Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Kosova e 1001 problemeve
English

Kosova e 1001 problemeve

Nga Bardh Frangu

Raporti i fundit i “Freedom House” vlerëson se Kosova ka një demokraci ende të papjekur. Po çka nënkuptojmë me këtë tip demokracie infantile? Në fakt zor është të flasësh për demokracinë në një vend, ku mungon rregullimi unik i territorit, ku të gjithë qytetarët nuk i nënshtrohen një autoriteti politik dhe ku nuk shërbehen me standarde të njëjta.

Veriu i Kosovës bën jetë të dirigjuar nga autoriteti politik i Beogradit. Jo vetëm në Veri, por edhe në enklavat brenda Kosovës kemi në përdorim dy lloje valutash e dy lloje regjistrimi të veturave. Të mos flasim për standarde tjera të dyfishta që janë me shumicë. Në anën tjetër, bërja e demokracisë funksionale, para së gjithash, nënkupton një sistem gjyqësor të pavarur dhe të mbështetur në barabarësi të ndarjes së drejtësisë dhe në respektimin e të drejtave dhe lirive të njeriut, përfshirë këtu edhe shprehjen e lirë.

Dihet se në një vend të dalë nga lufta gjëja më e zorshme është bërja e demokracisë. Kjo për faktin se, ndërsa qytetarët e zakonshëm nisin e shërojnë plagët, duke provuar ndërtimin e jetës së re mbi rrënoja, heronjtë e bërjes së lirisë kapitalin e tyre politik, nëpërmjet meritokracisë, nisin e konvertojnë në të mira materiale në kurriz të atyre qytetarëve. Për më tepër, masa e shfaqjes së heronjve të vonuar në trajtën e hienave, bëhet pengesa më e madhe e zhvillimeve që do të nënkuptonte ndërtimin e kornizave të një shteti normal, brenda të cilit do të funksiononte edhe demokracia.

Kjo ka bërë që idetë dhe konceptet e njëmendta demokratike të ngulfaten nga projeksionet historike, si prodhim i logjikës së të qenit në robëri dhe dozës së madhe të frymës etnonacionaliste në nivel folklori politik. Në kontekst të kësaj edhe digjen flamujt e shtetit dhe koncepti për bërjen e shtetit të pavarur provohet të zëvendësohet me konceptin për bashkimin kombëtar, për ta reduktuar vendin në një krahinë, e cila duhet t’i bashkohet tërësisë së saj. Kur gjithë kësaj i shtojmë edhe ndikimin e politikës së pakuptimtë të UNMIK’ut, del se brenda kësaj decenie në liri na janë grumbulluar mbi 1001 probleme. E kur ka kaq shumë probleme, duket sikur të mos ketë probleme fare! Edhe kunjat që ia fusim vetes na bëjnë të ndjehemi si sadomazohistë dhe të turremi kaq ashpër kundër laicitetit të shtetit të ri të Kosovës!

Përkundër të gjitha këtyre problemeve ne vazhdojmë të jemi një popull shumë optimist. Kënaqemi me këto shtëpi publike që kemi ngritur ngado, me këto pompa benzine të ngritura edhe nëpër ara e livadhe, me këtë kulturë tallave që na bën të shkoklohemi dhe të mos kuptojmë se çka janë vlerat e njëmendta. Mbase këto janë edhe prodhimet më të dukshme të këtyre viteve në liri. Nuk kemi gjë tjetër. Eksportin e mbajmë me makinat, të cilat i kthejmë mbrapsht në Evropë si mbeturinë hekuri, si dhe me lëkurat, të cilat na mbesin si mbeturina nga kafshët e importuara nga Serbia dhe Maqedonia! Në këtë kontekst, po ta kundrojmë zhvillimin tonë sipas sistemit të rentës në natyrë, habitemi si ka mundësi të mbesim gjallë. Dhe, sigurisht që do ta kemi edhe më vështirë.

Donacionet ndërkombëtare gjithnjë e më shumë po zvogëlohen, ndërsa burimi ynë kaq i rëndësishëm nga diaspora rrjedh gjithnjë e më pak. Ata që deshën kaq shumë lirinë e Kosovës, zbrazën xhepat e tyre për të bërë nga një strehë në atdhe, tash kërkojnë të bëjnë strehë të përhershme atje ku kanë vendet e tyre të punës dhe ku fëmijët e tyre kanë nisur të kuptojnë se integrimi në shoqëritë ku ata jetojnë është udha e vetme e shpëtimit.

Nuk arritëm të ndërtojmë perspektivë në këtë vend as për ne, as për ata.

Ndërsa në Maqedoni ka mundësi që një biznes të regjistrohet brenda ditës, në Kosovë thuhet se për këtë duhen jo më pak se 53 ditë. Veç kësaj procedure të mundimshme burokratike, mungon edhe siguria për investime. Shkalla e lartë e ekonomisë informale është edhe një e keqe plus. Prandaj, të gjithë ata që kanë besuar se Kosova mund të bëhet një Zvicër për Ballkanin, tashmë e kanë kuptuar se pasuria e një vendi nuk është në nëntokën e tij, por në kokat e njerëzve.

Sigurisht që në këso rastesh është e logjikshme të shtrohet pyetja se çka duhet bërë që të renditen këto 1001 probleme dhe të zgjidhen sipas prioritetit të tyre. Përgjigjja është shumë e thjeshtë. Së pari duhet ndërtuar vullnetin e mirë për ndërtimin e shtetit. Nuk ka asnjë shpjegim fakti se shteti më i varfër në Evropë të ketë një aparat kaq të madh qeverisës. Kur kësaj i shtohet fakti se njësoj është e ngarkuar administrata edhe nëpër nivelet lokale qeverisëse, del se përnjëmend këtu vetëm pushteti ka kuptim.

Imagjinojeni një aparat kaq të madh administratorësh në një vend ku sistemi i drejtësisë ka mungesë të jashtëzakonshme të personelit!? Në anën tjetër, si ka mundësi të ndërtohet mekanizmi i përgjegjësisë në një vend ku njihen vetëm privilegjet që ofron pushteti? Ende nuk na ka rënë të dëgjojmë se ndonjë zyrtar i autorizuar për pranimin teknik të ndonjë projekti të kryer të jetë thirrur në përgjegjësi, qoftë edhe politike (për përgjegjësi penale nuk bëhet fjalë), ndërsa jemi dëshmitarë të kryerjes së punëve shkel e shko dhe mbase keq e më keq. Asnjë ndërmarrje që ka përfituar nga projektet publike në këtë vend nuk është penalizuar për punët e bëra keq. Përkundrazi, këta tipa njerëzish dhe ndërmarrjesh vetëm sa janë privilegjuar.

Ja, pra, nga duhet nisur për t’i zgjidhur këto 1001 problemet tona dhe për të nisur ndërtimin e një demokracie funksionale, e cila do të ishte garant për bërjen e një shteti normal dhe me perspektivë për banorët e tij.

KOMENTE