin në KQZ, por është vendim i KQZ-së për zbatimin e urdhërimeve të Kolegjit Zgjedhor gjatë procedurës ankimore për të cilin kompetenca e shqyrtimit i takon ligjërisht Kolegjit Zgjedhor.

Në këto kushte kërkimi i parë i objektit të kërkesës ankimore duhet të rrëzohet nga KQZ-ja për shkak se nuk plotësohet kushti për kompetencën i përcaktuar në shkronjën ”a” të nenit 130 të Kodit Zgjedhor.

Lidhur me kërkimin e dytë të objektit të kërkesës ankimore, kërkimin për pavlefshmërinë, verifikimi i elementëve të përcaktuar në nenin 130 të Kodit na çon drejt përgjigjes pozitive për kushtin për legjitimimin dhe për kompetencën, por na çon në mënyrë të pashmangshme drejt përgjigjes negative për kushtin për afatin ligjor.

Kompetenca e KQZ-së për të shqyrtuar kërkesat për pavlefshmëri bazohet në nenin 124 dhe nenin 160 të Kodit Zgjedhor. Neni 160 përcakton edhe afatin brenda të cilit subjektet zgjedhore mund të paraqesin kërkesat për pavlefshmëri. Ky afat është brenda 3 ditëve nga shpallja e rezultatit nga KQZ-ja ose, sipas rastit, nga KZAZ-ja.

Pyetja është se përpara cilit rast jemi; përpara rezultatit që shpallet nga KQZ-ja apo përpara rezultatit që shpallet nga KZAZ-ja (KQZ-ja në funksionin e saj si KZAZ e Bashkisë Tiranë)?

Kodi Zgjedhor i njeh KQZ-së në nenin 21, pika 7, kompetencën të shpallë me vendim rezultatin e zgjedhjeve për cdo zonë zgjedhore, kandidatët fitues për zgjedhjet në Kuvend dhe kandidatët fitues për anëtarët e këshillave të organeve të qeverisjes vendore. Pra, KQZ-ja nuk shpall kandidatë fitues për kryetar bashkie ose komune. Në nenin 33 përcaktohet se është KZAZ-ja organi që shpall kandidatë fitues për kryetar të njësisë vendore. Pra në konkluzion logjik, referenca tek paragrafi 2 i nenit 160 nuk mund të bëhet për vendimin e KQZ-së nr 1158 datë 25.06.201, por për vendimin e KQZ-së nr. 711, datë 23.05.2011, vendimin që KQZ-ja e ka marrë në cilësinë e saj si KZAZ e Tiranës.

Veprimi i KQZ-së në funksionin e saj si KZAZ e Bashkisë Tiranë, tashmë është jashtë çdo lloj debati sepse është konfirmuar jo vetëm nga praktika por edhe jurisprudenca e Kolegjit Zgjedhor. (vendimet nr. 49, dt. 03.06.2011 dhe nr. 67 dt. 13.06.2011).

KQZ-ja detyrimin e saj si KZAZ e Bashkisë Tiranë e ka përmbushur në datën 23.05.2011, kur ka miratuar tabelën përkatëse me vendimin nr. 711. Për rrjedhojë, afati për kërkimin e pavlefshmërisë është ezauruar në datën 26.05.2011, siç përcakton paragrafi i dytë i nenit 160 të Kodit.

Sipas Kodit Zgjedhor, afati për kërkimin e pavlefshmërisë është i njëjtë me atë për kundërshtimin në KQZ të vendimeve të KZAZ-ve për rezultatin, në përputhje me Pjesën X të Kodit Zgjedhor.

Në të dy rastet, KQZ-ja i shqyrton ankimet në ushtrim të funksionit të saj quasi gjyqësor. Nga kjo analizë, si dhe nga praktika e deritanishme e KQZ-së dhe Kolegjit Zgjedhor, rezulton se shqyrtimi i pavlefshmërisë dhe ankimit për rezultat të një zone zgjedhore, përfshire Bashkinë Tiranë, nga KQZ bëhet në të njëjtën kohë dhe jo në mënyrë konsekutive. Kodi, nëpërmjet vendosjes së afatit dhe pikënisjes së njëjtë për ketë afat, i jep mundësinë KQZ-së të kryejë një hetim të plotë dhe, sipas rastit, të miratojë tabelën e rezultatit duke hequr nga ajo ato QV për të cilat ka shpallur pavlefshmëri. Ky vendim është i ankimueshëm në Kolegjin Zgjedhor në përputhje me Pjesën XI.

