English

Ndahet nga jeta publicisti Teki Dervishi, drejtor i “Bota sot”

Pas një sëmundjeje të rëndë, ndërroi jetë Teki Dervishi, drejtor i gazetës kombëtare “Bota sot”, shkrimtar, publicist, ish i dënuar politik nga regjimi komunist serb.

Teki Dervishi u lind në Gjakovë në vitin 1943. Pas shkollimit fillor ai i ra në sy regjimit serb të asaj kohe dhe u burgos e u dënua që në moshën 17 vjeçare, ku vuajti dënimin disavjeçar në burgjet serbe. Teki Dërvishi është ndër të burgosurit më të rinj shqiptar që vuajti në burgun famëkeq jugosllav të Goli Otokut.

Teki Dervishi gjatë gjithë jetës së tij u murr me shkrime letrare e publicistike. Është autor i rreth 90 veprave letrare artistike, romane, poezi, drama.

Është autor i romaneve: Pirgu i Lartë, 1972, Padrona, 1973, Skedarët. 1974, Herezia e Dervish Mallutës, 1981, Palimpsest për Dush Kusarin, 1993. I përmbledhjes së tregimeve: Etje dhe Borë, I vëllimit të poezive Nimfa 1970, Shtëpia e Sëmurë 1978, Thashë 1981, Nimfa 1986. Ka botuar edhe këto drama: Zbutësi i njerëzve me sy prej zymrydi, 1979, Bregu i Pikëllimit, 1985, Pranvera e Librave, 1990, Zhvarrimi i Pjetër Bogdanit, 1990, Kufiri me atdhe, 1996, Vojceku, 1996, Eshtrat që kthehen vonë, 2000, Nesër nisemi për Parajsë, 1999, Ku është Populli?, 2003 si dhe i veprës me ese e kritika mbi teatrin Qan e qesh Talia 1978.

Teki Dervishi ishte ndër themeluesit e gazetës që u angazhua në gazetën kombëtare “Bota sot” që prej themelimit të saj 16 vjet më parë dhe ishte ndër të parët që krijoi stafin e parë të redaksisë së gazetës "Bota sot". Ai ishte redaktor, kolumnist dhe së fundi drejtor i përgjithshëm i gazetës.

Familja e të ndjerit njoftoi se varrimi sipas dëshirës së tij të fundit, do të bëhet në prezencën e rrethit të ngushtë familjar. Ngushëllimet pranohen të shtunën 2 korrik prej orës 09:00 deri 16:00, dhe të dielën prej orës 08:00 deri në orën 14:00, në familje te rruga Sadik Stavileci, nr. 151.

KOMENTE