Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
A duhet të nxjerrë mësime Shqipëria nga Bush-Gore?
English

A duhet të nxjerrë mësime Shqipëria nga Bush-Gore?

Nga James Baker III

Njëzet vjet më parë, pavarësisht shqetësimit për sigurinë, qëndrova përmbi një platformë të drunjtë në sheshin kryesor të Tiranës për të folur para një mase të ngazëllyer prej 300 mijë vetësh. Dhjetëra mijëra të tjerë ishin rreshtuar anash rrugës nëpër të cilën kalova që nga aeroporti. Si i pari zyrtar i lartë amerikan që vizitonte atë shoqëri të mbyllur pas më shumë se 50 viteve të sundimit komunist, mesazhi im ishte i thjeshtë. “Liria bën të sajën”, u thashë. “Më në fund jeni të lirë të keni mendimet tuaja… Më në fund jeni të lirë të zgjidhni udhëheqësit tuaj”.

Tani teksa reflektoj mbi atë vizitë dhe admirimin e madh për popullin shqiptar, kuptoj se mund të kisha shtuar edhe diçka tjetër: Po, liria bën të sajën, por e bën më mirë këtë kur qytetarët respektojnë, pa kurrfarë mëdyshjeje dhe i binden sundimit të ligjit që garanton kornizat e një demokracie funksionale.

Kjo është e rëndësishme për t’u konsideruar teksa ngërçi politik në vend pengon perspektivën e integrimit të mëtejshëm europian dhe global. Ndërkohë që Shqipëria iu bashkua NATO-s në vitin 2009 dhe konsiderohet një vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Europian, pranimi i saj është dobësuar nga raportet e shumëpërhapura për mosfunksionim politik.

Shembulli më i fundit i ngërçit të nyjëtuar politik ishin zgjedhjet jashtëzakonisht të ngushta për kryebashkiakun e Tiranës. Dy kandidatët, përfaqësues të dy partive politike më të mëdha, janë ndër figurat politike kryesore të vendit. Gara vuri përballë Lulzim Bashën e Partisë Demokratike në mazhorancë - një ish-ministër i Jashtëm - dhe Edi Ramën, liderin e socialistëve - partisë kryesore të opozitës. Me pothuajse 250 mijë vota të hedhura, Rama pretendon një avantazh prej 10 votash, ndërsa Basha se është 81 vota përpara. Fituesi nuk është shpallur ende zyrtarisht dhe një trupë gjykatësish është në shqyrtim të argumenteve se cilat vota duhen numëruar dhe cilat jo. Kundërshtia është në vazhdën e një kaosi politik të lindur që në zgjedhjet e kontestuara të vitit 2009, pas së cilave socialistët organizuan demonstrata masive për të protestuar kundër asaj që ata quanin parregullsi serioze në votime.

Sigurisht, unë e di mirë se ç’janë zgjedhjet me rezultat tepër ngushtë, sepse në vitin 2000 kryesoja ekipin ligjor të George W. Bush gjatë rinumërimit të votave në shtetin e Florida-s. Rezultati i atij rinumërimi do të vendoste Presidentin e ardhshëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Përafërsisht, në Florida ishin hedhur 6 milionë fletë votimi dhe pas numërimit fillestar kandidatët u ndanë nga 300 vota. Përvoja ime në rinumërimin e Florida-s gjatë zgjedhjeve presidenciale amerikane më ka dhënë disa mësime, që mendoj se mund të zbatohen edhe në situatën në Shqipëri.

Kur kufiri që ndan kandidatët është i hollë ku s’ka më, mund të gjesh argumente të pafundme lidhur me çështjen nëse një pjesë e caktuar e votave u numëruan si duhet apo jo. Numërimi i votave është art po aq sa edhe shkencë dhe, kur zgjedhjet përfundojnë me një rezultat aq të ngushtë, saqë çdo votë mund të ndikojë mbi rezultatin, atëherë del se gjykimi njerëzor ka një ndikim të madh mbi procesin e numërimit. Në raste të tilla, secila palë mund të nxjerrë argumente bindëse se përse votat duhen numëruar në atë mënyrë që e lejon atë të fitojë. Dhe me dëshirën për të fituar, sigurisht, secila palë bëhet njësh me argumentin e saj dhe e beson si të vetmin që është korrekt. Nëse argumenti i saj nuk pranohet, pretendimi se zgjedhjet ‘u vodhën’ është joshës.

