English

Topi: Shqipëria bilanc progresi, palët të paafta për dialog

Bamir Topi, Ivo Josipoviç, BudvaBudva, 30 qershor 2011, NOA – Nga qyteti turistik Budva i Malit të Zi Presidenti i Republikës Bamir Topi deklaroi para udhëheqësve të shteteve dhe qeverive të vendeve të Europës Juglindore se samiti i presidentëve është një mesazh pozitiv për qytetarët e vendeve të rajonit për konfirmimin e miqësisë dhe nivelit të lartë i bashkëpunimit.

“Ne flasim për hapësirë të përbashkët evropiane dhe sot shohim se brenda nesh po zgjerojmë gjithnjë e më shumë hapësirën evropiane e rajonale të bashkëpunimit, gjë që është në interes të çdo vendi dhe banori”, deklaroi Presidenti Topi.

Kreu i Shtetit Shqiptar duke iu referuar negociatave për anëtarësimin e Kroacisë në BE, deklaroi se “Ne do të kemi një zë më shumë në Bashkimin Europian, dhe Shqipëria si vend që synon anëtarësimin, do të arrijë të përfitojë akoma më shumë nga modeli dhe përvoja kroate e integrimit”.

Këtu Presidenti Topi e uroi homologun kroat për këtë sukses historik të vendit të tij, duke e vlerësuar njëherësh, si një zhvillim historik me rëndësi edhe për vetë rajonin.

Duke folur për arritjet e Shqipërisë, zoti Topi tha se “Shqipëria ka shënuar një bilanc politik progresi në raport me synimet dhe frymën e parimeve të Nismës, ashtu edhe në raport me zhvillimet e brendshme. Janë një sërë raportesh të institucioneve të specializuara evropiane që evidentojnë progresin e bërë në fushën e reformave ekonomike dhe institucionale, në rritjen e veprimit të ligjit dhe të shtetit të së drejtës, në progresin e luftës kundër korrupsionit dhe veprimit gjithnjë e më profesional e të pavarur të institucioneve kushtetuese”.

Këtu Presidenti Topi solli shqetësimin se Shqipëria ndeshet me vështirësi të tilla sa i përket aftësisë së aktorëve politikë për të dialoguar dhe bashkëpunuar në emër të integrimit në Europë.

“Gjithsesi kemi një rritje të ndjeshme të ndërgjegjësimit publik mbi atë se cilat duhet të jenë prioritetet dhe axhenda politike evropiane e vendit dhe se cila është përgjegjësia e vendimmarrësve politikë në çështje të tilla”, tha kreu i Shtetit.

Duke folur për politikën e jashtme, çështjet e bashkëpunimit ndërshtetëror dhe të integrimit evropian, në marrëdhëniet me vendet fqinje, Presidenti Topi konfirmoi se të gjithë faktorët politikë shqiptarë janë në unanimitet.

“Ky qëndrim e ka forcuar më shumë hapësirën dhe rolin e veprimit të shtetit shqiptar në funksion të fqinjësisë së mirë, politikës miqësore e partneritetit aktiv rajonal. Shqipëria beson tek integrimi i përbashkët evropian, ndaj edhe po jep e do të japë edhe në të ardhmen kontributin e saj aktiv në funksion të këtij synimi”, cilësoi zoti Topi.

Kreu i Shtetit u ndal në tri çështje kyç tejet të rëndësishme sipas tij për tërësinë e situatës së sigurisë, stabilitetit dhe bashkëpunimit rajonal.

“Çështja e parë është ajo e shtetit të ri të Kosovës. Ashtu si shumica e vendeve të BE-së, SHBA-ve dhe shumica e shteteve të tjera demokratike në botë, krijimi i shtetit të ri të Kosovës është një ngjarje historike, legjitime dhe një kontribut real afatgjatë për paqen, stabilitetin, sigurinë dhe demokracinë në rajonin tonë”, nënvizoi presidenti.

Ai vlerësoi këtu se që nga shpallja e pavarësisë, Kosova ka treguar se është e vendosur të krijojë modelin evropian të një shteti multietnik dhe multifetar, ku respektohen e çmohen të drejtat qytetare.

“Shqipëria inkurajon dialogun e nisur midis Prishtinës e Beogradit dhe shpreson shumë që përmes tij të pranohen realitetet e reja politike e shtetërore në rajon, për të ndërtuar urat e bashkëpunimit reciprok midis dy vendeve fqinje që aspirojnë ashtu si edhe ne, integrimin euro-atlantik”, tha Presidenti Topi duke theksuar se “çdo ide apo teori tjetër, që e sheh të ardhmen e Kosovës apo ndonjë shteti tjetër ballkanik në skenarë ndarjeje apo përjashtimi, mbetet e papranueshme dhe çfarë është më e rëndësishme, mbetet burim destabilizimi për vetë rajonin”.

Ndërsa dy çështjet e tjera për të cilat foli presidenti Topi ishin mbështetja e Shqipërisë për pranimin e Maqedonisë në NATO, dhe të Malit të Zi si dhe aspekti ekonomik i bashkëpunimit rajonal.

Sipas Topit bilanci i shkëmbimeve tregtare njeh rritje, por ekonomitë e vendeve të rajonit ende hasin vështirësi në kuadrin e tregut të qëndrueshëm dhe situatës ekonomike rajonale e evropiane.

“Në këtë kuadër, kriza ekonomike e ndonjë vendi në Bashkimin Evropian nuk mund të mos kalojë pa pasoja”, tha Presidenti i Republikës.

SEECP, Samiti i Krerëve të Shteteve dhe Qeverive të Procesit të bashkëpunimit mes vendeve të Europës Juglindore mori udhë 15 vjet më parë, si një nismë e disa shteteve dhe sot bashkon çdo vend në rajon.

mit/NOA

KOMENTE