English

Informim dhe argëtim për komunitetin shqiptar, 25 vite të radios shqipe në Belgjikë

Bruksel, 2 Korrik 2011/ Elona Zhana - Radio “Jehona e Shqipes” në Bruksel ka mbushur 25 vite transmetim. Emisioni i parë i saj është realizuar në shkurt të vitit 1986 nga një grup të rinjsh shqiptare që në kërkim të identitetit zgjodhën të shprehurit si mënyrën më të mirë për t’ju përafruar rrënjëve të tyre kulturore. Që në atë kohë u përpunua një platformë kombëtare dhe gjithëpërfshirëse, duke i dhëne prioritet absolut bindjes që ky mjet informimi duhet të qëndronte i pavarur. Në këtë mënyre radio “Jehona e Shqipes”, nuk përjashtoi asnjë fraksion a grupim veprues mes komunitetit në atë kohë, përkundrazi u bë zëri i të gjithëve duke luajtur edhe rolin e bashkimit të komunitetit. Nga viti 1986 gjer në vitin 1989 ka qenë periudha e strukturimit dhe afirmimit të programit tek dëgjuesit. Kjo u bë jo vetëm nëpërmjet emisioneve që transmetoheshin, por edhe në aspekte të ndryshme organizative. Kështu për shembull në vitin 1986 “Jehona e Shqipes” është partnere në xhirimet e filmit të parë shqiptar të realizuar jashtë kufijve, për filmin “Prilli i thyer” të regjisores franko-shqiptare Lirie Begeja, të realizuar në Korsikë të Francës. Një grup prej 150 figurantësh nga Belgjika, nën organizimin e “Jehonës së Shqipes” marrin pjesë në xhirime.

Në harkun kohor 1989-1990 me procesin e rënies së sistemit komunist në vendet e bllokut të Lindjes, Shqipëria ishte vendi i fundit ku rezistoi diktatura, ndaj dhe interesi evropian në drejtim të këtij vendi ishte i lartë. Në mënyrë të veçantë tek komuniteti shqiptar që jetonte në Belgjikë. Duke qene organi i vetëm mediatik shqiptar në këtë shtet, “Jehona e Shqipes” ishte porta e parë ku trokitej për t’u informuar nga këto media. Pas fillimit të ndryshimeve demokratike dhe ndërtimit të sistemit pluralist në Shqipëri, radio u interpelua nga shumë prej liderëve të rinj shqiptarë, duke u dhëne atyre mundësinë të shprehen në mikrofonin e saj.

Gjatë gjithë ekzistencës së saj “Jehona e Shqipes” i ka kushtuar një vëmendje të posaçme çështjes kosovare. Një shembull konkret është aksioni i ndihmës humanitare për të shpërngulurit kosovarë në Shqipëri menjëherë pas luftës në Kosovë. Pas rënies së komunizmit në Shqipëri dhe shpalljes së pavarësisë së Kosovës, platforma e radios është koncentruar në çështjet e integrimit, dhe më së shumti si vektor promovimi të këtij misioni është përcaktuar kultura.

Me rastin e 25 vjetorit të themelimit të radios “Jehona e Shqipes” është zhvilluar së fundi në Bruksel një mbrëmje përkujtimore e projektuar menduar si një takim falënderues për të gjitha ata që nëpërmjet kontributit të tyre kanë ndihmuar në ekzistencën e radios së vetme të pavarur që flet shqip në zemër të Brukselit. Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësuesve të instancave më të larta diplomatike shqiptareBelgjikë, aktivistë dhe drejtues të shoqatave të ndryshme shqiptare dhe të huaja, bashkëkombës të ardhur nga Franca dhe Luksemburgu etj.

“Ditari” i radios u shoqërua me shpërndarjen e disa titujve mirënjohje nga Drejtori aktual i radios, njëherazi edhe themelues i saj, z Sakip Skepi. Mes personave të nderuar kishte edhe gazetarë belg si Jean Pierre-Martin, reporter i RTBL, Edouard Van Velthem gazetar i se përditshmes Le Soir dhe Axel Byuse aktualisht diplomat. Mbrëmja u përshëndet me një mesazh dhe nga Presidenti i Shqipërisë Bamir Topi, që ka përgëzuar punën dhe rolin që ka luajtur “Jehona e Shqipes” në 25 vite transmetim. I pyetur në lidhje me vazhdimësinë e radios, themeluesi dhe drejtuesi i saj, Sakip Skepi, u shpreh se do të vazhdojë të flasë shqip me bindjen që brezi ri do të vazhdojë përmbushjen e misionit themelor të radios që është tejçimi i kulturës së mrekullueshme që na karakterizon si komb.

* Redaktore e Radios “Jehona e Shqipes” në Bruksel

KOMENTE