English

Kthesa që na dikton gjendja shqiptare

Nga Ndriçim Kulla

E ardhmja europiane e Shqipërisë, e ardhmja e demokracisë shqiptare, ose, në planin më të afërt, e ardhmja e pikënisjes së një dialogu konstruktiv në gjirin e një politike alternativë-konkurruese, ose edhe e ardhmja paszgjedhore e opozitës dhe qëndrimi ndaj vendimeve të saj, janë që të gjitha pikëpyetje që ngërthejnë gjithë elementet e gjendjes reale shqiptare, duke shfaqur në sipërfaqe simptomat e një gjendjeje stanjacioni që po mbahet pezull prej një periudhe të gjatë. Nëse i shohim nën një këndvështrim të përgjithshëm, duket se të gjitha këto çështje janë shumë të ndryshme nga njëra-tjetra dhe të vështira për t’i sjellë në një emërues të përbashkët. Gjendemi kësisoj përballë këtyre dhe shumë pikëpyetjeve të tjera si këto.

E, megjithatë, nëse kalojmë përtej çështjeve të veçanta që përbëjnë ardhmërinë e politikës sonë dhe sidomos asaj europiane, nuk duhet t’ia lejojmë më vetes të mendojmë si të djathtë, të majtë, në pozitë apo në opozitë. Duhet të mendojmë se po përballemi me natyrën e vështirë të gjendjes shqiptare në përgjithësi. E, një gjendje të tillë, politikanët nuk do të mund ta zgjidhin kurrë, sepse ata janë programuar të mendojnë në një mënyrë të caktuar. As juristët, sekserët apo kleçkaxhinjtë e rastit (si p.sh. marifetçinjtë e sotëm të hulumtimit të kutive) nuk do të mund ta kuptojnë e ta zgjidhin dot atë; as biznesmenët, pra, bota e parasë.

E kjo sepse problemi duhet shtruar në tërësi në të gjithë sistemin, duke tejkaluar zgjidhjet e rastit, që vërtet mund ta shpien diku një proces apo një situatë (si kjo e tanishmja postzgjedhore), por nuk do të përbëjë një përparim, dije e përvojë për gjendjen shqiptare në ardhmërinë e saj. Edhe nga ana tjetër, p.sh. nëse do të trajtonim qëndrimin dhe drejtimin e duhur që duhet të marrë opozita, por njëherësh edhe maxhoranca në objektivat e saj të ardhmërisë sonë europiane, zgjidhja e një programi sot për sot, sa për kalimin e ngërçit apo krizës që ka mbërthyer dialogun, nuk do të pasuronte dhe vendoste në një shtat të qëndrueshëm marrëdhëniet pozitë-opozitë, ato përsëri do të ndiheshin të gërryera nga përbrenda. Dhe atëherë, nëse dhe përgjigjja duhet të jetë tërësore, sistemore dhe e përbashkët, cila, vallë, përveçse fusha e gjendjes së vetë individit shqiptar, mund të jetë ajo rrënja apo rizoma e të gjitha ndryshimeve tona?

Historia shqiptare e politikës, ekonomisë dhe shoqërisë gjatë këtyre 20 viteve, këtë transformim sistemik nuk e ka konsideruar, sepse ai është më i vështiri, më kompleksi, më i ngadalti, e asaj natyrisht që i nevojiteshin zgjidhje të shpejta, të afërta, jo perspektive. E kjo strategji (pasi nuk duam që të jetë kthyer në politikë) në disa pikëpamje mund të ishte edhe e drejtë. Kishte aq shumë gropa demokracia dhe sistemi ynë ekonomik, kishte aq shumë ura për t’u ngritur midis brezave dhe grupimeve shoqërore të sapodala nga një histori 50-vjeçare, kishte aq shumë fusha rrëshqitëse ku mund të rrëzohej ekuilibri, paqja, drejtësia dhe bashkëjetesa shqiptare.