Afati i njëjtë parandalon qe fillimisht një subjekt të kërkojë pavlefshmëri e më pas të kërkojë rezultat dhe anasjelltas, fillimisht të kërkojë rezultat e më pas të kërkojë pavlefshmëri, si në rastin e kërkuesit Partia Socialiste. Kalimi i afatit 3-ditor sjell menjëherë dekadencën e të drejtës për çdo kërkesë të mëtejshme. Ky konkluzion përforcohet edhe nga interpretimi i dispozitave në lidhje me shqyrtimin e kërkesave për pavlefshmëri. Përcaktimet e pikës 4 të nenit 160 në lidhje me shqyrtimin e kërkesës për pavlefshmëri shprehin qartë se ky shqyrtim bëhet në përputhje me procedurat e Pjesës X të Kodit. Në këtë aspekt, rëndësi primare në funksion të interpretimit të dispozitave përkatëse merr neni 132. Ky nen, i jep të drejtë KQZ-së që të bashkojë dy ose më shumë kërkesa ankimore për të njëjtën njësi zgjedhore, në mënyrë të veçantë, kur së paku një prej ankesave të bashkuara ka të bëjë me pavlefshmërinë e zgjedhjeve.

Gjithashtu, i njëjti nen detyron KQZ-në që fillimisht të shqyrtojë kërkesën për pavlefshmëri, duke pezulluar ankimin për rezultat. Vetëm rënia e pavlefshmërisë i çel rrugën shqyrtimit të ankimit për rezultat. Ky parashikim i Kodit sanksionon parimin se aty ku procesi i votimit është cenuar rëndë në integritetin e tij, nuk mund të ketë numërim e më pas rezultat. Shqyrtimi i njëkohshëm i jep mundësi KQZ-së që jo vetëm të shqyrtojë të gjithë problematikën siç parashikon neni 124, pika 3, por edhe të hartojë një tabelë e cila nuk përfshin në të, rezultatin e QV-ve ku procesi i votimit nuk ka patur integritet. Një vendim dhe nje tabele e tillë i nënshtrohet, në rast ankimi, gjykimit të Kolegjit.

Në datën 26.05.2011 subjekti zgjedhor Partia Socialiste, në zbatim të së drejtës së tij për t’u ankuar ndaj rezultatit dhe/ose për të kërkuar pavlefshmëri, zgjodhi vetëm të drejtën për tú ankuar ndaj rezultatit. Me këtë veprim subjekti zgjedhor me vullnetin e tij dhe në liri të plotë përcaktoi rënien në dekadencë të çdo pretendimi eventual për pavlefshmëri.

Kodi Zgjedhor, në nenin 125 paragrafi 5 të tij, përcakton se për ankimin administrativ nuk mund të ketë rivendosje në afat për çfarëdo lloj shkaku dhe në çfarëdo lloj rrethane. Të kërkosh në përfundim të procesit të ankimit administrativ dhe gjyqësor ndaj rezultatit që të të njihet e drejta për të paraqitur kërkesë për pavlefshmëri, do të thotë të kërkosh rivendosjen në afat, gjë që ndalohet taksativisht nga Kodi Zgjedhor ose të kërkosh të të njihet privilegji, vetëm për Bashkinë e Tiranës, që të mund të kërkosh dy herë pavlefshmëri, një herë sipas Kodit, në përfundim të procedurave të përcaktuara nga neni 123, dhe një herë sipas privilegjit, në përfundim të shqyrtimit administrativ dhe gjyqësor të kërkesave të tua ankimore ndaj rezultatit.

Një mundësi të tille, as Partia Socialiste, dhe as ndonjë subjekt tjetër nuk e kanë për asnjë nga njësitë e tjera zgjedhore, përfshirë secilën njësi bashkiake te Tiranës.

Kjo është në kundërshtim me parimet për administrim të qëndrueshëm, transparent, të drejtë, jodiskriminues dhe efikas të procesit zgjedhor dhe kërkesave ankimore në veçanti.

Për pasojë, mosplotësimi i kushtit ligjor për afatin sjell në mënyrë të paevitueshme rrëzimin e kërkimit të dytë në objektin e kërkesës ankimore të subjektit zgjedhor Partia Socialiste, atë të shpalljes së pavlefshmërisë së zgjedhjeve.

Në përfundim të kësaj analize ligjore i propozoj KQZ-së mosparimin e kërkesës ankimore në përputhje me nenin 130 të Kodit Zgjedhor.

Për këtë rekomandoj, në arsyetimin e Vendimit të thuhet:

Mbështetur në nenin 21, pika 1, nenin 129, pika 1 dhe 3, gërma (a), nenin 130 dhe nenin 131, të ligjit Nr. 10019, datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”.

V E N D 0 S I:

Mospranimin për shqyrtim të kërkesës ankimore nr.164 të Partisë Socialiste e Shqipërisë.

Shpalljen publike të këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Kolegjin Zgjedhor, pranë Gjykatës së Apelit Tiranë, brenda 5 (pesë) ditëve nga shpallja e këtij vendimi.

KOMENTE