Kur zgjedhjet janë me rezultat tepër të ngushtë, është e kotë të sugjerosh se të dyja palët duhet të përpiqen të gjejnë një zgjidhje me negociata apo me dialog. Në Florida në vitin 2000 nuk ishte e mundur një zgjidhje me negociata mes George W. Bush-it dhe Al Gore-it dhe, sigurisht, kjo nuk është e mundur as sot në Tiranë. Njëri kandidat do të fitojë, tjetri do të humbasë. Po kështu, nuk do të ishte e përshtatshme në këtë rast mosnjohja e rezultatit dhe mbajtja e zgjedhjeve të reja. Do të ishte e pakuptimtë t’u thoshe votuesve se vota e tyre vlen, përjashto rastet kur zgjedhjet janë kaq të ngushta saqë vota e tyre mund të vendoste rezultatin.

E vetmja mënyrë për zgjidhjen e rasteve si Florida në vitin 2000 dhe Tiranës sot, është të kesh një proces të besueshëm dhe të drejtë për zgjidhjen e çështjeve të diskutueshme të ligjit dhe të faktit e pastaj të shpallësh fituesin. Dhe kandidatët konkurrues duhet të jenë të gatshëm të pranojnë rezultatin e këtij procesi.

Në rastin e Florida-s u fut në punë sistemi i gjykatave amerikane dhe përfundimisht Gjykata e Lartë. Roli i saj ishte dëgjimi i argumenteve të secilës palë dhe të merrte një vendim që pashmangshëm do të zhgënjente njërin prej kandidatëve. Amerika ishte me fat që Gore dhe Bush qenë dy kandidatë të gatshëm të vendosnin interesin e vendit përmbi ambiciet e tyre.

Në fund, siç e dimë të gjithë, Gjykata e Lartë vendosi në favor të Bush-it. Gore mund të mos e kishte pranuar vendimin dhe ta fuste në kaos qeverinë amerikane. Por nuk e bëri këtë. Në fakt, fjalimi dinjitoz me të cilin Gore e pranoi humbjen, ishte një model për raste të tilla. Jam i sigurt se Bush do të kishte bërë të njëjtën gjë, nëse vendimi i gjykatës do të kishte qenë kundër tij. Të dy e kuptuan se historia do t’i kishte gjykuar ashpër nëse do të kishin vënë interesin e tyre personal mbi interesin e popullit amerikan, siç përcaktohet nga ligjet në fuqi.

Në fund, sistemi amerikan funksionoi. Vërtet që ishin një palë zgjedhje me rezultat të ngushtë dhe me emocione të ndezura në të dy krahët, por nuk pati trazira apo tanke në rrugë - vetëm disa demonstrata paqësore. Rezultati? Amerika edhe një herë pa një ndërrim paqësor të pushtetit.

Shqipëria është me fat që ka një kuadër ligjor të ngjashëm - Kolegji Zgjedhor i saj dëgjon apelimet ndaj vendimeve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve - për të zgjidhur në mënyrë të drejtë çështjet e diskutueshme. Kolegji Zgjedhor i Shqipërisë përbëhet nga tetë anëtarë të zgjedhur me short nga radhët e gjyqtarëve të apelit. Anëtarët e zgjedhur rastësisht të Kolegjit Zgjedhor janë emëruar në kohë të ndryshme nga qeveritë e të dy partive të mëdha politike të vendit. Dhe të dy vendimet e tij deri më sot për zgjedhjet e Tiranës kanë qenë të njëzëshme.

Më 27 qershor, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi që Lulzim Basha kishte fituar me 93 vota, edhe pse socialistët po e apelojnë këtë në Kolegjin Zgjedhor, i cili tani do të duhet të vendosë mbi zgjedhjet në Tiranë për të tretën herë. Megjithëse opozita mund të mos jetë plotësisht e kënaqur me rezultatin - ashtu si shumë demokratë amerikanë ende shprehin zhgënjim për fitoren e Bush-it në vitin 2000 - ajo që mbetet për t'u parë është nëse opozita do ta pranojë vendimin që ka dalë nga procesi ligjor.

Duke njohur pranimin krahëhapur të demokracisë dhe lirisë, dëshmitar i të cilit kam qenë 20 vjet më parë, jam i bindur se është ky lloj lidershipi që Shqipëria meriton dhe do.

KOMENTE