Mirëpo gjendja e sotme shqiptare, e parë në tërësi, na dikton një kthesë vendimtare. Të gjitha ato rreziqe që përmendëm më lart s’janë më, kështu që detyrimisht politika, ekonomia dhe çështja sociale duhet të ecin me norma të ndryshme, me një emërues tjetër të përbashkët sistemik. Kush e dikton këtë gjë? Në radhë të parë, rrjedhja natyrale e të gjitha atyre ardhmërive që parashtruam në fillim. Së dyti, p.sh., në ambientin ekonomik po shtohen zërat e gjetjes së një modeli të ri ekonomik për Shqipërinë. E kjo diktohet nga vetë situata e ndryshuar e ekonomisë sonë pas 20 viteve. Tani konkurrenca në vlera dhe cilësi është vendimtare. Po kështu, së fundi, këtë na e dikton edhe politika, që edhe pas këtyre zgjedhjeve nuk arriti ta fashisë shpirtin dhe ndërgjegjen e vet moskomunikuese. Nuk ka më vend për mballoma të stilit të derisotëm 20-vjeçar.

Sfida, kthesa vendimtare, vendimi që lypset marrë, nuk është në sferën e politikës, të fesë apo të botës së ekonomisë: është në ndërgjegjen tonë. Duhet kuptuar ndërgjegjja e gjendjes shqiptare, ajo ndërgjegje që na solli deri në këtë pikë. Kjo çështje duhet përballuar me seriozitet, sepse jemi vërtet përballë një çasti të vështirë, me gjithë ato male problemesh komunikimi, që sa vijnë e rriten. Të gjithë ne duhet të jemi të ndërgjegjshëm për këtë gjendje. Vetëm etika e përgjegjshmërisë na jep instrumentet e duhura për ta kuptuar thellë nevojën dhe vlerën e kësaj kthese.

E, në këtë aftësi kuptimi duhet të jemi tejet parësisht seriozë, jo sipërfaqësorë e të hutuar, por vërtet të interesuar për të kuptuar në fillim sjelljen e individit politik shqiptar, për të kuptuar se si ka mundur mendimi i tij të na sjellë deri në këtë pikë. Duhet të jemi të zotë për të hetuar me shumë kujdes e vëmendje, për të vëzhguar në thellësi, në mënyrë që të kuptojmë atë që po ndodh jashtë e brenda nesh. Aktiviteti i brendshëm, në nivel psikologjik, merr gjithnjë epërsi mbi aktivitetin e jashtëm. Sa orvatje të kota kemi bërë për të sjellë nga jashtë rregulla, sanksione, vendime që kanë shkuar dëm nga dëshirat, drojat, shqetësimet dhe nevoja jonë prioritare për sigurinë e status kuosë. Nëse nuk e ndiejmë, nëse nuk e kuptojmë që gjërat qëndrojnë kështu, edhe pse do të krijojmë nga jashtë, në dukje rregull, çrregullimi që do të sjellim brenda do t’ua kalojë konformizmave të jashtëm për rregullat dhe për disiplinën e vendosur nga jashtë. Këtë e kemi parë të ndodhë historikisht dhe e njëjta gjë po ndodh edhe tani, mu përpara syve tanë. Ky është fakt. Kthesa vendimtare është në ndërgjegjen tonë, edhe pse e dimë fare mirë që ajo është tejet e ndërlikuar. Mbi bazë të këtij ndryshimi duhet të kuptojmë se ç’është në të vërtetë edhe vetë gjendja shqiptare në tërësi. Mendimi dhe gjithë sa ka krijuar mendimi janë pjesë e ndërgjegjes sonë. Kultura në të cilën jetojmë, vlerat estetike, trysnia ekonomike, trashëgimitë kombëtare, specializimet profesionale që mbrujnë ndërgjegjen e grupit, bëjnë pjesë që të gjitha në ndërgjegjen tonë. Këto janë fakte, e nisur nga ky këndvështrim i thellë brenda vetes i secilit prej aktorëve më të rëndësishëm politikëbërës (nga ata më kryesorët deri te politikant më të thjeshtë), në bashkëpunim me të gjithë faktorët shoqëri-ndikues (media e shoqëri civile), do të arrijmë të gjejmë ato përgjigje për të tejkaluar atë klimë të molepsur mosbesimi që kemi krijuar e për të ndryshuar kështu njëherë e mirë shëndetin e gjendjen shqiptare. Është ndikimi i saj i drejtpërdrejtë në politikë dhe shoqëri ai që më pas do të na japë drejtpërdrejt fryte të qëndrueshëm dhe të arrira.

Gazeta “Panorama”

KOMENTE